Recension i librit “Identiteti kombëtar” nga Anthony D. Smith, “Cunues”, Prishtinë, 2023, përkthyer nga Greta Avdyli
Ende e mbaj mend mirë herën e parë kur hasa librin e Anthony Smithit mbi identitetin kombëtar, gjatë studimeve të mia në vitet 1990. Padyshim qe shkruar në anglisht, por kur e pata lexuar më pati mahnitur mënyra se si Smithi e shpjegon origjinën, shkaqet dhe ndikimin e identitetit kombëtar si një dukuri shoqërore dhe politike. Ndryshe nga librat dhe studiuesit e tjerë, të cilët kryesisht e shihnin identitetin kombëtar si një mjet politik dhe ideologjik, Smit-i iu afrua më shumë nga një këndvështrim kulturor dhe social. Sipas tij, identiteti kombëtar përfshin elemente të ndryshme si gjuha, emocionet, kujtesa dhe simbolet kolektive. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e të kuptuarit të kontekstit historik dhe bazën etnike të formimit të identitetit kombëtar për të kuptuar rëndësinë e nacionalizmit si një ideologji dhe një lëvizje politike. Në krahasim nga qasja teorike që e sheh kombin si një entitet të qenësishëm dhe të përhershëm, apo qasja që e përcakton kombin si fryt të epokës moderne dhe nacionalizmit, Smithi ofron një këndvështrim teorik alternativ. Ai thekson rëndësinë e lidhjeve farefisnore, kujtesës historike, traditës, miteve të origjinës dhe përkatësive fetare në formësimin e identitetit kombëtar. Kjo qasje, e njohur si “etnosimbolizëm”, nënvizon rolin e etnisë dhe përfaqësimit simbolik në procesin e formimit të identitetit. Kjo qasje u shfaq në rend të parë si kritikë e teorive moderniste dhe primordialiste duke shqyrtuar elementët e përfshirë në formimin e kombit, të cilat ishin anashkaluar ose lënë pas dore në qasjet e mëparshme.
Kështu, duke mos e hedhur poshtë krejtësisht natyrën moderne të kombeve dhe nacionalizmit, Smithi, në këtë libër, argumenton, se disa elementë të ngjashëm me ato që gjenden në kombet moderne mund të gjurmohen në kohët paramoderne, duke përfshirë qytetërimet e lashta. Rrjedhimisht, ai bën dallimin midis llojeve të ndryshme të identiteteve kombëtare, duke i ndarë ato në kombe në bazë të përkatësisë etnike dhe kombe qytetare bazuar në vlerat e përbashkëta. Megjithatë, Smithi nuk e bën këtë kategorizim në mënyrë arbitrare; ai ofron një përshkrim të hollësishëm të procesit kompleks se si formohet, shprehet dhe përforcohet identiteti kombëtar. Si rezultat, qasja e tij është autentike dhe ofron një kuptim gjithëpërfshirës të identitetit kombëtar, si dhe rëndësisë dhe ndikimit të tij në botën e sotme.
Pas prezantimit të temës kryesore të librit në hyrje, kapitulli i parë thellohet në karakteristikat kryesore të identitetit kombëtar dhe se si ai ndryshon nga format e tjera të identifikimit. Kapitulli më pas vazhdon me hulumtimin e rolit të bashkësive etnike në formimin e kombeve moderne. Kapitulli i tretë shqyrton origjinën e kombeve, i pasuar nga një shqyrtim i nacionalizmit dhe dimensioneve të tij të ndryshme dhe aspekteve kulturore në procesin e kombformimit. Më pas, kapitulli tjetër diskuton rëndësinë dhe ndikimin e elitave politike dhe kulturore në themelimin e kombeve moderne dhe qytetare. Së fundi, kapitulli i fundit trajton sfidat dhe pasojat politike që lidhen me lloje të ndryshme të identitetit kombëtar, duke përfshirë potencialin për konflikte etnike dhe perspektivat e një bote pas-kombëtare që eventualisht do të mund të zëvendësojnë identitetet dhe ideologjitë e tjera bashkëkohore në një të ardhme.
Libri gjate këtyre dekadave që nga botimi ka zgjuar interesim të gjerë publik dhe ka pasur një ndikim të rëndësishëm në debatet akademike. Megjithatë, është përballur edhe me kritika të shumta. Kritika kryesore e drejtuar ndaj Smithit është se nuk arrin saktësisht të bëjë dallimin midis kombeve etnike dhe qytetare dhe të qartësojë dallimin midis etnive dhe kombeve, duke rezultuar në konfuzion dhe paqartësi konceptuale në lidhje me formimin e kombeve. Për më tepër, libri kritikohet për përqendrimin e tepërt në elementët kulturorë dhe simbolikë, duke lënë pas dore aspektet sociale, ekonomike dhe politike të identitetit kombëtar. Me gjithë këto kritika të vlefshme dhe kalimin e shumë vjetëve nga botimi i parë, ky libër mbetet i pashembullt në diskutimet për kombin dhe nacionalizmin.
Fatmirësisht, libri tashmë është përkthyer në shqip nga shtëpia botuese “Cunues” dhe me përkthimin mjeshtëror të ofruar nga studiuesja e përkushtuar Greta Avdyli, e cila meriton çdo lëvdatë që e bëri të mundshme këtë vepër të vlefshme. Ky libër nuk është vetëm kryevepra e Smithit apo material i domosdoshëm leximi, studimi dhe diskutimi për studiuesit e shkencave shoqërore, por edhe për këdo që ka interes apo kureshtje për çështjen e përkatësisë, identitetit kombëtar dhe nacionalizmit.