Shtojca për Kulturë

Darka e lamës mes reliktit dhe mimetikës

Evidencat etnografike tregojnë se me grumbullimin e produkteve dhe përfundimin e punëve, në viset e ndryshme të Kosovës, gjithmonë është organizuar një darkë e madhe e përbashkët për të falënderuar Zotin, natyrën por edhe njerëzit që kanë ndihmuar në përfundimin e punëve blegtorale e bujqësore. Kjo është evidentuar në shumë fshatra; në fakt mbahet mend gjithandej. Pra, është një festë popullore shqiptare, një rit i kalendarit popullor, i emërtuar jashtë peizazhit linguistik religjioz

Shqiptarët kanë trashëguar rite, doke dhe tradita të sakrifikimit, përkujtimit, gëzimit dhe falënderimit, nga të parët e tyre, por edhe kanë përvetësuar rite e festa specifike nga religjionet e mëdha. Një prej festave, që është edhe praktikë rituale, që është trashëguar si “mbijetojë” pagane dhe ruhet ende nëpër fshatra, është edhe ajo e “Darkës së lamës” apo variacionet e saj gjuhësore të njohura si “Darka e fushës”, “Darka e bereqetit”, e të tjera.

“Darka e lamës” është festë që zakonisht mbahet në fund të tetorit, por edhe nëntor, kur fillojnë të hyjnë në hambar të shirat e të vjelat e punës verore. Quhet e lamës sepse “lama” apo “lëma” ka qenë dhe ende është vendi ku janë shirë apo janë bërë të gatshme për t’u futur në hambar e pastaj bluar në mulli, të korrat si misri, gruri, elbi etj. Shpesh është quajtur edhe e fushës apo e bereqetit. Lama është vend i rrafshët, në oborr apo edhe jashtë oborrit. Në mes të lamës është mullari apo strumbullari rreth të cilit sillen bagëtitë, por edhe njerëzit, duke shkelur kallinjtë e grurit, prej të cilëve mbeten kokrrat e grurit, të cilat hidhen në ajër me terplote për t’u ndarë e qëruar tutje. Por, në lamë, apo afër saj, zhvoshet edhe kallamoqi e kryhen edhe punë të tjera. Sipërfaqja e saj fillon prej 20 m2 deri në 100 m2 varësisht prej vendit. Në shumë raste, lëma është vetë oborri, por edhe ndonjë livadh afër shtëpisë.

Pothuajse secila shtëpi e madhe ka pasur lamën. Lama po ashtu ka qenë vend gravitues i solidaritetit dhe reciprocitetit në mes fshatarëve shqiptarë, duke ndihmuar njëri-tjetrin me fuqi punëtore. Duke qenë se te shqiptarët sfera bukësore ka qenë pjesë e rëndësishme etike, “dhënia e bukës” ka qenë aspekt esencial i marrëdhënieve sociale tradicionale. Argatët, që zakonisht kanë qenë familjarët apo të afërmit farefisnorë, por edhe fqinjët e fshatit, kanë ofruar ndihmë për familjet me radhë: një ditë vijnë të gjithë argatët te njëri, tjetrën ditë shkojnë të gjithë te tjetri. Kështu, cikli i ndihmës reciproke ka punuar në mënyrë efikase, sepse kur kryen punë te tjetri, tjetri kryen punë te ti dhe me radhë.

Por, krahas lamës që është ndërmjetës prej arës në hambar, është bërë edhe puna e vjeljes së pemëve. Pemët e shumta të vjela gjatë vjeshtës, janë ndarë dhe vendosur në tavane të shtëpive apo vende të tjera, gjithnjë në kashtë apo sanë apo edhe në “byk” të lamës për t’u “ardhur” gjatë dimrit, për t’u ngrënë ditë për ditë. Ndërsa një pjesë tjetër e pemëve, kryesisht dardhët, janë bërë turshi, duke u futur në kaca të drunjta. Shumë lloje të dardhëve vendore janë përdorur për turshi, por më të zakonshmet janë dardhat e njohura si “ujce” dhe ato të njohura si “halilqe”.

Evidencat etnografike tregojnë se me grumbullimin e produkteve dhe përfundimin e punëve, në viset e ndryshme të Kosovës, gjithmonë është organizuar një darkë e madhe e përbashkët për ta falënderuar Zotin, natyrën, por edhe njerëzit që kanë ndihmuar në përfundimin e punëve blegtorale e bujqësore. Kjo është evidentuar në shumë fshatra; në fakt mbahet mend gjithandej. Pra, është një festë popullore shqiptare, një rit i kalendarit popullor, i emërtuar jashtë peizazhit linguistik religjioz. Thjesht: “Darka e lamës”, por brenda botëkuptimit magjik e religjioz, se duhet falënderuar Zotin, duke bërë një festë. Duket se vetë festa e darkës së lamës është në hijen e festave të sakrificës, por e reduktuar në kontekst më social. Festat e tilla janë festa të kalendarit popullor mbushur me plot rite motmoti. Kalendari popullor shqiptar është mjaft i pasur me rite të tilla. Pak më vonë, në fund të dhjetorit, gjegjësisht më 24 dhjetor është festa apo riti i Buzmit, që po ashtu lidhet me rit pagan të solsticit apo të thirrje së diellit, kthimit të tij, dedikimit për të. Këtë festë pagane e ka përvetësuar krishterimi për ta shndërruar në Kërshëndella apo Krishtlindje.

Në vitin 2002, “Darka e lamës” qe rivitalizuar edhe në nivel institucional nga presidenti Ibrahim Rugova. Rugova e pati shpallur “Darkën e lamës” si festë të falënderimit dhe e pati promovuar si festë shtetërore të Republikës së Kosovës. Rugova pati ftuar të afërm politikë, bashkëpunëtorë institucionalë e shtetërorë dhe miq ndërkombëtarë për të dhënë darkën dhe falënderuar Zotin dhe tokën e Kosovës për të mirat që kishte sjellë atë mot. Edhe sot, Zyra e Presidencës organizon “Darkën e lamës”, ndonëse nuk është shndërruar zyrtarisht në festë shtetërore.

Po ashtu, duhet të theksohet se festa qe mbajtur edhe nga organizata të ndryshme, kompani të ndryshme, komuna e nga institucione të tjera. Madje, në disa raste janë evidentuar edhe reklama për zbritje për “Darkën e lamës”, të cilat, megjithatë, nuk kanë marrë hov në diskursin ekonomik e të marketingut, aq sa kanë marrë hov festat fetare e ditë të tjera festive. Tregu kosovar është mishëruar me festat e tregut perëndimor e lindor, por nuk është mishëruar ende me festat tradicionale. Në anën tjetër, në publik, janë dëgjuar lloj-lloj mendimesh e gulçimesh: “Darka e lamës është festë e krishterë”, “Darka e lamës është gjynah sepse është pagane”, “Darka e lamës është shpikje e Rugovës”, “Pse nuk e bëjmë festë zyrtare sikurse Krishtlindjen e Bajramin” etj. Se çfarë duhet dhe s’duhet të bëjnë institucionet dhe qytetarët, kompanitë dhe fetarët, nuk është çështje e diskutimit tonë.

Por, duhen nënvizuar tri gjëra që përbëjnë temë të rëndësishme publike, mes shumë tjerash. Këto tema janë nënvizuar para disa viteve, por po i japim të përsëritura më gjerësisht këtu.

A është darka e lamës festë e shpikur nga Rugova?

Kjo pyetje ka dy faqe: njëra është e sinqertë, ndërsa tjetra është pretencioze. Arsyeja qëndron te fjala “shpikje”. Kjo fjalë ka një gremç, sepse në studimet e sotme kjo fjalë lidhet me konceptin “shpikje e traditës” të historianit Eric Hobsbawm, ku tradita nënkupton vazhdimësinë nga e kaluara në të tashmen ndërsa shpikja nënkupton risinë dhe fabrikimin e qëllimtë. Sidoqoftë, në studimet antropologjike gjithmonë është argumentuar se shpikja dhe rivitalizimi kanë përcjellë traditën dhe kulturën në përgjithësi, sepse vetë kultura është një shpikje, një imagjinim i individëve të një populli.

Në rastin e “Darkës së lamës”, qytetarët e Kosovës që njohin festat dhe falënderimet tradicionale të jetës dokesore, mbajnë mend se kjo festë ka qenë dhe është një festë falënderimi për Zotin, natyrën dhe njerëzit përreth. Andaj, ata anashkalojnë gremçin polemik të fjalës “shpikje” dhe e shohin edhe “Darkën e lamës” si rivitalizim fisnikërues të traditës në nivel shtetëror, pa synimin për të instrumentalizuar diçka për të legjitimuar diçka pa arsye.

Pra, fjala e duhur këtu është rivitalizim, sepse kjo fjalë ka konotim më njetmirë, se sa fjala “shpikje”, sepse fjala “shpikje”, në kuptimin si jepet në kritikën e letrave akademike, mendohet si “falsitet”, apo si “rrenë”. Në kujtesën tonë, kudo që dalim në fshatrat e Kosovës, përmendet darka e lamës. Për arsye të ndryshimeve të mëdha në dekadat e fundit, kjo festë nuk mbahet më në mënyrë organike, të zakonshme, siç ka qenë para 50 vjetësh, por megjithatë, mbahet e kujtohet se është mbajtur.

A ka evidenca historike për darkën e lamës?

Nëse ndiqet argumenti se gjithçka që është reale në kontekstin historik duhet të ketë bazë në evidenca dokumentare, atëherë shumë prej gjërave që bëjmë dalin joreale. Por gjërat ekzistojnë. Ato bëhen e janë reale për ata që i bëjnë e ata që i shohin e prekin. Pyetja shtrohet: cilat janë kriteret për ta evidentuar një gjë reale? Nuk po hyjmë te diskutimet e filozofëve, sepse humbin kohë, por për historianët kredibilë, kjo çështje zgjidhet me dokumente dhe argumente kontekstuale historiciste, të bazuara po ashtu në dokumente. Nuk ka dokumente deri më tani që rrëfejnë saktësisht për mbajtjen e kësaj feste, pra “darkës së lamës”, që nga lashtësia deri më tani, te shqiptarët e Kosovës, te paraardhësit e tyre apo gjetiu në viset shqiptare. Sidoqoftë, ekzistojnë argumente kontekstuale historike të bazuara në dokumente se ka ekzistuar një areal i vazhdueshëm dhe i vazhdimësisë kulturore, kryesisht si mbijetojë pagane, në jetën dokesore shqiptare. Prej survivancave të gjuhës deri te ritet e veshjet e elemente të tjera të trashëgimisë kulturore kanë mbijetuar pavarësisht ngushtimit të hapësirës nga regjimet, sundimet e religjionet. Ka pasur edhe transformime e ndryshme të tyre, por ka edhe të atilla që kanë mbijetuar në formë e përmbajtje, përafërsisht të njëjtë.

Po ashtu, dihet se ritet e solsticit, ritet e kultit të diellit, kanë qenë të përhapura gjithandej Evropës e botës dhe kanë mbijetuar edhe te shqiptarët në forma të ndryshme.

Se ku nis e sos shpikja e traditës është çështje komplekse që pezullon kritikën polemike. Na kujtohet “Saturnalia” romake që nuk ishte tjetër pos një rivitalizim i një riti të vjetër pagan në Evropën parakrishtere. Japonezët po ashtu rivitalizuan “Niiname sai” – ditën e punës dhe prodhimit – një falënderim për njëri tjetrin dhe Zotin që ka ofruar orizin. Dita e falënderimeve amerikane (Thanksgiving), ka qenë një lloj rivitalizimi që kishte bërë Abraham Lincoln. Por, duhet të cekim se institucionalizimi i festës “Thanksgiving” nuk qe bazuar mbi dokumente historike, por mbi një kujtesë dokesore tradicionale të inspiruar nga tradita.

A është darka e lamës festë e krishterë?

Darkën e lamës e kanë mbajtur shqiptarët e të gjithave konfesioneve. Disa institucione fetare e ndërlidhin me bukëdhanien si solidaritet i krishterë, disa e lidhin me solidaritetin në besimin islam. Megjithatë, darka e lamës është festë me rrënjë pagane, siç janë esencialisht rrënjët e shumë prej praktikave popullore.

Nga pikëpamja antropologjike, shqiptarët janë popull laramanë: kanë rite e praktika magjike pagane (animizëm, manizëm etj), si në shprehje gjuhësore ashtu edhe në sjellje; kanë rite e festa të krishtere, të cilat mbahen edhe nga shqiptarët e besimit islam; kanë edhe festa e rite islame, që mbahen nga shqiptarët e konfesionit islam. Por, shqiptarët po festojnë edhe festa të shumta të tjera profane, të identitetit kombëtar, ditëve të Evropës, ditëve të kushtetutës etj.

Po ashtu, fëmijët e sotëm nuk dinë se “Halloween” apo “Dita e të vdekurve” është mbajtur dhe ende mbahet në praktikën tradicionale shqiptare si “Dita e të shumëve”. Një mori festash e ritesh të kalendarit popullor janë mbajtur deri vonë, por sot, shumë sosh nuk dihet se kanë ekzistuar apo ekzistojnë ende. Secila kulturë pëson ndryshime, nganjëherë marramendëse. Këto janë të natyrshme, diku më shumë e diku më pak. Sidoqoftë, vërehet një kërshëri e një rikthim te të rinjtë për këto shenja identitare të kulturës së mbijetojës shqipe.

Pra, darka e lamës është festë që ka mbijetuar në traditën popullore; kohën e sotme të rivitalizimit të shenjave, simboleve e praktikave specifike, ka filluar të festohet në mënyrë institucionale, të performohet nga grupe e shoqëri të caktuara.

Se si do të sillen shqiptarët, sidomos kosovarët, me ritet e tyre të vjetra mbetet të shihet, por nga pikëpamja teorike, shqiptarët performojnë mes dy poleve: traditës si relikt dhe traditës si mimetikë. Në një anë synojnë ta ruajnë dhe ta vendosin në pah reliktin e tyre si mbijetojë, në anën tjetër synojnë të ndjekin performacën e ngjasimit apo mimetikës me vendet e tjera, përmes ndryshimit të praktikave të tyre.