Azem Vllasi ka bërë mirë që e shkroi librin “Populli që shkroi historinë – vitet e zgjimit 1988-1989”. Si shtëpi botuese vendosëm ta botonim pa hamendje, ngase e besoj se është obligim i të gjithë neve, dëshmitarëve të kohës, që brezave të rinj t’ua lëmë pas versionin e historisë, ashtu siç e jetuam dhe e mbijetuam, me të gjitha të mirat e të këqijat
E gjitha nisi me një thirrje telefonike. Azem Vllasi lajmërohej nga Amerika. Më thoshte se e kishte shkruar një libër për atë kohën kur Kosova dhe populli i saj kishin mbetur pa udhëheqje.
Për ne që e kishim jetuar, ishte kjo koha kur populli organizoi protesta dhe koha kur minatorët u shndërruan në flamurtarët e rezistencës dhe të manifestimit të mospajtimit me zhvillimet politike që synonin marrjen me dhunë të të drejtave elementare të shqiptarëve.
Azemi e kishte një kërkesë – që libri ta kishte një shtojcë, e që kjo shtojcë ta përmbante aktakuzën e ngritur kundër tij dhe 14 të të akuzuarve të tjerë për, siç e thotë ky dokument, “Cenimin kontrarevolucionar të rregullimit shoqëror nga neni 114, të Ligjit Penal të RSFJ-së”.
Neni 114 i këtij ligji, që nga 1981-a, kishte qenë thuajse ekskluzivisht i rezervuar për shqiptarët në ish-Jugosllavi. Dënimet ndërlidheshin përherë me nenin 139, që mund ta ngërthente edhe dënimin me vdekje. Me vite të tëra, shqiptarëve iu shqiptuan dënime drakoniane me shumë vite burgim.
* * *
Azemi vendosi që këtë libër ta niste me një përshkrim pak a shumë historik, në përpjekje të dëshmimit të një fakti me të cilin edhe e përfundon librin: se Kosova kurrë nuk kishte qenë pjesë përbërëse e një shteti të mëvetësishëm serb. Sepse përgjatë historisë, sa herë që kishte ndryshuar rregullimi shoqëror në trevat sllave, Serbia figuronte si pjesë e një shteti të përbërë nga më shumë njësi.
Një ndalim të veçantë do ta bënte te ngjarjet e 1981-s, për të cilat disa herë e ka përsëritur, përfshirë edhe në librin paraprak, se kanë qenë çasti i kthesës drejt një krize politike që do ta dëmtonte Kosovën shumë. Në këtë segment të librit, do të konstatojë se ngjarjet e 1981-s nuk janë menaxhuar mirë nga udhëheqja politike, dhe se dënimi me shumë vjet burgim të atyre që u shpallën organizatorë të demonstratave, është dashur të jetë trajtuar si kundërvajtje për prishjen e rendit dhe të qetësisë publike.
Periudhën ndërmjet këtyre ngjarjeve dhe ngritjes së Millosheviqit do ta përshkruajë si kohën kur ndodhi ndërrimi i brezave në krye të Kosovës dhe të organeve të saj partiake, e të cilat atëbotë do të udhëhiqeshin nga politikanë në të dyzetat e hershme.
* * *
Duke e përcjellë rrjedhën kronologjike, Azemi do të ndalet te “jogurt revolucioni”. Aty do të tregojë se si nisi ai, se kush ishin personazhet kryesore dhe përse Fushë-Kosova u shndërrua në testin që duhej kaluar “vozhdi” i ri serb. Me përshkrim të detajuar, do të tregojë se qyteza kosovare u shndërrua në gjykatoren që do ta mbyste politikisht Ivan Stambolliqin dhe do ta lartësonte Millosheviqin.
Prej kësaj pike e andej, libri merr një dinamikë të fuqishme. Përshkrimet e detajuara të bisedave të zhvilluara dhe të vendimeve të marra në forumet partiake zbulojnë perfiditetin e Serbisë dhe naivitetin e Kosovës. Detajet e zbulojnë edhe çastin kur Kosova mbeti e vetmuar, pa asnjë përkrahje nga njësitë e tjera federative, ngase secili i shikonte punët e veta duke e shndërruar Kosovën në kurban. Por disa vjet më vonë, po ato republika do të bëheshin viktima të luftërave që ua shkaktoi Serbia.
Plani diabolik i Millosheviqit për ta marrë pushtetin e plotë zbërthehet në detaje në libër. Zëvendësimi i politikanëve me marioneta do të ndodhte në Vojvodinë e Mal të Zi dhe do të kulmonte në Kosovë, siç e thekson autori, në veçanti me ardhjen e Rrahman Morinës në krye në partisë. Kosovën më nuk ka kush e mbronte, pos vetë popullit me në krye minatorët.
* * *
Ndërlidhja e veprimit të politikanëve të imponuar dhe shërbimit të sigurimit shtetëror, do ta shkaktonte montimin e një procesi politik që do ta shmangte vëmendjen nga qëllimi i vërtetë i gjithë kësaj tirade, e që ishte suprimimi i autonomisë me çdo kusht.
Arrestimi, qëndrimi në burgun e Mitrovicës në pritje të aktakuzës, gjykimi dhe lirimi – janë ato rrëfime që e çojnë librin deri te shtojca e librit – te teksti i plotë i aktakuzës, që nuk mund të etiketohet ndryshe pos si një superpamflet politik, të cilin e replikuam në libër pa asnjë ndërhyrje gjuhësore a ortografike.
* * *
Azem Vllasi ka bërë mirë që e shkroi librin që e kemi sot para nesh. Si shtëpi botuese vendosëm ta botonim pa hamendje, ngase e besoj se është obligim i të gjithë neve, dëshmitarëve të kohës, që brezave të rinj t’ua lëmë pas versionin e historisë, ashtu siç e jetuam dhe mbijetuam, me të gjitha të mirat e të këqijat. Në libër përmenden shumë emra, të cilët për fat të keq nuk kanë lënë gjurmë të shkruara në formë publikimi, e me të cilat mbase edhe do të kompletohej pasqyra e gjithë asaj periudhe shikuar nga shumë pikëvështrime.
Lënia e historisë në harresë, patjetër se lë hapësirë, ashtu siç ka lënë edhe në të shkuarën, që dikush ta rishkruajë apo ta retushojë historinë sipas interesit të çastit e jo të së vërtetës.
Fjala e lexuar në përurimin e librit “Populli që shkroi historinë – vitet e zgjimit 1988-1989” të Azem Vllasit, më 8 qershor, 2023