Në Ulqin lindi, u shkollua dhe jetoi deri në moshën 25-vjeçare hafiz Ali Riza Ulqinaku (1855-1913), personaliteti më i njohur nga Ulqini gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai ishte dëshmitar okular i ngjarjeve të kohës, madje si shumë ulqinakë të tjerë, edhe ai me zemër të thyer emigroi nga Ulqini duke u vendosur në Shkodër. Deri në nëntor të vitit 1880, ishte dëshmitar okular i ngjarjeve të ndodhura në Ulqin dhe rrethinën e tij. Ai ishte i informuar me paraskenat e prapaskenat që po i përgatiteshin Ulqinit
Në kuadër të Perandorisë Osmane, përkatësisht të Vilajetit të Shkodrës, Ulqini përjetoi zhvillimin më të madh ekonomiko-shoqëror gjatë shekujve XVIII-XIX. Të dhënat demografike dhe ekonomike të kohës dëshmojnë se Ulqini ishte qyteti kryesor i Shkodrës në bregdetin e Adriatikut. Por, pikërisht në shekullin XIX, ky qytet përjetoi një dekompozim si në aspektin ekonomik dhe atë demografik sidomos gjatë viteve 1878-1880. Janë pikërisht ngjarjet e zhvilluara gjatë këtyre viteve, me përmasa regjionale e gjeostrategjike qe ishin dramatike për qytetin e Ulqinit, sepse dolën në pah interesat e Fuqive të Mëdha. Kështu në sajë të një presioni të vazhdueshëm ndaj Perandorisë Osmane e detyruan atë që t’ia dorëzojë Ulqinin Malit të Zi (nëntor 1880). Edhe pse shqiptarët rezistuan, madje duke luftuar më armë në dorë, ishin rrethanat ndërkombëtare të kohës që sakrifikuan Ulqinin për qëllimet e tyre gjeostrategjike.
Pikërisht në këtë kohë në Ulqin lindi, u shkollua dhe jetoi deri në moshën 25-vjeçare hafiz Ali Riza Ulqinaku (1855-1913), personaliteti më i njohur nga Ulqini gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai ishte dëshmitar okular i ngjarjeve të kohës, madje si shumë ulqinakë të tjerë edhe ai me zemër të thyer emigroi nga Ulqini duke u vendosur në Shkodër.
Por, me këtë rast ne nuk do të trajtojmë veprimtarinë e tij krijuese e arsimore, por disa aspekte socio-gjeografike të kohës të cilat padyshim kanë ndikuar në formimin e tij personal dhe intelektual, sepse deri në nëntor të vitit 1880 ishte dëshmitar okular i ngjarjeve të ndodhura në Ulqin dhe rrethinën e tij. Ai ishte i informuar me paraskenat e prapaskenat që po i përgatiteshin Ulqinit, ku ishte pjesë e njësiteve luftarake për mbrojtjen e qytetit të Ulqinit, por siç dihet, e pësoi nga interesat e Fuqive të Mëdha kundër Perandorisë Osmane.
Fizionomia urbane e qytetit
Pas pushtimit nga ana e venedikasve prej një shekulli e gjysmë (1421-1571) në kuadrin e Perandorisë Osmane qyteti i Ulqinit ishte një periudhë më të gjatë kohore prej me tepër se tre shekujsh (1571-1880). Ishte kjo periudha kohore e cila ndryshoi dukshëm fizionominë e qytetit, që është i njohur me emrin e stilin oriental. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe kemi edhe zgjerimin territorial të qytetit, nga Kalaja në perëndim në drejtim të mëhalla e Merasë, në lindje.
Është dokumentuar se gjatë shekullit XIX, qyteti i Ulqinit arriti lulëzimin e vet më të lartë ekonomik, duke qenë qyteti më i zhvilluar në pjesën bregdetare të Vilajetit të Shkodrës. Ndryshimi i fizionomisë urbane filloi me ndërtimin e objekteve të kultit (xhamia, kisha), hamameve, mejtepeve, medresesë, kullës së sahatit, objekteve të banimit e të tjera.
Sipas të dhënave të disponuara nga shekulli XVII e më pas në kategorinë e objekteve të kultit janë ndërtuar 9 xhami dhe 2 kisha. Sipas viteve të ndërtimit janë ndërtuar: Xhamia e Lamit (1689) Xhamia e Pashës (1719), Xhamia e Mazgjahit (1728), Xhamia në Krye të Pazarit (1749), Xhamia në Mera (1779), Xhamia e Bregut (1783). Këtyre duhet shtuar edhe Xhaminë e Marinarëve, xhaminë në Kala (nga kishë në vitin 1510, e shndërruar në xhami në vitin 1693) si xhaminë e Meterizit (të cilën pas vitit 1880 pushteti malazez e transformoi në kishë ortodokse). Në kuadër të tyre objekteve të kultit janë edhe kisha ortodokse në Mal të Bardhë (1869) dhe kisha katolike po aty (1875).
Pikërisht në një ambient të tillë tipik oriental, me popullsi pothuaj absolute shqiptare të konfesionit islam 160 vjet më parë lindi Ali Riza Ulqinaku, personaliteti më i madh i Ulqinit gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Veprimtaria ekonomike e popullsisë
Në sajë të pozitës së vet gjeografike, popullsia e Ulqinit më shekuj si veprimtari parësore ekonomike ka pasur detarinë, përkatësisht tregtinë e cila është zhvilluar jo vetëm në kuadër të detit Adriatik, por edhe më gjerë. Po ashtu, popullsia është marrë edhe me bujqësi dhe ullishtari, sepse prodhimi i vajit të ullirit ka qenë ndër më cilësorët në regjion. Nuk ka dilemë se popullsia e qytetit është marrë me zejtari sepse ajo ishte veprimtaria e cila ka plotësuar nevojat e popullsisë vendore dhe të zonës së vet gravituese. Përveç popullsisë vendore, në detari kanë qenë të angazhuar edhe të tjerë të cilët ulqinakët i kanë paguar si punëtorë apo ishin të rrëmbyer si robër në sajë të veprimeve të kusarisë e cila ka qenë e njohur për kohën. Një e dhënë e tillë dëshmohet me faktin se të dhënat për kohën flasin se Ulqini kishte disa mijëra veta në ekuipazh të anijeve të tyre tregtare.
Gjatë shekullit XIX, Ulqini ka luajtur rol të veçantë në tregtinë e jashtme shqiptare. Madje për këtë kohë si Ulqini, Tivari, Oboti dhe Shëngjini, kanë paraqitur bazën e tregtisë në Veriun shqiptar. Madje studiuesi francez A.Vickenel, Ulqinin dhe Tivarin i rendiste ndër portet më të shquara shqiptare. Ulqini kishte rol të veçantë në sistemin e lundrimit detar me Shkodrën. Sipas të dhënave të kohës, aty jetonin 6000-8000 banorë, që kryesisht merreshin me lundrimtari dhe me tregti. Ulqinakët me anijet e tyre vizitonin jo vetëm portet shqiptare, por të gjitha portet e Detit Adriatik, të Detit Jon e të Mesdheut. Tregtarët e Ulqinit ndiqnin panairet italiane të Rekanatit, Ankonës, Sinigalias dhe të Leipzigut në Gjermani, ku merreshin me shitblerjen e gjërave të çmueshme. Por, për tregtarët e bregdetit shqiptar, Ankona, ishte më e preferuara, pasi ajo si port i hapur, ishte më e lirë dhe pa pengesa. Numri i njësive lundruese në Ulqin ka ndryshuar nga njëri shekull në tjetrin. Kështu sipas disa të dhënave, del se në shekullin XVII Ulqini kishte 500 velanije, duke qenë qyteti kryesor i Perandorisë Osmane në bregdetin e Adriatikut.
Ndërsa në fillim të shekullit XVIII, flota ulqinake kishte rënie në numrin e njësive lundruese ku në gjirin e saj ishin gjithsej 250-300 barka të mëdha e të vogla, që drejtoheshin nga një ekuipazh shqiptar prej 5000 a 6000 vetash. Por, me rritjen e tregtisë së jashtme në Shkodër, flota ulqinake në vitin 1848 kishte 400 njësi të ndryshme lundruese, numër i cili pothuaj mbeti konstant deri në vitin 1880, kur Ulqini kalon nën administrimin e Malit të Zi.
Ishte pikërisht ky vit fatal që ndikoi në zvogëlimin e numrit të njësive lundruese, sepse në kuadër të popullsisë së emigruar në Shkodër e Durrës, një numër i konsideruar i tyre ishin pronar të anijeve. Nga ajo kohë, Ulqini humbi imazhin e qytetit kryesor bregdetar në Vilajetin e Shkodrës, me pasoja të mëdha ekonomike e demografike për popullsinë vendore shqiptare.
Dominimi i popullsisë shqiptare
Të dhënat e para në shekullit XIX, në lidhje me popullsinë e qytetit të Ulqinit i përkasin viteve ‘30, ku ceket se ky qytet kishte 6000-7000 banorë. Nga kjo kohë e më vonë ekziston një vakum në këtë drejtim, deri në vitin 1863-64, ku theksohet se Ulqini kishte 453 shtëpi, e nga ato 451 ishin shtëpi myslimane dhe 2 ortodokse, ndërsa për lagjen “Mera” thuhet se ishin 7 shtëpi, prej tyre 6 katolike dhe 1 ortodokse. Të dhëna për këtë vit ekzistojnë edhe për Shtojin, i cili kishte 21 shtëpi, të gjitha katolike. Ndërsa për pesë fshatra të tjera më të afërta thuhet se kishin 86 shtëpi myslimane, 87 katolike, apo gjithsej 173 shtëpi.
Pas një rezistence të lavdishme gati dymujore (14.11.1877-10.1.1878), Tivari u bë shkrumb e hi dhe u pushtua nga forcat malazeze, por ato nuk ishin të ngopur me kaq, andaj të përgatitur për aspiratat pushtuese u nisën në drejtim të jugut dhe të lindjes. Kështu nga 17-18 janari i vitit 1878, Ulqini pushtohet nga forcat malazeze, të cilat djegin qytetin si dhe vetë çarshinë. Ato këtu qëndrojnë deri më 8.2.1879, sepse sipas vendimeve të Kongresit të Berlinit, neni 29, Ulqini mbetet nën sovranitetin e Perandorisë Osmane.
Në rrethana të tilla, në një situatë të re kemi emigrimin e parë të popullsisë nga qyteti i Tivarit, Krajës dhe Ulqinit. Popullsia e shpërngulur është shqiptare kryesisht e konfesionit islam, por ka pasur edhe myslimanë sllavofolës, sidomos nga qyteti i Tivarit. Popullsia e emigruar është vendosur kryesisht në Shkodër. Kështu, në sajë të të dhënave, nga Ulqini, pas rënies së tij nën Mal të Zi në janar të vitit 1878, janë larguar 143 familje dhe janë vendosur në Shkodër.
Të dhënat lidhur me numrin e banorëve të qytetit të Ulqinit duke filluar nga kjo kohë janë më të shumta, sepse ai në sajë të qëndrimit të Fuqive të Mëdha ishte në qendër të veprimit të diplomacive ndërkombëtare të shteteve përkatëse. Francezi Bozhur thekson se Ulqini në shekullin XIX kishte 6000 banorë, ndërsa më 1878 Gopçeviqi jep shifrën 8000 banorë. Për vitin 1880, na jepet e dhëna prej 5000 banorëve.
Nga ana tjetër, nahia e Mërkotit kishte 315 shtëpi, të gjitha myslimane. Po këtë vit nahia e Krajës kishte 1100 shtëpi, me këtë përbërje konfesionale: 700 myslimane, 150 katolike dhe 250 ortodokse. Por, siç do të shohim më vonë në sajë të rrethanave të reja shoqërore, këto raporte të strukturës kombëtare të popullsisë do të ndryshojnë në disfavor të popullsisë shqiptare, e në veçanti ka të bëjë me qytetin e Tivarit.
Struktura etnike e popullsisë në këtë mjedis sidomos në viset shqiptare, filloi të ndryshojë pas vendimeve të Kongresit të Berlinit 1878, pas vitit 1880, e po ashtu edhe më vonë pas viteve 1912-1913, sepse këto vise kaluan nën administrimin e Malit të Zi. Nga një gjendje e re e krijuar me pushtetarët e rinj, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë emigroi në Shkodër e gjetiu. Emigrimi i popullsisë pati përmasa të mëdha, sidomos në qytetin e Ulqinit, ku pas vitit 1880, u shpërngulën nga qyteti 413 familje me rreth 3000 banorë, duke u vendosur kryesisht në Shkodër, por edhe në Durrës.
Ndryshimi i strukturës nacionale të popullsisë
Me aneksimin e territoreve të reja pas viteve 1878 dhe 1880, politika shtetërore malazeze kishte vendosur objektiva të qarta në lidhje më këto territore. Çështje parësore ishte ndryshimi i strukturës etnike të popullsisë në këtë mjedis. Kështu më urdhër të Simo Popoviqit, i cili ishte në funksionin e guvernatorit të parë të Ulqinit, organet e pushtetit malazez ia filluan punës për regjistrimin dhe matjen e sipërfaqes tokësore që duhej të kolonizohej.
Në lidhje më këtë çështje në mënyrë mjaft transparente na dëshmon letra e vojvodë S. Popoviqit që ia dërgonte ministrit të Punëve të Jashtme, ku thuhet: ”Rrethi i Ulqinit për ne është i huaj. Të gjithë këtu janë turq (shqiptarë të konfesionit islam, N.D.) dhe malësorë. Kujdesi ynë i parë, për arsye të shumë shkaqeve, duhet të jetë që banorët vendës t’i asimilojmë dhe atë sa më parë në dy mënyra: me anë të kolonizimit, duke vendosur këtu 4-5 mijë familje malazeze dhe me anë të hapjes së shkollave. Kolonizimi do të arrihet kur të shpërngulën malësoret nga ky vend. Kur të realizohet ky projekt, atëherë ky rajon i bukur dhe i pasur do të jetë krejtësisht dhe përgjithmonë i Malit të Zi. Deri sa të mos realizohet ky qëllim, nuk kemi së çka të gëzohemi”.
Një përmbajtje e tillë nuk meriton të analizohet, sepse çdo gjë është transparente, por i mbetej pushtetit të ri ta realizojë në praktikë kolonizimin e këtyre territoreve me popullsi sllave.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë