Si në çdo institucion ndodh të kemi mospajtime dhe raste të plagjiaturës, pasi që Hasan Kaleshi vdiq papritmas në moshën 54-vjeçare më 19.07.1976, duke lënë vakum në Orientalistikë, pasi që ende nuk kishte thirrje shkencore në staf. Kështu, në mungesë të tij ka mundur të ndodhin lëshime, sikurse për këtë rast që do ta përmend këtu pasi që u bë publik në shtypin arab, sepse ishte e lidhur me një temë të magjistraturës që u mbrojt në Universitetin e Kuvajtit më 1978
Kohëve të fundit u aktualizua dukshëm fenomeni i plagjiaturës në Universitetin e Prishtinës që cila mori përmasa shqetësuese, gjë që u pa në procesin për zgjedhjen e rektorit të ri për UP. Kështu, kandidati për rektor prof. dr. Ilir Tolaj në paraqitjen e tij u zotua se nëse zgjidhet “tema kryesore e çdo programi do të jetë plagjiarizmi”, sepse “ka nevojë të rishikohet kodi etik dhe UP-ja duhet të ketë kritere të veta për këtë kategori”. Edhe pse prof. Tolaj nuk u zgjodh rektor, por tani kjo temë u aktualizua mjaft dhe tani pritet që rektori i ri prof. dr. Qerim Qerimi, të tregojë të veten në lidhje me këtë fenomen që e dëmtoi imazhin e UP-së viteve të fundit.
“Kundër plagjiatëve” më 1951
Me këtë rast, duke shënuar 100-vjetorin e akademik Hasan Kaleshit (1922-2022) dhe 50-vjetorin e themelimit të Degës së Orientalistikës, vlen të përkujtohet se ai ishte i pari në Kosovë që e shtroi këtë çështje në shtypin tonë. Kështu, ai qysh më 1951 në numrin 5 të revistës “Jeta e re” u paraqit me artikullin “Kundër plagjiatëve” (fq. 289-297) duke demaskuar rastet e para në Kosovë me hovin e botimeve të reja në Kosovë pas vitit 1945. Po më duket se Kaleshi ishte i pari që e ka përdorur këtë term (plagjiat) në Kosovë dhe e demaskoi këtë fenomen që sapo u paraqit atëherë në jetën tonë kulturore.
Në mesin e gati 400 njësive të botuara të Kaleshit në gjuhë të ndryshme, kemi nja 40 recensione të botimeve të ndryshme që veçohen me frymë objektive, herë-herë kritike dhe demaskuese. Me themelimin e Degës së Orientalistikës më 1973 ai kishte kujdes për zgjedhjen e stafit, duke u përballur me presione politike për angazhimin e “partizanëve” të luftës, dhe për punë shkencore në nivel të lartë. Ndaj, nuk çudit që prej bashkëpunëtorëve dhe studentëve të tij dolën emra që u dalluan me kontributin e tyre shkencor në Kosovë e më gjerë (akad. Feti Mehdiu, akad. Esad Durakoviq, prof.dr. Mehdi Polisi, prof.dr. Irfan Morina, prof. dr. Aladin Husiq e të tjerë).

Mirëpo, si në çdo institucion ndodh të kemi mospajtime dhe raste të plagjiaturës, pasi që Kaleshi vdiq papritmas në moshën 54-vjeçare më 19.07.1976, duke lënë vakum në Orientalistikë, pasi që ende nuk kishte thirrje shkencore në staf. Kështu, në mungesë të tij ka mundur të ndodhin lëshime, sikurse për këtë rast që do ta përmend këtu pasi që u bë publik në shtypin arab, sepse ishte e lidhur me një temë të magjistraturës që u mbrojt në Universitetin e Kuvajtit më 1978. Fjala është për kolegun tani më prof. dr. Ismail Ahmedi dhe tema e tij “Kultura arabe-Islame në Maqedoni dhe Kosovë nga fillimi i shekullit XV deri në fund të shekullit XVIII”. Sa për kolegun nuk mund të flas asgjë më tepër pas atij shkrimi të hollësishëm të prof. dr. Agim Vincës “Tetovari nga Tirana” (Zëri i shqiptarëve 25. 11. 2009) që paraqiste risi në relacionin shkencë-pushtet në trevat tona.
Zbardhja e enigmës
Në pranverë 1977 kolegu, atëherë asistent i Kaleshit për letërsinë arabe, më tha se kishte marrë letër nga mentori i tij prof. dr. Ahmad Matlub, duke i kërkuar të kontaktojë me mua pasi që ai kishte lexuar një punim timin në arabisht. Kuptohet, unë menjëherë ia dhashë punimin tim “Arabizmat në gjuhën shqipe”, për çka më falënderoi shumë pasi që e kishte si nënkaptinë në temën e tij për magjistraturë.
Më 1978 kolegu I. Ahmeti e mbrojti temën e magjistraturës në Universitetin e Kuvajtit dhe u kthye në Orientalistikë për t’u paraqitur më vonë për ligjërues. Kuptohet të gjithë ia kemi uruar mbrojtjen me sukses. Mirëpo, pasi kaluan shumë ditë, vërejta se kolegu nuk më ofroi një kopje të temës që ta shoh si e ka trajtuar nënkaptinën “Arabizmat në gjuhën shqipe”, pasi ma kishte marrë punimin e përmendur. Kureshtja u shndërrua në dyshim pasi mora vesh se ai ua ka dhuruar disa kolegëve nga një kopje të temës së magjistraturës.
Kështu, puna ka mbetur shumë vjet deri kur kolegu akademik Feti Mehdiu shkoi në Emiratet e Bashkuara Arabe në nëntor 2022 për ta promovuar librin e tij “Letërsia arabe në gjuhën shqipe” në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Sharje/Sharika. Duke e përcjellë Panairin vërejta se Instituti i Sharikës për Trashëgimi e kishte botuar më 2021 librin e Ismail Ahmedit “Kultura arabe-islame në Maqedoni e në Kosovë prej shekullit XV deri në shekullin XVIII”. Ky botim më nxiti ta kërkoj origjinalin e kësaj pune, përkatësisht temën e magjistraturës e cila do të ishte referencë për çdo diskutim a vendim.
Puna nuk ishte e lehtë, pasi që Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Arabe në Universitetin e Kuvajtit nuk kishte më origjinalin sepse forcat irakiane kur e pushtuar Kuvajtin në gusht 1990 plaçkiten çdo gjë në Universitete dhe në institucionet tjera. Një koleg që punon në atë Degë pasi që më dha këtë informatë ma dha një tjetër që një kopje tjetër origjinale ruhet në Bibliotekën e Universitetit të Kajros, sepse deri më 1986 çdo kopje e mbrojtur në universitetet arabe dërgohej në Kajro. Megjithatë, duke pritur procedurën e komplikuar për ta siguruar një kopje të atij origjinali, papritmas e gjeta një kopje origjinale të një kolegu në Prishtinë, për çka do t’i jem mirënjohës për zgjedhjen e kësaj enigme prej vitit 1978.
Tani, pasi që kjo çështje u bë publike në shtypin arab dhe në kompetenca të institucioneve universitare dhe gjyqësore gjegjëse, vlen të përmendet se mu ky punim im “Arabizmat në gjuhën shqipe” u plaçkit nga Beqir Ismaili për ta paraqitur temën e magjistraturës, “Ndikimi i gjuhës arabe në gjuhën shqipe” që e mbrojti në Universitetin e Hapur Amerikan në Kajro më 1999, si dhe në disertacionin e doktoratës me të njëjtin titull që e botoi në Kajro më 2016 kur u paraqit atje si Ambasador i Republikës së Kosovës në Kajro, ndonëse midis Egjiptit dhe Kosovës nuk kishte atëherë (e as tani) marrëdhënie diplomatike.
Padia dhe rikthimi i librit
Mirëpo, padia kundër plagjiatorit shkoi lehtë dhe mori fund me vendimin e Gjykatës Ekonomike të Kajros më 30.01.2019 me të cilin u vërtetua plagjiatura dhe u dënua plagjiatori me 15 mijë funte. Kur doli kjo çështje në faqen e parë të “Kohës Ditore” me titull “Akademia diplomatike drejtohet nga një plagjiator” më 29 maj 2019, ministri Behgjet Pacolli e thirri atë dhe e detyroi ta japë dorëheqje dhe e dërgoi më vonë jashtë vendit. Por, me qeverinë e re “për sundim të ligjit” i njëjti u kthye në detyrën që e kishte, pra në krye të Akademisë Diplomatike në MPJ. Ndërkohë, shtypi arab shkroi disa herë për këtë rast, kuptohet pa asnjë reagim të plagjiatorit, gjë që jepte një imazh jo të mirë për vendimmarrje në Kosovë.
Sidoqoftë, rast i temës së magjistraturës së Ismail Ahmedit, “Kultura arabe-islame në Maqedoni e Kosovë” meriton një shkrim tjetër pasi që tani u botua si libër. Vërtetë, ai u botua së pari arabisht në Shkup më 2020 nga “Logos A”, kurse një vit më vonë u botua në Sharika dhe u promovua më 10 prill 2021 në prani të ambasadorit të Maqedonisë së Veriut. As në botimin e Shkupit as në botimin e Sharikës nuk përmendet se është temë e magjistraturës e mbrojtur në Kuvajt më 1978. Për më tepër, Instituti i Sharikës për Trashëgimi papritmas e tërhoqi librin prej qarkullimit, kështu që tani na mbeti vetëm një foto nga promovimi i librit në Sharika në prani të ambasadorit të Maqedonisë së Veriut. Me fjalë të tjera, nuk është më rasti për një temë të magjistraturës me një kopje të vetme në Bibliotekën e Universitetit të Kajros, por një libër që u bë tani publik, pra që u nënshtrohet kritikave shkencore.