Duke qenë në lidhje të ngushtë më Xhafer Devën prejse ai arriti në SHBA më 1967 e deri në vdekje më 1978, e duke gëzuar qasjen në tërë korrespodencën e pasur në 7 gjuhë (shqip, anglisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht, turqisht e serbisht), mund të mendohet ç’risi na solli Idriz Lamaj në librin e tij “Xhafer Deva në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të mërgatës”
Xhafer Deva (1904-1978) është një prej figurave kombëtare të shekullit XX, i cili dallohet me tri imazhe të ndryshme të tri gjeneratave të shekullit XX dhe XXI. Te gjenerata e parë ai mbahet në mend si bartës i ideologjisë kombëtare, përkatësisht për bashkimin kombëtar që u paraqit me Ligën e Dytë të Prizrenit dhe me Shqipërinë etnike më 1943, ku zuri postin e ministrit të Brendshëm deri kur forcat komuniste shqiptare e jugosllave e morën pushtetin në vjeshtën e vitit 1944 dhe riprodhuan një Jugosllavi të re. Te gjenerata e dytë, si në Shqipëri, ashtu në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore, e në sajë të qasjes tejet ideologjike të historisë, Xhafer Deva u paraqit si “kriminel” qoftë në shtyp ose në tekstet shkollore dhe në “studimet shkencore” nga një “regjim kriminal” që tani po dihet në bazë të dosjeve sekrete të zbuluara se ç’krime bëri kundër figurave kombëtare dhe intelektualëve të kohës deri më 1990. Mirëpo, pas transformimeve politike e demokratike në Shqipëri e në Kosovë, figura e Xhafer Devës filloi të trajtohej më ndryshe te gjenerata e re e historianëve në bazë të burimeve të reja që u zbuluan dhe u botuan.
Duke marrë parasysh faktin se Xhafer Deva kaloi pjesën më të madhe të jetës politike në mërgim, në Itali, Siri dhe në SHBA, ku zhvilloi një aktivitet të madh politik dhe organizativ për bashkimin e opozitës antikomuniste në mërgim, nga kontributi i tij për formimin e komitetit "Shqipëria e lirë" si qeveri në mërgim më 1949 e deri në formimin e Lidhjes së Prizrenit në Mërgim më 1962 që e drejtoi deri në vdekje më 1978, arkivi i tij i pasur personal ishte burimi i dorës së parë për aktivistin dhe historianin Idriz Lamaj, i cili e botoi në New York më 2002 librin “Xhafer Deva në dritën e letrave dhe zbulesa tjera të mërgatës”. Përkundër vlerës që e kishte libri, ky botim – sikurse shumë botime në mërgim – nuk u prezantua dhe nuk u shfrytëzua sa duhet në prodhimin e ri shkencor në Kosovë pas çlirimit më 1999. Mu për këtë botuesi kosovar “Dija” bëri mirë që e nxori këto ditë një botim të ri të këtij libri, me disa shtesa të reja, gjë që do të ndihmojë që të kemi një imazh tjetër për Xhafer Devën me rastin e shënimit të 45 -vjetorit të vdekjes.

Hapja e arkivave për botime origjinale
Vlera e këtij libri buron edhe nga vetë autori, përkatësisht shkrimtari dhe historiani Idriz Lamaj, i cili u dëshmua më parë me disa botime origjinale qoftë në anglisht ose në shqip. Këtu vlen të përmendet se autori u lind më 1947 në Malësi të Gjakovës në një familje me traditë “për ruajtjen e bashkimit kombëtar”, ndaj me ardhjen e Partisë Komuniste në pushtet, xhaxhai i tij mbeti me pushkë në dorë deri më 1949 kurse i ati u detyrua të kalojë në Kosovë më 1951. Në Pejë, Idrizi e kreu shkollën e mesme, por përjetoi njëkohësisht gjendjen e shqiptarëve në Kosovë në kohën e A. Rankoviqit, ndaj iku në Itali e prej atje vazhdoi rrugën në Francë e më tej në SHBA, në fund të vitit 1967. Duke shkuar me garanci të komitetit "Shqipëria e Lirë" e duke punuar në të nja njëzet vjet me figurat e njohura kombëtare (Hasan Dosti, Xhafer Deva, Rexhep Krasniqi etj.) dhe duke pasur në dorë shumë dokumente në shqip e anglisht ai nxori shumë botime në shqip (Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë” 1949-1956, “Xhafer Deva në dritën e letrave të veta”, “Vatra dhe vatranët” etj) e anglisht (“Albanian and Yugoslav Parti and State Relationshqip”, “Albanian-Montenegrian Conflict over Plava and Gucia 1879-1880”). Prej këtij arkivi të pasur personal ai ia dhuroi Arkivit të Kosovës nja 15 mijë dokumente më 2019 që kanë të bëjnë me komitetin "Shqipëria e Lirë" që i solli në SHBA nja 15 mijë emigrantë shqiptarë, gjë që përforcoi praninë shqiptare atje me fuqi politike dhe intelektuale. Kuptohet, vitet që i kaloi I. Lamaj në Kosovë mbeten në shpirt duke përcjellë gjendjen e shqiptarëve atje, e duke afirmuar krijimet e shkrimtarit disident Adem Demaçit, “Gjarpinjtë e gjakut dhe novela tjera” sa ishte në burg.
“Unë jam Xhafer Deva, kriminel i popullit!”
Kështu, duke qenë në lidhje të ngushtë më Xhafer Devën prejse ai arriti në SHBA më 1967 e deri në vdekje më 1978, e duke gëzuar qasjen në terë korrespodencën e pasur në 7 gjuhë (shqip, anglisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht, turqisht e serbisht), mund të mendohet ç’risi na soli Idriz Lamaj në librin e tij.
Vetë Lamajt në libër i kujtohet mirë kur shkoi me drojë në takimin e parë me Devën, por kjo drojë iu thye kur Deva iu prezantua me një dozë humori: “Unë jam Xhafer Deva, kriminel i popullit!” Punoi në sajë të lidhjes së ngushtë personale për një dekadë dhe qasjen në korrespodencën e tij në disa gjuhë me figurat shqiptare nëpër botë si dhe me figurat evropiane dhe amerikane të involvuar për çështjen shqiptare pas Luftës Botërore.
Kaptina e parë “Jeta dhe veprimtaria e Xhafer Devës në mërgim” sjell risi duke ndriçuar ato “vite siriane” (1947-1948) kur u paraqit në skenën politike “Grupi Kosovar” dhe organi i tij Bashkimi i Kombit në Damask, si dhe ato “vite egjiptiane” (1948-1949), kur u bë kryetari i Kuvendit të Aleksandrisë që mblodhi partitë shqiptare antikomuniste për të formuar njëfarë qeverie në mërgim, gjë që u kurorëzua më 1949 me formimin e Komitetit Shqiptar “Shqipëria e Lirë” në krye me Mit’hat Frashërin. Në këto negociata për formimin e një trupi që përfaqësonte shqiptarët në Botën e lirë, Deva kishte mandat prej “Grupit Kosovar” që Kosova me trojet e tjera shqiptare në Jugosllavi, të përfaqësohen drejtpërdrejt, pra jo me individë nëpër parti të ndryshme shqiptare që përfaqësonin Shqipërinë e 1912-s. Me fjalë të tjera, siç konstaton I. Lamaj, Deva “ndikoi zhdrejtasi që çështja e Shqipërisë etnike të mos ndahej prej problemit të shtetit të cunguar shqiptar” (fq. 16).
Parashutistët në Shqipëri, planet për qendër sekrete në Kosovë
Ç’është e vërteta, Deva nuhati me kohë pasojat e konfliktit Tito-Stalin më 1948, me çka Perëndimi tani në Luftën e Ftohtë ishte për forcimin e jo për shkapërderdhjen e Jugosllavisë. Në këtë kontekst, kur bënë planet për një operacion të përbashkët ushtarak amerikano-britanik gjatë 1949-1951 për nxitjen e rezistencës antikomuniste në Shqipëri, Deva insistoi që këto plane të përfshinin Kosovën. Më gjerësisht për këtë përpjekje autori na sjell risi në dy kaptina: “Parashutistët e Xhafer Devës hyjnë në Kosovë” dhe “Përpjekja e Xhafer Devës për krijimin e një qendre sekrete informimi në Kosovë në shërbim të amerikanëve”.
Për lidhjet e Devës me amerikanët, përkatësisht me CIA-në në Luftën e Ftohë që paraqiste një shpresë për mbytjen e regjimit komunist në Shqipëri si pikënisje për një ndryshim gjeopolitik në rajon, shihet se Deva qysh gjatë qëndrimit të tij në Damask 1947-1948, ishte në lidhje me amerikanët dhe për këtë mori pjesë aktive për bashkimin e forcave politike shqiptare gjatë 1948-1949, duke kaluar më vonë në Itali prej nga e përcillte operacionin për hedhjen e parashutistëve në Shqipëri gjatë 1949-1951. Më vonë (1956), pas dështimit të operacionit, Deva kaloi në SHBA- ku zhvillon me të madhe aktivitetin e tij politik në mesin e mërgatës në vendin që kishte tanimë qasje permanente në elementin shqiptar gjatë Luftës së Ftohtë. Në këtë kontekst, u formua në New York më 1962 Lidhja e Prizrenit në Mërgim që e drejtoi Deva deri në vdekjen e tij më 1978.
Pas botimit të parë të librit më 2002, historianët e ish-regjimit komunist në Shqipëri e cilësuan këtë libër si “një tentativë mjerane, dëshpëruese për të rehabilituar emrin kobzi të Xhafer Devës” (Arben Puto,2011), i cili mbeti për ta “kuisling” dhe “terrorist” duke aluduar për bashkëpunimin e tij me gjermanët dhe postin që e zuri si ministër i Brendshëm në Shqipërinë etnike gjatë 1943-1944. Mirëpo, në botimin e ri kosovar të librit, I. Lamaj diskuton ndryshe këtë çështje duke nisur se Deva, sikurse shumë të tjerët, nuk ishin pro nazizmit, por e vlerësuan se gjendja e re (Shqipëria etnike) nuk ishte “kundër interesave të popullit”. Me fjalë të tjera, Deva “si shumë të tjerë në atë kohë kishte bindjen se vendosja e regjimit komunist qe më e rrezikshme për Shqipërinë sesa lufta ndaj një Gjermanie naziste që po tërhiqej e mundur” (fq.229). Këtë e kishin të qartë amerikanët që në atë kohë, siç del në raportin e ambasadorit amerikan në Kajro më 1944 për Xhafer Devën dhe Rexhep Mitrovicën si “njerëz me reputacion që e kanë pranuar nga zori aleancën me gjermanët”, kurse “në të vërtetë janë miq të Anglisë dhe të Amerikës” (fq. 229).
Me këto shtesa të reja në botimin kosovar të librit na duket se tani është koha të reflektohet më ndryshe në figurën e Xhafer Devës, duke kaluar atë imazh për Devën se “kriminel” që e ka prodhuar një “regjim kriminel”, e duke ia dhënë vendin që e meriton pa glorifikime me rastin e 45-vjetorit të vdekjes.