Shtojca për Kulturë

Regjimi serb në përpjekje të kota për mbulimin e krimit në Reçak

Serbët ishin veçanërisht të indinjuar me deklarimet e William Walkerit, të cilat me shpejtësi depërtuan në mediumet dhe qendrat e kancelarive perëndimore dhe në këtë situatë ishin të kota përpjekjet për ta mbuluar krimin në Reçak. Megjithatë, ata vazhduan me ekspertët e tyre ligjorë, që në fakt si në regjimin nazist ishin në shërbim të politikës së regjimit të Miloshevqit, përmes të cilëve u munduan ta bindin opinionin se nga hetimi i një ekipi mjeko-ligjor serb “doli në përfundimin se të vdekurit nga Reçaku u qëlluan nga larg dhe kishin dëshmi të barutit në duart e tyre”. Natyrisht, Perëndimi i hodhi poshtë gjetjet e ekipit

Një fakt që tregon se Beogradi nuk kishte asnjë interes për hetime të pavarura, është sulmi i serishëm në Reçak i njësiteve të Ministrisë së Brendshme serbe më 17 janar dhe moslejimi i asnjë vëzhguesi ndërkombëtar të futej atje. Në përpjekje tjetër për të fshehur krimin, autoritetet serbe pos që ia ndaluan hyrjen Louis Arbourit, morën urdhër që të hynin përsëri në fshat dhe të merrnin sërish trupat e civilëve të vrarë. Forcat serbe për të dytën herë me radhë lansuan sulmin kundër fshatit më 17 janar dhe në ditët e ardhshme ata morën trupat nga xhamia e fshatit dhe i transferuan ato në morgun e Prishtinës. Në këtë linjë, udhëheqësit e lartë serbë bënë përpjekje që vrasja dhe ekzekutimi i shqiptarëve t’i vishej ndonjë grupi të pavarur dhe të armatosur, i cili kinse kishte hyrë në atë zonë dhe i kishte sulmuar banorët e Reçakut, pas largimit të trupave qeveritare serbe. Sajesa të tilla ka pasur për një varg masakrash të tjera në Kosovë, ku shteti dhe gjyqësia serbe në përpjekje për të shmangur përgjegjësinë e kreut shtetëror serb për krime në Kosovë shpesh kanë provuar që autorët dhe përgjegjësit e vrasjeve t’i paraqesë si aksione të grupeve të pavarura paraushtarake.

Kështu, Beogradi, pasi i mohoi vizën dhe nuk lejoi që Arbour të vizitonte vendin e ngjarjes, i nisi përfaqësuesit e vet, të udhëhequr nga gjyqtarja hetuese Danica Marinkoviq, të cilën e përcolli policia deri te vendi i ngjarjes, disa ditë më vonë. Ish-prokurori i Tribunalit të Hagës, Behar, pohon se Marikoviqit iu prezantua një skenë e përgatitur ndryshe - të vetmit trupa që ekipi i saj kishte hetuar ishin zhvendosur në xhami dhe nuk dëshmonin të ishin qëlluar në kokë. Asnjëri nga anëtarët e ekipit të saj nuk e kishte parë hendekun ku ishin gjetur njëzet trupat. Hetimi i pretenduar i ngjante një përpjekjeje institucionale për fshehje të krimit. Në fakt, teksa po bëheshin autopsitë, Marikoviq u kishte deklaruar gazetarëve se “trupat e terroristëve nuk janë masakruar”.

Paralajmërimet e NATO-s

Pavarësisht kërkesave të sekretarit të përgjithshëm të KB-së, Kofi Annan, autoritetet serbe nuk i kishin lejuar hyrjen në Kosovë më 18 janar 1999 ekipit të kryeprokurores së Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës për Krime të Luftës, Louis Arbour, “në mënyrë që t’i hetonte krimet e raportuara mizore në Reçak”. Në Hagë, Arbour do të deklaronte se ajo do të hetonte masakrën e Reçakut “me apo pa hyrje brenda territorit” të Kosovës. Sa i përket frikës së falsifikimit të dëshmive, ajo kishte deklaruar: “Falsifikimi i dëshmive – po qe se zbulohen prova për një gjë të këtillë – në të vërtetë paraqet një dëshmi të shkëlqyeshme mbi fajësinë. Nëse dikush do t’i bjerë në gjurmë se prej nga erdhi urdhri për falsifikimin e dëshmive, ajo do të na sjellë një konkluzion mjaft të qëndrueshëm, se ajo është bërë me qëllim të fshehjes të së vërtetës, e cila tregon ndjenjën e fajësisë. Ndërkohë, qeveritë perëndimore dhe Grupi i Kontaktit, duke përfshirë edhe Rusinë, kishin kërkuar nga Milosheviqi që të bashkëpunojë me Tribunalin e Hagës. Mirëpo, Beogradi kishte frikë se leja për hyrjen e Arbourit në Kosovë do të nënkuptonte qasje të pakufizuar për hetuesit e Tribunalit të Hagës për Krime të Luftës jo vetëm në Reçak, por edhe në pjesë të tjera të Kosovës për të hetuar për shkeljen e ligjeve humanitare.

Edhe në takimin e 19 janarit në mes të Clarkut e Naumannit me Milosheviqin ishte ngritur mundësia që Arbour të hynte në Kosovë për të hetuar masakrën e Reçakut, por që ishte refuzuar kategorikisht nga Milosheviqi, i cili kishte pohuar se vendi i tij nuk njihte jo vetëm juridiksionin e Tribunalit, por edhe se në Reçak nuk kishte pasur masakër. Autoritetet e Beogradit insistonin se policia serbe po bënte hetimet dhe se Arbour nuk mund të bënte asnjë lloj hetimi. Clark thotë se dukej se kjo ishte një lojë e Milosheviqit për të fituar kohë, për të shpikur masat dhe për ta implikuar atë në mbulimin e fakteve. Ishte kjo dredhi standarde, e shfrytëzuar sërish dhe sërish nga serbët në rajon. Arbour ishte e vetëdijshme se nuk duhet të shkonte në Kosovë, nëse ajo nuk do t’i kishte duart e lira për të zhvilluar hetime. Por, edhe pas bisedimeve disa-orëshe në Beograd me gjeneralët, nuk kishte ndonjë shenjë të qartë se Milosheviqi ishte gati për t’u zmbrapsur në momentin e fundit, ashtu siç kishte bërë në tetorin e vitit 1998, kur NATO-ja e kishte paralajmëruar për herë të parë kërcënimin e saj për sulme ajrore.

Milosheviqi në përgjigjen e tij përfundimtare për ushtarakët e NATO-s kishte dhënë tri “jo”: jo për Louis Arbourin, jo për qëndrimin e William Walkerit dhe jo për premtimet dhëna NATO-s. Në Washington, zëdhënësi i State Departamentit, James Rubin, tha se rezultatet e bisedimeve në Beograd “nuk ishin inkurajuese”, duke shtuar se Clarku dhe Naumanni do t’u raportonin ambasadorëve të NATO-s dhe do të diskutonin me ta për hapat e ardhshëm të Aleancës. Por, kjo papajtueshmëri e Milosheviqit vuri në lëvizje shumë ingranazhe të NATO-s. Shtetet perëndimore, e madje edhe SHBA-ja, kuptuan se një forcë e NATO-s në terren është esenciale për të parandaluar shpërthimin e serishëm të luftimeve në Kosovë. Diplomatët sërish adaptuan qasjen e “karotës dhe shkopit”, duke ua tërhequr serbëve vërejtjen se, nëse nuk negociojnë e nuk pranojnë marrëveshjen politike për Kosovën dhe forcat e NATO-s, atëherë ata do të goditeshin nga forcat ajrore të NATO-s.

Përfundimet e porositura nga Qeveria e Beogradit

Autoritetet serbe refuzimin e bashkëpunimit të tyre me TPNJ-në e justifikonin nga pikëpamja e tyre se lufta në Kosovë ishte një konflikt i brendshëm me “terroristët”, një pikëpamje që vazhdimisht ishte refuzuar nga Tribunali i Hagës, nga Këshilli i Sigurimit të KB-së dhe nga faktorë të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë këtu edhe “Human Rights Watch”. Serbët ishin veçanërisht të indinjuar me deklarimet e William Walkerit, të cilat me shpejtësi depërtuan në mediumet dhe qendrat e kancelarive perëndimore dhe në këtë situatë ishin të kota përpjekjet për ta mbuluar krimin në Reçak. Megjithatë, ata vazhduan me ekspertët e tyre ligjorë, që në fakt si në regjimin nazist ishin në shërbim të politikës së regjimit të Miloshevqit, përmes të cilëve u mundua ta bindin opinionin se nga hetimi i një ekipi mjeko-ligjor serb “doli në përfundimin se të vdekurit nga Reçaku u qëlluan nga larg dhe kishin dëshmi të barutit në duart e tyre”. Natyrisht, Perëndimi i hodhi poshtë gjetjet e ekipit si të njëanshme për shkak të pozicionit të përbërjes serbe dhe bjelloruse të ekipit. Ky përfundim u hodh poshtë disa muaj më vonë, kur një ekip mjeko-ligjor i sponsorizuar nga BE-ja kishte akses dhe të njëjtat kufoma iu referuan incidentit si krim kundër njerëzimit. Ndërsa, më 27 maj 1999, pak para se të përfundonte lufta e Kosovës, prokuroja e Tribunalit të Hagës, Louise Arbour, e kishte shpallur aktakuzën kundër Slobodan Milosheiqvit dhe Milan Millutinoviqit, Nikolla Shainoviqit, Dragoljub Ojdaniqit dhe Vlajko Stojkoviqit.

Aktakuza ndaj tyre lidhej me ngjarje që ndodhën në Kosovë midis 1 janarit dhe 20 qershorit 1999, natyrisht duke përfshirë edhe masakrën e Reçakut. Në gjykimin e Sllobodan Milosheviqit në Hagë dr. Helena Ranta si dëshmitare më 1 mars 16 mars të vitit 2003 konfirmoi atë që më herët ua kishte thënë gazetarëve se viktimat shqiptare në fshatin Reçak, ku u gjetën, nuk ishin zhveshur pas vdekjes dhe se deri nga mesi i vitit 2001 janë grumbulluar mjaft dëshmi në favor të pohimit se nuk bëhet fjalë për skenë të kurdisur. Sa i përket çështjes që në tokë nuk ka pasur gjurmë gjaku, ajo shpjegoi se ka pasur mjaft gjak të mpiksur në shtresa të shumta të rrobave të të vrarëve. Gjithashtu Ranta e kishte hedhur poshtë edhe testin e parafinës të cilin e kishte përdorur komisioni hetues serb dhe në bazë të cilit ata kishin nxjerrë përfundime të porositura nga qeveria e Beogradit se 37 të vrarë në gishtërinj kishin pasur gjurmë baruti, gjë që duhej të ishte dëshmi se viktimat kishin shtënë nga armët e zjarrit.

“Për herë të parë në jetën time profesionale kam dëgjuar se testi i parafinës përdoret për gjetjen e gjurmëve të barutit”, kishte thënë Ranta, dhe kishte shpjeguar se një test i tillë është refuzuar në vitin 1958, sepse është kolauduar se “nuk ka vlerë shkencore”. (Petrit Imami: “Serbët dhe shqiptarët ndër shekuj”. Samidzdat B9, Beograd, 2017, f.272). Përveç kësaj, versioni zyrtar serb i ngjarjeve “harron” se vendimi i shkallës së parë të TPNJ kundër Vllastimir Gjorgjeviq mohon akuzat për luftime të ashpra nga forcat serbe në Reçak. Në vendim thuhet se Gjorgjeviq ishte në dijeni dhe mori një rol aktiv në bashkimin Operacioni i UJ-së dhe MPB-së në Reçak më 15 janar 1999 që rezultoi në vdekjen e jo më pak të se 45 shqiptarë të Kosovës, si dhe udhëhoqi “përpjekjet pasuese të MPB-së për të fshehur dëshmitë e forcë e tepruar e përdorur nga policia dhe për të paraqitur operacionin në Reçak si një operacion legjitim antiterrorist.” ((United Nations, International Tribunal for the Prosecution of Persons, IN THE APPEALS CHAMBER, Case No.: IT-05-87/1-A, 27 January 2014, f. 141).

Inskenimi për mohimin e masakrës

Shpesh mund të dëgjohet dhe lexohet në mediat serbe e pavërteta se TPNJ indirekt konfirmoi se s’kishte asnjë masakër ndaj civilëve në Reçak. Se ky lajm është i rremë mund të konkludohet nga gjykimet e shkallës së parë dhe të dytë të TPNJ në çështjen Gjorgjeviq. Siç thekson Dhoma e Apelit, megjithëse ngjarjet në Reçak nuk ishin baza për akuzë specifike për vrasje, ato mbetën të rëndësishme për çështje të tjera në aktakuzë: për të përcaktuar qëllimin e të akuzuarit (mens rea) dhe pjesëmarrja e tij në ndërmarrje të përbashkët kriminale.

TPNJ e konfirmon në mënyrë eksplicitë se pati masakër ndaj civilëve në Reçak. Është me rëndësi të shënohet se TPNJ gjithashtu arriti në përfundimin se gjyqtares hetuese serbe Marinkoviq iu paraqit një skenë e inskenuar dhe se i hodhi poshtë provat e gjyqtares hetuese serbe për këtë çështje, si dhe konstatoi se Gjeorgjeviq udhëhoqi përpjekjet e MPB-së për të fshehur dëshmitë e krimit në Reçak dhe që operacionin ta paraqesë si një operacion legjitim antiterrorist. (United Nations, International Tribunal for the Prosecution of Persons, IN THE APPEALS CHAMBER, Case No.: IT-05-87/1-A, 27 January 2014, f.148)

Raporti i patologëve finlandezë

Ndërsa Beogradi me vendosmëri kishte kundërshtuar mundësinë e hyrjes në Kosovë të Louis Arbour për të hetuar ngjarjen e Reçakut, u pajtua me iniciativën e BE-së që në Reçak të dërgohej një ekip i patologëve nga Finlanda, pasi tashmë një pjesë të obduksionit e kishin bërë patologët serbë dhe bjellorusë. Hyrja e grupit të mjekëve ligjorë finlandezë, të drejtuar nga prof. Helena Ranta, ishte një sukses i realizuar që në tetor 1998 nga Petritsch. Duke qenë se ky grup ekspertësh vepronte në terren që nga vera e vitit 1998 për sqarimin e masakrave të mundshme, mund të hetonte menjëherë rrethanat e ngjarjes. Por, ashtu siç pritej prej palës serbe, ekspertët ligjorë mundën t’i këqyrnin kufomat dhe vendin e ngjarjes vetëm pas shtatë ditësh. Autoritetet serbe i kishin marrë 40 prej 45 kufomash tri ditë pas gjetjes së tyre nga xhamia e fshatit dhe i kishin çuar në Spitalin e Prishtinës, i administruar nga organi i dhunshëm serbe, ku ato ishin “analizuar” prej mjekëve serbë dhe bjellorusë. Për këtë arsye, ekspertët finlandezë hetimet e tyre i bazuan vetëm në të dhënat e autopsive, të cilat ishin vetëm një pjesë e hetimit kriminologjik. Ata nuk patën mundësi t’i hetonin kufomat drejtpërdrejt në vendin e ngjarjes. Kjo rrethanë e vështirësonte e vështirësonte qartësimin e shkaqeve të vdekjes.

Në këtë mënyrë ekspertët finlandezë gjithashtu nuk mundën të rindërtonin ç‘kishte ngjarë gjatë atyre shtatë ditëve me kufomat e shqiptarëve. Vetëm me 17 mars u bë e mundur të botohej i pari prej tri raporteve, i cili mund të jepte përgjigje disa përgjigje disa hollësive që kishin mbetur të hapura.

“Shumica e viktimave kishin të veshura xhaketa të rënda dhe bluza. Veshjet nuk kishin asnjë shenjë dalluese të ndonjë njësie ushtarake. Nuk kishin shenja për heqjen e shenjave të tilla. Në bazë të dhënave të autopsisë (p.sh. Vrimat e plumbave, gjaku i mpiksur) dhe fotografive të skenave nuk ka gjasa që veshjet të jenë ndërruar ose hequr. Ndërmjet viktimave, të cilave u ishte bërë autopsia, kishte disa pleq dhe një grua. Nuk kishte shenja që tregonin që këta njerëz nuk ishin civilë të paarmatosur”, thuhej në mes tjerash në raportin e ekspertëve finlandezë. (Wolfgang Petritsch dhe Robert Pichler; Kosova).

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë