Hasan Kaleshi (1922-1976), një ndër shqiptarët e parë në ish-Jugosllavi që u doktoruan dhe u punësuan në universitete, kur erdhi në Prishtinë më 1967 për të punuar në Departamentin e Historisë në Institutin Albanologjik pas rihapjes së tij, ishte figurë e njohur në qarqet shkencore prej Parisit deri në Hamburg, e prej Stambollit deri në Kajro (i pari dhe i vetmi shqiptar që u bë anëtar i Akademisë së Shkencave në Egjipt, e themeluar më 1932. Në fazën e parë të Institutit Albanologjik prej vitit 1952 deri më 1955 ishte një nga figurat kryesore
Kohëve të fundit kemi shumë 100-vjetore të ngjarjeve dhe figurave historike dhe shkencore, që promovohen me iniciativa shtetërore, institucionale dhe familjare etj. Mirëpo, nëse 100-vjetori dikur ishte vetëm për ta lavdëruar një ngjarje ose një ndonjë figurë të luftës (LNÇ) ose të partisë (komuniste), tani 100-vjetori ka një domethënie tjetër: rishikimi dhe rivlerësimi i ngjarjes ose e figurës jo me kritere të luftës dhe të partisë (partive), por në kontekstin e ri historik, në dritën e dokumenteve të deklasifikuara dhe të studimeve të reja në bazë të burimeve që sollën rezultate të panjohura deri më tani.
I tillë është rasti me 100-vjetorin e shkencëtarit Hasan Kaleshi (1922-1976), një ndër shqiptarët e parë në ish-Jugosllavi që u doktoruan dhe u punësuan në universitete, i cili kur erdhi në Prishtinë më 1967 për të punuar në Departamentin e Historisë në Institutin Albanologjik pas rihapjes së tij, ishte figurë e njohur në qarqet shkencore prej Parisit deri në Hamburg, e prej Stambollit deri në Kajro (i pari dhe i vetmi shqiptar që u bë anëtar i Akademisë së Shkencave në Egjipt, e themeluar më 1932).
Ndoshta gjenerata e re, e lindur pas 1990, nuk di se Kaleshi zotëronte 10 gjuhë (shqipe, serbokroatishte, maqedonishte, turqishte, osmanishte, arabishte, italishte, frëngjishte, gjermanishte e anglishte) dhe botonte punime origjinale në ato gjuhë në revista shkencore të vendeve evropiane dhe merrte pjesë në shumë konferenca ndërkombëtare. Në saje të kësaj gjatë 1949-1976 iu botuan më se 350 punime (studime, kumtesa, recensione, vështrime kritike etj.) në gjuhë të ndryshme. Mirëpo, vdekja e tij e papritur më 1976, kur ishte në kulm të punës shkencore, si dhe rrethanat e kohës, nuk lejuan që t’i kushtohet rëndësia që duhet. Kështu, vetëm pas vdekjes së tij filluan që punimet e tij të ribotohen ose të përkthehen në shqip, sikurse punimi i tij origjinal për dr.Ibrahim Temon që u botua si libër në New York më 1982 deri më 2016 kur u organizua një konferencë shkencore në Degën e Orientalistikës me rastin e 40-vjetorit të vdekjes.

Prej Kërçovës në Beograd
Hasan Kaleshi u lind me 07.03.1922 në Sërbicë të Kërçovës, në një familje me traditë të dijes së trashëguar, ku babai Ahmed ef. Kaleshi u kujdes për arsimin e tij duke e mësuar në shtëpi edhe në shkollë. Pas mbarimit të shkollës në Kërçovë ai vazhdoi mësimet në Shkup në Medresenë e Madhe (Mbreti Aleksandar) më 1939, ku u gjet atje me të rinjtë shqiptarë që u bënë figura më vonë në shkencë e letërsi (Ali Sokoli, Idriz Ajeti, Hivzi Sulejmani, Vehap Shita, Meto Bajraktari, Zenel Hajdini, H.Zaimi, etj.). Mirëpo, me shkatërrimin e Jugosllavisë më 1941, Kaleshi me shokët kaluan në shkollën “Sami Frashëri” në Prishtinë, pra tani në “Shqipërinë e Madhe”. Pas mbarimit të shkollimit u kthye në Kërçovë, e cila po ashtu ishte në “Shqipërinë e Madhe”, ku punonte gati një vjet në administratën e re si përkthyes shqip-italisht.
Me 1945, me riformimin e Jugosllavisë, H.Kaleshi shkoi në Beograd për t’i vazhduar studimet. Pasi e dinte mirë arabishten e turqishten, ai u regjistrua në Katedrën e Orientalistikës, e para që u formua në Ballkan (1926), si dhe u regjistrua po ashtu në Degën e Romanistikës pasi kishte interesim për letërsinë evropiane. Më 1951 u diplomua në Orientalistikë dhe u bë asistent në këtë katedër më 1952, gjë që ia hapi përsëri rrugën në Kosovë.
Hapat deri te themelimi i Institutit
Kuptohet, këtu është fjala për fazën e parë të Institutit Albanologjik, prej vitit 1952 deri më 1955, që, mezi, më vonë u identifikua selia e tij e që nuk ekziston më. Vërtetë, zbulimi i kësaj selie të parë, si dhe dokumentet themeluese të Institutit Albanologjik u bënë të mundura vetëm me monografinë e Nuridin Ahmetit, “Instituti Albanologjik 1953-1955” (Prishtinë, Instituti Albanologjik 2020).
Kështu, në bazë të dokumenteve të botuara për herë të parë del se me iniciativën e Pleqësisë për Arsim dhe Kulturë në Krahinën Autonome të Kosovës dhe Metohisë (KAKM) u mbajt një tubim i gjuhëtarëve në Prishtinë, më 14-15 nëntor 1952, që propozoi themelimin e një trupi që merret me problemet e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Kosovë. Në bazë të këtij propozimi, Këshilli Ekzekutiv i Këshillit Popullor të KAKM vendosi më 30.03.1953 për themelimin e Institutit për Studimin të Historisë, Gjuhës dhe Kulturës Shqiptare në QAKS dhe emërimin e Elhami Nimanit drejtor të këtij Instituti. Për institucionalizimin e këtij trupi u mbajt mbledhja e parë punuese në Katedrën e Albanologjisë në Universitetin e Beogradit më 8.07.1953 në krye me E. Nimanin si kryetari i Pleqësisë së Arsimit dhe drejtor i propozuar i Institutit. Në këtë mbledhje pune, në të cilën morën pjesë V. Dançetovuq (kryetar i Katedrës), Selman Rizaj, E. Mekuli, Z.Rexha, I.Ajeti, A.Rexha, H. Kaleshi (asistent në Orientalistikë), A.Çetta e të tjerë, u diskutua për seksionet dhe kuadrat e mundshme për “një Institut që do të merret me studimet albanologjike”. Në këtë mbledhje u vendos që të formohet një komision prej tre anëtarësh (V. Dançetoviq, Z. Rexha dhe H. Kaleshi) për hartimin e “Projektstatuti të Institutit Albanologjik”.
Anëtarët e Komisionit në fjalë “pas një sërë takimesh që ishin mbajtur në Prishtinë e në Beograd” e paraqitën (pa datë) “Projektstatutin e parë të Institutit albanologjik” që u aprovua dhe, në bazë të saj, Këshilli Ekzekutiv i Këshillit Popullor i QAKS e aprovoi më 29.07. 1953 themelimin e Institutit Albanologjik.
Këtu vlen të shënohet se mbledhja e përmendur në Katedrën e Albanologjisë në Universitetin e Beogradit propozoi hartimin e disa fjalorëve, në mesin e të cilëve “Fjalori letrar” me hartuesit H. Kaleshi, A.Çetta dhe Martin Camaj. Po ashtu pas startimit të punës, H. Kaleshi u paraqit me kërkesë në qershor 1954 për mbulimin e shpenzimeve për fotokopjimin e dokumenteve osmane në Turqi që kanë lidhje me historinë shqiptare. Drejtori i ri i Institutit, Selman Riza, ia lejoi H. Kaleshit 40 mijë dinarë për fotokopjimin e dokumenteve “për të ndritshue historinë e shqiptarëvet masëfori të atyne në Jugosllavi nën sundimin Otoman”, si dhe për kopjimin e artikujve prej gazetave turke “që kanë të bëjnë direkt me ngjarje specifikisht shqiptare”. Në bazë të saj, H. Kaleshi qëndroi në Turqi disa muaj për hulumtime dhe më 19.12.1954 e lajmëroi Institutin për kthimin e tij duke premtuar “një referat të hollësishëm mbi punën time në Stamboll”, pra pak para shuarjes së Institutit. Për fat të keq, sipas N. Ahmetit, ky referat nuk u gjet, pra nuk dihet as për fatin e dokumenteve që u mblodhën në Turqi me financimin e Institutit. Siç duket vendimi për mbylljen e Institutit u mor atëherë, sepse i tërë viti 1955 kaloi pa ndonjë aktivitet, vetëm me dy shkrime të Kadri Halimit që u botuan në “Rilindja”, që pasqyruan këtë gjendje, derisa u shpall vendimi në dhjetor 1955 me nënshkrimin e Fadil Hoxhës si kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Këshillit Popullor i KAKM.
Me shuarjen e Institutit, H. Kaleshi mbeti në Orientalistikë dhe më 1960 kur mbrojti disertacionin që ka të bëjë me historinë e Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore në kohën osmane, kurse më vonë vazhdoi punën në Orientalistikë deri më 1965, kur dha dorëheqje për arsye të presionit nacionalist serb dhe shkoi në Universitetin e Hamburgut në Gjermani për specializim në turkologji. Me rihapjen e Institutit Albanologjik më 1967, u kthye në punë dhe u dallua me punimet e tij origjinale që i botoi në “Gjurmime albanologjike”, sikurse ai për Sami Frashërin, që u bë referencë për çdo njëri që merret me Sami Frashërin. Me 1970, me themelimin e Universitetit të Prishtinës, H. Kaleshi kaloi në Degën e Historisë deri më 1973 kur u bë shef i Degës se Orientalistikës që bëri emër për një kohë të shkurtër deri në vdekjen e tij (1973-1976).
Në ato vjet H. Kaleshi u ndesh me politikën që impononte kuadro në emër të luftës (LNÇ) dhe të partisë dhe e rezistoi atë deri në vdekje, çka meriton të ndriçohet në një shkrim tjetër.