Shtojca për Kulturë

Fantazia serbe në mohimin e përgjegjësisë për masakrën e Reçakut

Përderisa bashkësia ndërkombëtare e dënoi krimin serb në Reçak dhe kërkonte hetime të paanshme ndërkombëtare për këtë ngjarje, sipas pikëpamjes së autoriteteve serbe, aksioni i Reçakut kishte qenë një masë e nevojshme për luftimin e “terroristëve” shqiptarë. Siç pritej, Beogradi i hodhi poshtë menjëherë akuzat e OSBE-së. Gjithashtu, qeveria serbe shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walkerin e cilësoi si përkrahës dhe mbrojtës të gueriles shqiptare. Beogradi vazhdonte të mohonte çdo përgjegjësi për masakrën, edhe pse kishte dëshmi të faktuara se udhëheqës të lartë shtetërorë ishin të involvuar drejtpërdrejt në këtë ngjarje

Masakrën e Reçakut e dënoi edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Havier Solana, i cili deklaroi se Milosheviqi “është personalisht përgjegjës për sjelljen e forcave të sigurimit”. Ndërsa, në SHBA ishte formësuar mendimi se duhet të ketë një komponent ushtarak në gatishmëri në mënyrë që kërcënimi me përdorim të forcës të ishte i bazuar. Në këtë linjë, Medeleine Albright përfaqësoi nevojën për t’i bërë Milosheviqit një ultimatum të qartë ushtarak nga SHBA-NATO-ja.

Por, brenda administratës amerikane akoma kishte hezitime për opsionin e Albright. Tri ditë më pas, me 19 janar 1999 në takimin e Pricipals Committe, sipas vlerësimit të Madeleine Albright, ishte arritur pajtimi brenda Administratës për përdorimin e trupave amerikane. Dhe, pas atij takimi ndodhi planifikimi serioz i sulmeve ajrore kundër caqeve ushtarake serbe. Për të transmetuar pakënaqësinë e SHBA-së, më 18 janar 1999 në Kosovë qëndroi ambasadori James Pardew, për të shprehur pakënaqësinë e SHBA-së për krimin e kryer dhe për refuzimin e Milosheviqit për të lejuar një hetim të pavarur të kryeprokurores së TPNJ, Louis Arbour. (Dario Malnar: SHBA-ja dhe Kosova, Botimet KOHA, Prishtinë, 2013, fq.198-199). Pardew, gjatë takimit në Beograd me Milosheviqin i kishte shtruar këto pika me rëndësi kritike:

Respektimin e marrëveshjeve ekzistuese për tërheqjen e forcave në kazerma dhe ndaljen e represionit të MUP-it në Kosovë.

Në Reçak, lejimin e prokurores Arbour ta hetonte situatën dhe ta sillte secilin të akuzuar para drejtësisë.

Bashkëpunimin e plotë me OSBE-në. Dhënien e qasjes së plotë për KVM-në brenda Kosovës dhe tërheqjen e urdhrit ndaj Walkerit.

Dhënien e amnistisë për të burgosurit politikë në Kosovë.

Pajtimin për negocimin me shqiptarët e Kosovës, për arritjen e një marrëveshjeje të përkohshme. (James W. Pardew: Paqebërit - Lidershipi amerikan dhe fundi i gjenocidit në Bosnjë. Koha, Prishtinë, f. 206).

Edhe në takimin urgjent të Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, ambasadori amerikan në OSBE, David Johnson, shprehu mllefin e tij jo vetëm për masakrën ndaj shqiptarëve etnikë, por edhe për “për përpjekjet skandaloze të autoriteteve jugosllave që vrasjen gjakftohtë dhe gjymtimin e civilëve t’i paraqesin si një operacion ushtarak kundër terroristëve”.

Në të njëjtën linjë, zëdhënësi i State Departamentit, James Rubin, dënoi dhunën serbe në Reçak dhe tha se serbët po nxisin “provokim”. Ndërsa ish-kandidati republikan për president, Bob Dole, deklaroi se “është koha që të ndërmarrim diçka për të ndaluar Milosheviqin që të vrasë më shumë njerëz të pafajshëm...Unë do të shpresoj se, më në fund do të pranojmë sulmet ajrore të NATO-s. Edhe ministri i Jashtëm gjerman, Joschka Fischer, në memoaret e tij për luftën e Kosovë shënon: “Gjatë ditës, në zyrë filluan të arrijnë lajmet për masakrën në Reçak dhe në media mund të shiheshin pamjet e tmerrit. E kishim menjëherë të qartë se ngjarja në Reçak do të ashpërsonte në mënyrë dramatike krizën në Kosovë. Nëse Millosheviqi nuk do të lëshonte pe, ne me këtë ditë do të bënim një hap më afër luftës, isha i bindur unë. Në mbrëmje më kontaktoi qendra e situatave e Ministrisë së Jashtme. Zonja Albright dëshironte të bisedonte me mua”. “Biseduam për situatën në Reçak dhe informatat që kishim në dispozicion. Madelene Albright kërkonte një reagim të ashpër të NATO-s dhe një takim urgjent të Këshillit të NATO-s nesër në mëngjes, pra të dielën (më 17 janar 1999, shënim S.U.). Cook dhe Vedrin tashmë ishin pajtuar. Më pas, ajo përmendi tri kërkesa kryesore, të cilat sipas mendimit amerikan, duhej të përfshiheshin në deklaratën e NATO-s: që të respektoheshin kufiri i epërm për praninë e forcave serbe të sigurisë në Kosovë, i cili ishte përcaktuar në marrëveshjen mes Holbrooke dhe Milosheviqit, kooperimi i plotë me Tribunalin në Hagë në lidhje me Reçakun dhe përmbushja e obligimeve të marra përsipër me marrëveshje, të cilat nuk ishin përmbushur ende”.

Rrezikimi i kredibilitetit të NATO-s

Ngjarja në Kosovë dhe represioni i Milosheviqit që kulmoi sërish me krimin në Reçak, pos që tregoi limitet e Misionit të OSBE-së në Kosovë, po rrezikonte kredibilitetin e NATO-s. Nuk kishin kaluar as dy muaj prejse Millosheviqi kishte premtuar se do të reduktonte praninë ushtarake dhe policore në Kosovë, por tani të gjitha shenjat po tregonin se ai po niste në fushatë të gjerë të spastrimit etnik si në Bosnjë. Ndërsa, Rudolf Scharping, asokohe ministër gjerman i Mbrojtjes, në librin e tij “Wir dürfen nicht wegsehen. Der Kosovo- Krieg und Europa”, shkruan: “Pardje në Reçak ka ndodhur një masakër, ku janë vrarë 45 shqiptarë. Këshilli NATO-s ishte mbledhur në një takim të posaçëm, kryesuesi Komisionit Ushtarak të NATO-s dhe kryekomandanti i NATO-s në Evropë do të udhëtojnë për në Beograd, për të kërkuar respektimin e marrëveshjeve të vjeshtës së vitit të kaluar, për tërheqjen e policisë speciale serbe dhe ndërprerjen e veprimeve ushtarake.”

Për t’ua tërhequr vëmendjen liderëve të vendeve të NATO-s se Beogradi po shkelte detyrimet e Marrëveshjes Holbrooke-Miloshevqi dhe situata në Kosovë po shkonte drejt përshkallëzimit, qysh në javën e parë të janarit 1999, Wesley Clark, komandant i përgjithshëm i forcave evropiane të NATO-s, do të zhvillonte një varg të bisedave me liderët e NATO-s dhe të Evropës. Në këtë situatë, pohon ai, ekzistonin vetëm tri mundësi, nëse luftimet do të vazhdonin: së pari, përdorimi i forcës nga serbët, që do të sillte një katastrofë humanitare nëse NATO-ja nuk do të ndërmerrte asgjë; së dyti, përdorimi i forcës nga serbët, i cili do të ndiqej nga një fushatë ajrore e NATO-s të depërtojë në tokë; së treti, përdorimi i forcës nga serbët, i ndjekur nga sulmet ajrore të NATO-s dhe, më pas serbët nuk i nënshtrohen NATO-s, një intervenim tokësor i NATO-s, i cili do të përfundonte e shkatërrimin e mjaftueshëm të ushtrisë serbe, sa për ta detyruar largimin e Milosheviqit nga pushteti. Por, para se të përdorej njëri nga këto opsione, edhe në NATO mbretëronte qëndrimi se edhe më tej duhej të shfrytëzoheshin mjetet diplomatike, megjithëse koha nuk priste. Dhe pikërisht në këtë moment, më 16 janar, William Walker, kryesues i Misionit të OSBE-së në Kosovë, e njoftoi gjeneralin Clark për atë çfarë kishte ndodhur në Reçak.

“E njoh masakrën sapo ta shoh. Kam parë masakra dhe më herët, kur isha në Amerikën Qendrore. Një masakër po e shoh edhe tash... Ka rreth 40 prej tyre në një hendek, ndoshta janë edhe më shumë. Këta nuk janë luftëtarë, janë bujq. Këtu mund ta kuptosh nëse shikon duart dhe rrobat e tyre. Dhe, ata janë vrarë nga afërsia”, kujton Clark në librin e tij “Waging Modern War”. Ai e njihte Walkerin nga puna e përbashkët në Amerikën Latine dhe ai diplomat me përvojë, pa prirje për zmadhimin e gjërave. Në të njëjtën ditë, Clark e kishte informuar Havier Solanën në Spanjë për lajmin që i kishte dhënë Walkeri dhe njëkohësisht e këshilluar që të mblidhte Këshillin e NATO-s, sa më shpejt që të jetë e mundur, mbase në të njëjtën ditë, për të diskutuar për atë çfarë kishte ndodhur në Reçak. Në këtë mbledhje, e cila u mbajt më 17 janar 1999, Clark dhe Klaus Naumann raportuan para ambasadorëve për masakrën e Reçakut. Por, në këtë moment akoma nuk ekzistonte vullneti për të sulmuar menjëherë Beogradin, përkundër autorizimit që posedonte Solana.

Disa shtete nuk ishin të gatshme për të vepruar edhe për faktin se ekzistonin edhe një mijë verifikues të paarmatosur të OSBE-së brenda Kosovës, të cilët do të mund të goditeshin nga serbët, nëse NATO-ja sulmon menjëherë. Sipas Clark, kjo ishte një situatë, e cila e bënte të pakuptimtë kërcënimin e menjëhershëm me sulme ajrore. Dhe, këtë e dinin edhe NATO-ja, e edhe serbët. Por, Këshilli i NATO-s nga takimi i lartpërmendur lëshoi një kumtesë për shtyp dhe në mënyrë të vendosur theksoi se një ekip për zbulimin e fakteve duhet të vizitojë sa më parë Milosheviqin për t’ia përcjellë interesimin e NATO-s rreth asaj se çfarë kishte ndodhur në Reçak.

Meqë NATO-ja është organizatë ushtarake dhe nuk posedon ekipe të udhëtuesve të diplomatëve dhe përderisa Solana ishte zyrtar tejet i lartë për të shkuar në Beograd, ambasadorët e NATO-s u pajtuan të dërgojnë Klaus Naumannin dhe Wesley Clarkun për ta takuar Milosheviqin lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë. Në mungesë të instruksioneve speciale, dy ushtarakët e NATO-s, përdorën kumtesën për shtyp të NATO-s si udhërrëfyes për diskutimin e tyre me Milosheviqin. Clark dhe Naumann do të përqendroheshin rreth tri pikave: hetimin e masakrës së Reçakut, mbetjen e Walkerit në Kosovë dhe respektimin e premtimeve dhënë NATO-s, në tetor 1998. “Kryeprokurorja e Tribunalit të Ndërkombëtar për Krime të Luftës në territorin e ish-Jugosllavisë, Louise Arbour, ka shprehur dëshirën për të ardhur në Kosovë, për të zhvilluar hetime rreth masakrës në Reçak. A mund të vijë?”, e kishte pyetur Clark drejtpërdrejt Milosheviqin, i cili i ishte përgjigjur se pala serbe nuk e njihte juridiksionin e Tribunalit dhe e kishte mohuar faktin se në kishte pasur masakër. Njëkohësisht, duke u vazhduar ruletin serb me bashkësisë ndërkombëtare, e kishte tërhequr vendimin për dëbimin e William Walkerit nga Kosova.

Përpjekja serbe për ta fshehur krimin

Përderisa bashkësia ndërkombëtare e dënoi krimin serb në Reçak dhe kërkonte hetime të paanshme ndërkombëtare për këtë ngjarje, sipas pikëpamjes së autoriteteve serbe, aksioni i Reçakut kishte qenë një masë e nevojshme për luftimin e “terroristëve” shqiptarë. Siç pritej, Beogradi i hodhi poshtë menjëherë akuzat e OSBE-së. Gjithashtu qeveria serbe shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walkerin e cilësoi si përkrahës dhe mbrojtës të gueriles shqiptare. Për këtë arsye, Beogradi vetëm dy ditë pas masakrës shpalli Walkerin person non grata dhe urdhëroi që brenda 48 orëve ta lëshonte Kosovën pas akuzave që ai i bëri policisë serbe për vrasjen masive në fshatin e Reçakut. Pra, për qeverinë serbe, edhe pse kishte informacione të sakta çfarë kishte ndodhur realisht, Raçaku nuk ishte masakër.

Po ashtu, Beogradi vazhdonte të mohonte çdo përgjegjësi për masakrën, edhe pse kishte dëshmi të faktuara se udhëheqës të lartë shtetërorë ishin të involvuar drejtpërdrejt në këtë ngjarje. Sipas fantazisë së bujshme serbe, pas tërheqjes së forcave qeveritare të sigurisë, pjesëtarët e UÇK-së ishin kthyer në Reçak dhe i kishin veshur bashkëluftëtarët e tyre të varë me rroba civile për të inskenuar kështu një masakër për publikun ndërkombëtar. Në linjë të parë të këtyre pretendimeve tallëse qëndronte Milosheviqi, i cili ngulte këmbë në atë se të gjithë të vdekurit kishin rënë gjatë luftimeve me forcat serbe të sigurisë, ndërsa zëvendëskryeministri serb, radikali nacionalist, Vojsllav Sheshel, më vonë i dënuar nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime të Luftës, shkonte edhe më tej me fantazinë e tij kontaminuese: “Shqiptarët (“Šiptari”), këta kriminelë, ua kanë zhveshur uniformat terroristëve të UÇK-së, u kanë veshur shpejt e shpejt rrobat civile dhe i kanë qëlluar me nga një plumb në kokë, për të inskenuar një kauzë perfekte kundër nesh”. (“Im Teufelskreis der Gewalt”, Der Spiegel, 4/199-24.01. 1999).

Për këto pretendime të palës serbe se “UÇK-ja viktimat e veta i ka veshur shpejt e shpejt me rroba civile”, Walker në një intervistë për gazetën gjermane “Berliner Zeitung”, 8 prill 2000, thoshte: “Pati spekulime edhe më të këqija. Madje, disa më akuzuan mua të kem punuar me porosi të CIA-s dhe se kam qenë pjesëmarrës i manovrës mashtruese. Këto teori komploti të gjitha së bashku janë një marrëzi e kulluar. Një shembull: kur unë bëra ‘debutimin’ e dytë dhe një shpurë gazetarësh u ngjitën të nesërmen, më 16 janar, në kodrën e Reçakut, ne kemi parë kufoma të gjymtuara. Disa syresh i kishin pantallonat me urinë, sipas vlerësimit tim, kjo ishte një shenjë e frikës dhe panikut të papërshkrueshëm nga ekzekutimi. Po qe se përputhen këto teori, atëherë ne do të duhet t´i kishim zhveshur kufomat, përsëri t’i vishnim dhe pastaj t’i lagnim me urinë të huaj. Duket se fantazia nuk ka kufij. Kush beson që në mesin e natës në një terren të mbuluar me borë dhe akull, dikush ka mundur t’i sabotonte dëshmitë, ai ka humbur arsyen”.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë