Pas 1981 nisi kampanja kundër albanologjisë. Së pari lidhur me artikujt për shqiptarët në Enciklopedinë e Jugosllavisë, e pastaj deri në Kongresin VI të komunistëve të Serbisë, ku foli I. Ajeti për prejardhjen ilire të shqiptarëve si çështje shkencore. Diskutime në botimet shkencore zhvilloi autori i këtyre radhëve - 1985, frëngjisht 1986 e më vonë. Kampanja në mjetet i informimit publik e kulturor në Serbi sidomos ndaj autorëve nga Kosova që flisnin për prejardhjen e lashtë dhe ilire të shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe ishte tërësisht politike
Historiani i gjuhës serbokroate dhe ballkanologu më i shquar ndër serbistë, Ivan Popović ( -1961) kishte pohuar madje se shqiptarët do të kenë ardhur në Shqipërinë e sotme pas sh. XIII, ndërsa vendet prej nga mund të kishin ardhur janë të ndryshme, gjithsesi në lindje, përkatësisht verilindje të Serbisë. Le t’i shohim pak më përafër idetë e tij të përmbledhura sipas librit “Geschichte der serbokroatischen Sprache” 1960. Në atë vepër me gjerësi të madhe ka një nënkapitull me titullin Problemi shqiptar, autori merrej me çështjen e prejardhjes së gjuhës shqipe. Në vazhdën e ideve atëherë më të njohura që niseshin nga supozimi se ilirishtja ishte gjuhë e tipit centum, ndërsa shqipja gjuhë e tipit satem, edhe pse Shqipëria e sotme në lashtësi ishte pjesë e Illyricumit, shqipja nuk mund të ishte pasardhëse e ilirishtes, as “një gjuhë e përzier iliro-trakase”, sepse ilirishtja e trakishtja nuk ishin gjuhë të afra midis tyre (Popović, 1960:79).
Sipas tij, rëndësi të madhe ka pohimi i Weigand-it që mjetet e lundrimit e të peshkimit në shqipen janë huazime. “Me këtë, thoshte ai, atdheu i hershëm i parmë ballkanik i shqiptarëve do gjetur jashtë Shqipërisë së sotme, çka përputhet me faktin se burimet historike i përmendin shqiptarët vetëm në sh. XIII”. Argumentimet e Popović-it merrnin vetëm pjesë nga Barić, tërë Weigand-in dhe përsëriteshin më vonë nga Ivić, Loma e të tjerë.
Në përgjithësi ai mendonte se bregdeti ishte latin (ose i romanizuar tërësisht), prapadeti ishte ilir në Dalmacinë e sotme, Malin e Zi dhe Shqipërinë Veriore, në qendër – nga Sirmium e deri te Naissus e afër Scupit sërish latin, në lindje (afërsisht Bullgaria e sotme) ishte trakas, ndërsa i tërë jugu, afërsisht nga Via Egnatia, grek (përfshirë makedonishten e lashtë). Në veri ishte panonishtja, sërish ilire. Zonat e Dardanisë dhe të Serbisë së sotme, pra, ishin latinizuar, kështu që shqipja mund të vinte diku nga verilindja, pra ishte trakishte, mendonte ai.
Ajo që mund të thuhet me këtë rast është se supozimi për romanizimin e plotë të Dardanisë e të Shqipërisë së sotme, ashtu si për grecizimin e Shqipërisë së jugut, megjithë mbishkrimet në gjuhët e kulturave të shkruara, nuk është dëshmuar të ketë qenë ashtu i plotë. Ka autorë seriozë që, mbi bazë hulumtimesh arkeologjike dhe historike, mendojnë të kundërtën, ndërsa ekzistenca dhe zhvillimi kompleks dialektor i shqipes pikërisht këtë e thonë. Për shembull, Fanula Papazoglu në studimin e saj për dallimet për raportet midis Dardanisë dhe Mbretërisë Ilire lidhur me romanizimin për hapësirën e Dardanisë së lashtë, nxirrte këtë përfundim: “Dardania hyn ndër zonat më pak të romanizuara të Ballkanit, ku popullsia autoktone është ruajtur më së miri. Për ruajtjen e vetëdijes etnike të dardanëve mund të gjykojmë edhe në bazë të përkushtimeve për perënditë dardane Dea Dardaniae dhe Deus Andinus, si dhe në bazë të të dhënës se edhe vendi edhe populli e ruajtën emrin e vet deri në antikën e vonë...” (Papazoglu 1988:145-171, frëngj. po aty 173-199, këtu f. 169).
...supozimi për romanizimin e plotë të Dardanisë e të Shqipërisë së sotme, ashtu si për grecizimin e Shqipërisë së jugut, megjithë mbishkrimet në gjuhët e kulturave të shkruara, nuk është dëshmuar të ketë qenë ashtu i plotë. Ka autorë seriozë që, mbi bazë hulumtimesh arkeologjike dhe historike, mendojnë të kundërtën, ndërsa ekzistenca dhe zhvillimi kompleks dialektor i shqipes pikërisht këtë e thonë...
Sipas V. Popović-it, shqipja do të trajtohet si pasardhëse e trakishtes. Atdheu i parmë (Urheimat) i shqiptarëve u dashka gjetur në Trakinë veriore, në Makedoni, në Bullgarinë Veriore, në Serbinë Lindore apo në Rumani; atje shqiptarët kanë mundur të jenë në kontakt me rumunët, krejt njësoj, në veri apo në jug të Danubit, sepse rumunët ishin në të dy anët. Meqë emra të shpjegueshëm përmes shqipes në Shqipëri nuk ka, të shihen mundësi të tjera, thoshte Popović-i, dhe drejtohej tek emrat e përmendur dhe nga të tjerë si Oxrid: Λυxνίς/ Λυxνίδoς, Shtip - Astíbos, Άστίβoς, Sharr – Σκάρδoς, Niš: Naissus, etj.
Pavle Ivić (1924-1999), serbist i shquar, dialektolog, fonolog e historian i gjuhës serbe (serbokroate) në librin e njohur “Srpski narod i njegov jezik”, Beograd 1971 në shpjegimet e tij për raportet midis gjuhëve sllave të jugut lindore e perëndimore, duke interpretuar tuftat e izoglosave që i dilnin në hapësirën e kufirit midis Serbisë e Bullgarisë e deri në Osogovo e Sharr, rimerrte idenë e ardhjes së sllavëve nga veriu i Danubit aty te Gjerdapi në drejtim të rrejdhave të lumenjve, ndërsa në male mbeteshin të tërhequr paraardhësit parasllavë, pjesëmarrja e të cilëve në prejardhjen biologjike të këtyre të pastajmëve mund të jetë më e madhe se sllavja. Këtu ai sillte në mendje idenë e van Wijkut për ndërmjetëzën rumune që i ndante dy degët sllave pikërisht në zonat e Serbisë lindore. Sipas tij, çështja e prejardhjes së gjuhës shqipe mbetet kontraverze. “U tregua se shqipja në asnjë rast nuk është vazhdim i gjuhës së lashtë ilire që është folur në Shqipërinë e sotme (dhe në një pjesë të madhe të Jugosllavisë) para pushtimit romak. Thjesht, veçoritë e gjuhës shqipe janë në kundërshtim të rreptë me atë që dihet për ilirishten e vjetër”, f. 27. Si elemente kundërshtimi në këtë drejtim sillte çështjen e mungesës së terminologjisë detare, madje edhe fjalën peshk e kanë të huazuar, thoshte ai; në mesjetë shqiptarët ishin barinj kontinentalë; nuk ka qytete ku toponimia të jetë trashëguar drejtpërdrejt, por kemi Nish, Shtip, Sharr, Ohër, që te sllavët erdhën përmes shqiptarëve; elementet romane të shqipes kanë lidhje me të rumanishtes; terminologjia baritore vjen nga një gjuhë e lashtë pararomake dhe gjuha ku janë krijuar ato shprehje janë të paraardhëses së shqipes. Qëndrime të ngjashme me të I. Popović-it, pa i referuar.
Afërsisht me këto ide ai vijonte dhe më prerë në reagimet publike pas vitit 1981. Të themi po ashtu se Memorandumi i ASHSA më 1986 shprehte vlerësimin negativ për “lejimin” që të njësohej emërtimi identitar Albanac, jo më Šiptar/ Albanac, për “lejimin” që të njësohej gjuha, etj. Të tjerët pastaj A. Loma, ndjekin vijat Popović-Ivić, herë më të thelluara, herë më pak, madje as idetë e Barić-it deri në fund.
Katičić-i për prejardhjen e shqipes
Radoslav Katičić (1930-2019), studiuesi që solli përmbledhjen më të ngjeshur dhe më të rëndësishme për gjuhët e lashta të Ballkanit, ishte marrë më shumë se një herë dhe me çështjen e prejardhjes dhe vendin ku është folur shqipja në lashtësi, para dhe pas vitit 1981. Pikëpamjet e tij në hapësirat albanologjike janë bërë të njohura në Kuvendin e ilirëve më 1972. Sipas tij, “është normale dhe e natyrshme që në shqipen të shohim pasardhësin modern të gjuhës ilire” dhe më tej: “Për origjinën trakase të gjuhës shqipe nuk është paraqitur asgjë që do të kishte natyrën e dëshmisë, po vetëm kumulime indiciesh, të cilat, pa e vendosur çështjen, nuk na lënë ta hedhim fare hipotezën trakase”, më në fund: “zona e shqipe përputhet vetëm me territorin që ishte ilir në kuptimin e ngushtë të fjalës”.
Katičić-i iu kthye dhe një herë hapësirës gjuhësore lashtoballkanike në Kolokuiumin për gjuhët në Perandorinë Romake pas kohës imperiale të vitit 1974. Lidhur me prejardhjen e shqipes dhe të rumanishtes Katičić-i niste me këtë vlerësim: “Me gjithë gjendjen e burimeve, nuk ka asfarë dyshimi se shqipja është shkallë moderne e zhvillimit e një gjuhe të lashtë ballkanike: në shqipen ka, siç dihet, huazime nga greqishtja e lashtë dhe një shtresë shumë të rëndësishme latine në leksik, që tregon një valë të fuqishme romanizimi. Të dyja, mbishtresa greke e lashtë ashtu si mbishtresa latine e leksikut, mund të kenë ndodhur vetëm në hapësirat ballkanike”.
“Në këtë gjendje të dijes sonë imponohet përfundimi se shqipja është një formë moderne e ilirishtes”… “Kështu hipoteza trakase është vetëm një konstruksion interesant dhe supozimi për prejardhjen ilire të shqipes mbetet në saje të rrethanave të përshkruara në fillim alternativa më e besueshme, edhe pse jo e dëshmuar me siguri”.
Arkeologët dhe historianët e Akademisë serbe 1988
Më 1988 në librin për “Ilirët dhe shqiptarët” u shtrua çështja, po çfarë ishin dardanët? A ishin dardanët ilirë? Ka pasur shumë diskutime dhe sot mbisundon mendimi se dardanët ishin ilirë (shih së fundi Mirdita Zagreb 2015). Ka porse një diskutim të vogël që thotë se dardanët ishin ilirë, por dardanët e shek. X para K. dhe dardanët e shek. IV para K. mund të mos ishin të njëjtit, më herët mund të ishin diçka tjetër dhe ndërkohë u ilirizuan. Këtu hyjmë në fushën e historianëve dhe nuk kemi mundësi të japim gjykime me vlerë. Por do të themi se mbi këtë bazë është ndërtuar një teori, shih sidomos V. Popović pastaj M. Garašanin, i cili në fillim mendonte ndryshe, pjesërisht F. Papazoglu, që në vitin 1988 botuan librin “Iliri i Albanci”, në të cilin insistojnë të thonë se dardanët të paktën para shek. IV para K., kur e krijuan shtetin e tyre dhe ishin ilirë, mund të kenë qenë diçka tjetër dhe janë pak ndryshe nga ilirët e tjerë.
Fanula Papazoglu, në studimin e përmendur, nisej nga kritika e përgjithshme e pikëpamjeve të shkencës shqiptare për ilirët, ku përfshihen dardanët, madje dhe peonët. Vërejtja e saj ka të bëjë me bindjen se “midis ilirëve dhe dardanëve nuk mund të vihet shenjë barazimi”, Papazoglu 1988: 143.
Ajo përpiqej të saktësonte se, edhe pse kishte një komponent të padiskutueshëm ilir, ata nuk mund të identifikoheshin me ilirët. Për më tepër, ajo vinte në pah gjithashtu se, sipas studimeve të vona, në formimin e dardanëve donte njohur dhe një shtresë më e vjetër dako-meze e ndoshta edhe protofrige. Në kohët historike ajo mendonte se ka pasur dhe ndërfutje elementesh trakase dhe duhet të jetë ky element që do t’ua ketë dhënë atyre vulën sa i përket strukturës etnike. “Por më shumë se struktura etnike, ajo që i ndan dardanët nga ilirët është zhvillimi politik. Vërtet, nga momenti kur dalin nga parahistoria – ilirët rreth mesit të mijëvjeçarit I para e.r., dardanët pak më vonë, në gjysmën e dytë të shekullit IV – bashkësitë ilire dhe dardane kishin fat qartësisht të ndarë”, Papazoglu 1988: 146. Autorja shënonte se midis Mbretërisë Ilire dhe Mbretërisë Dardane në jug kufiri i përgjigjej kufirit etnik e politik (lëvizte afërsisht rreth vijës ku kalonte kufiri shqiptaro-jugosllav).
Dhe në fund fare, Papazoglu vinte me këtë qëndrim: “Dardania hyn ndër rajonet më së paku të romanizuara antike në Ballkan, ku popullata autoktone u ruajt më së miri”, Papazoglu 1988:169. Pasi pohonte se vetëdija etnike te dardanët ishte shprehur përmes emrave të cilësuar Daradania, Dardanus, Dardana, madje edhe Nat(ione) Dardanus, ajo vinte me përfundimin: “Nuk përjashtohet që kjo popullsi ta ketë mbijetuar epokën e depërtimeve barbare dhe të shpërnguljeve të mëdha, sidomos në rajonet më pak të urbanizuara, dhe të ketë hyrë në mesjetë me emrin e Albanëve”, Papazoglu 1988: 169.
Në fjalën e hapjes të atij tubimi shkencor, sekretari i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve, shkrimtari akademik A. Isaković nuk e fshihte synimin që përmes këtij libri ajo Akademi të merrte rolin që “çështjen e shtruar Ilirët dhe shqiptarët, që në shumë vende është larguar nga objektiviteti shkencor dhe e vërteta, ta kthejmë në rrjedhat dhe konturat e vërteta shkencore”.
Një faqe më herët tërë çështjen e lidhte me ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë, sepse: “është fakt i padyshimtë se shkenca shqiptare, e ndihmuar për fat të keq dhe nga disa punonjës shkencorë nga Kosova, shpesh fakteve shkencore u qaset në mënyrë jokritike, duke i paraqitur njëanshëm, duke heshtur disa syresh dhe duke vënë në plan të parë të tjerat, për të gjetur kështu arsyetim për aspiratat politike dhe ashpërsim të marrëdhënieve”, Isaković 1988: 5-6.
Fjala është, pra, meqenëse Isaković ishte vetëm shkrimtar, për një orientim programatik për të korrigjuar një shkencë të tërë kombëtare dhe për të hequr bazat për aspirata politike. Natyrisht, duke shpallur të vërtetën e vet për jopolitike. Dhe duke i parë të gjithë autorët shqiptarë si një, pa diferencime, dhe me aspirata politike.
Vladislav Popović, arkeolog, ndërkaq, nuk i fshihte vlerësimet e tij politike, natyrisht, gjithnjë ‘në frymën dhe me mëtesën e objektivitetit shkencor: “...Gjorgje Kastrioti, i quajtur Skanderbeg, i cili iu kundërvu turqve pa kursim në rrethana tragjike deri në vitin 1468, dhe të cilit sot në Shqipëri i ngrihen përmendore, në të vërtetë ishte armiku më i egër i njatyre vendësve historikisht të turbullt të paromanizuar dhe të pahelenizuar, për të cilët shkencëtarët shqiptarë pohojnë se janë ilirë dhe me një guxim gati mrekullitar mendojnë se bashkëkombësit e tyre të sotëm janë pasardhës të tyre të drejtpërdrejtë. E parë në këtë dritë, teza ekspansioniste ilire nuk është gjë tjetër pos një surrogat bashkëkohës dhe i varfëruar i politikës së gjysmëhënës turke, i mbështetur fort me jatagan”, Popović.
Dhe më tej përfundimi i tij shtrihej tek ‘ringjallja e ilirëve’ “të trupëzuar në arbanasët, si prodhim i hamendësimeve të filologëve të mësuar mirë në shkollat gjermane”, Popović 1988: 249-50. Ua njihte cilësinë e shkollave gjermane, por studimet shqiptare përpiqej t’i zhvlerësonte tërësisht.
Në fjalën e mbylljes, autoriteti i arkeologjisë Milutin Garašanin, stërnipi i Ilija Garašanin-it të famshëm, i cili në një rrëfim të gjerë pak vite para vdekjes më 1996 (Milutin Garašanin, razgovori o arheologiji, Beograd 1996, 1) pohonte: “Familja Garashanin ka prejardhje nga Mali i Zi, nga Bjelopavliqi… Sipas asaj legjende Bošković-ët, pra edhe ne, do të ishin me prejardhje nga Lekë Kapedani, gjë që janë përralla”, ai, pra, e shihte të nevojshme të vinte në pah disa vrojtime. Sipas tij, ilirët u krijuan përmes një procesi të gjatë etnokulturor të rigrupimit, dezintegrimit e reintegrimeve të reja fisesh të ndryshme dhe grupacionesh kulturore në Ballkanin Perëndimor. “Ata u diferencuan gradualisht ndër banorët e asaj treve në hapësirën nga Shqipëria e Jugut deri te Përdrini e Drini i Bardhë e deri te Dalmacia e sotme e mesme. Banorët e Posavinës, të bregut verior të Adriatikut dhe të prapavijës së tij, dhe posaçërisht të Dardanisë, veçohen ashpër nga ta. Ata, e sidomos këta të fundit, formohen nga një substrat krejt tjetër. Dardanët nuk mund të identifikohen me ilirët”, Garašanin 1988:362.
Natyrisht, nuk linte pa e theksuar lidhjen veriore të tyre me substratin dako-mez. Përfundimi i tij kryesor flet vetiu: “Ngjashëm me vllehtë, mbetje të popullatës së romanizuar në male, që këndej u tërhoq në kohën e dyndjeve të popujve dhe të imigrimit sllav, shqiptarët u krijuan nga mbetjet e popullatës së paromanizuar paleoballkanike të atyre trojeve, ndër të cilët me siguri ka pasur edhe mbetje të ilirëve dhe të dardanëve. Me kohë, sidomos në kuadër të lëvizjeve baritore, ndodhi integrimi i njatyre elementeve fillimisht me prejardhje të ndryshme që tash në histori hyjnë si popull i ri vetëm në shekullin XI-XII, kur për herë të parë, siç duket, tashmë të formuar, përmenden në burimet bizantine dhe sllavojugore. Është e qartë se këtyre elementeve më vonë u bashkohen dhe komponente të tjera, sidomos sllavja, rëndësinë e së cilës në Shqipëri e dëshmojnë toponimitë”, Garašanin 1988: 366.
Si zgjidhje për etnogjenezën e shqiptarëve ai shihte dy komponente: rolin më të madh e kanë luajtur “mbetjet e elementeve të ndryshme nga substrati i vjetër paleoballkanik: ilirë, dakomezë (dardanë) dhe trakas”; Këto elemente marrin pjesë në formimin e shqiptarëve në kohën kur për to nuk mund të flitet si për formacione etnike, popuj, që u zhdukën bashkë me Perandorinë. Por nuk tregonte si qenkan bashkuar këto mbetje pikërisht tek arbanët.
Mendoj se këtu ka një ndikim periudha politike e kohës sonë. Libri në fjalë ishte krijuar pas vitit 1981 kur teoria për prejardhjen ilire të shqipes kritikohej me të madhe për arsye politike dhe bile edhe në parathënie thuhej qartë se libri po bëhej kundër ‘pretendimeve shqiptare’ që edhe ilirët edhe dardanët paskan qenë ilirë dhe shqiptarët janë pasardhës të tyre. D.m.th. arsyetimi, i thjeshtësuar, natyrisht, mund të ishte diçka si ky: shqiptarët paskan menduar se nëse themi që edhe ilirët edhe dardanët janë paraardhës të shqiptarëve, Dardania është vendi i shqiptarëve si ilire; kjo mund të përkthehej në rast supozimesh të atilla që arsyetoheshkan pretendimet territoriale të shqiptarëve për Kosovën, Dardaninë. Natyrisht, hamendësime të atilla as si thjeshtësime nuk mund të qëndrojnë as në relacionet politike, as në relacionet shkencore, prandaj edhe nuk bëhen krejt eksplicite. Megjithatë qoftë shqipja pasardhëse e ilirishtes qoftë e dardanishtes, apo e mbetjeve të mjegullta, siç do të donin autorët e përmendur në (zh)vlerësimet e tyre, ajo është e kësaj hapësire. V. Popović bile shkonte edhe më larg me cilësimet e tij: “këta pasardhës të turbullt të popullatës së lashtë ballkanike”, “me shpatën e gjysmëhënës erdhën të pushtojnë vendin”.
Më 1968, sulmi ndaj Zef Mirditës në simpoziumin për elementet etnike parasllave në Ballkan pikërisht lidhur me idetë që theksojnë lashtësinë e shqiptarëve në Ballkan, e sidomos të prejardhjes nga ilirët. Pas 1981 nisi kampanja kundër albanologjisë. Së pari lidhur me artikujt për shqiptarët në Enciklopedinë e Jugosllavisë, e pastaj deri në Kongresin VI të komunistëve të Serbisë, ku foli I. Ajeti për prejardhjen ilire të shqiptarëve si çështje shkencore. Diskutime në botimet shkencore zhvilloi autori i këtyre radhëve - 1985, frëngjisht 1986 e më vonë. Kampanja në mjetet i informimit publik e kulturor në Serbi sidomos ndaj autorëve nga Kosova që flisnin për prejardhjen e lashtë dhe ilire të shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe ishte tërësisht politike. Me të nuk do të merremi me këtë rast.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë
Kjo kumtesë është version i përmbledhur i asaj që akademik Rexhep Ismajli ka prezantuar në Kuvendin Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike të mbajtur në Tiranë prej 25 deri më 27 nëntor, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Botohet me leje të autorit