Së fundi, historiani i ri shqiptar nga Kosova, Selver Islamaj – doktorant në Universitetin e Vjenës (Austri), i cili prej vitesh hulumton në arkivat austriakë dhe ka qasje të vazhdueshme në Arkivin Shtetëror të Austrisë (Haus-Hof und Staatsarchiv) – ka gjetur materiale të vëllimshme dhe shumë të rëndësishme e të panjohura më parë lidhur me letërkëmbimin intensiv të Faik Konicës me zyrtarë dhe diplomatë të Austro-Hungarisë dhe me personalitete të botës shqiptare. Këto materiale të botuesit të revistës “Albania”, Faik Konicës, monumentit të publicistikës shqiptare, janë sistemuar dhe botuar në dy vëllime
Gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe veçanërisht pas Lidhjes së Prizrenit, në kohën kur aktiviteti i shoqërive dhe klubeve shqiptare për pavarësi kombëtare ishte i madh, shtetet e mëdha evropiane ndiqnin me interesim të madh ngjarjet politike në territoret shqiptare nën Perandorinë Osmane. Në radhë të parë, Austro-Hungaria dhe Italia, dy shtete rivale, bënin të gjitha përpjekjet politike dhe financiare për të çimentuar ndikimin e tyre mbi shqiptarët. Por, lëvizja kombëtare dhe kulturore shqiptare, për shkak të vështirësive dhe pengesave të shtetit osman, zhvillohej kryesisht jashtë atdheut, në qendrat e huaja dhe në disa raste mbështetej nga shtetet të cilat synonin të ruanin kontrollin mbi zhvillimet politike dhe kulturore në hapësirën shqiptare, si dhe të ruanin interesat e tyre në Evropën Juglindore. Para së gjithash, Vjena dhe Roma po bënin përpjekje për rritje të ndërgjegjes kombëtare shqiptare dhe në të njëjtën kohë këto dy shtete po shndërroheshin në rivale kryesore.
Në këtë mes, shtypi barte një vlerësim të veçantë në programin e veprimtarisë politike të Austro-Hungarisë në Shqipëri, përmes të cilit Vjena zyrtare synonte të ndikonte në mënyrë dinamike në formimin e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve dhe të mbante vulën e konsolidimit të lëvizjes shqiptare për liri, pavarësi kombëtare dhe për emancipim të përgjithshëm kulturor dhe politik. Për këtë qëllim, Ministria e Punëve të Jashtme Perandorake dhe Mbretërore e Austro-Hungarisë propozoi të realizohen botime të dizajnuara dhe të kontrolluara nga politika austro-hungareze, të cilat do të formonin ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve, të cilët shiheshin si aleat strategjik kundër tendencave pansllaviste në Ballkan. Qëllimi strategjik i Vjenës për të ndalur në mënyrë afatgjate dhe përfundimisht çdo lloj zgjerimi sllav në kufirin jugperëndimor merrej si arritje që shqiptarët të kthehen në një element strukturimi i së ardhmes së shtetit shqiptar.
Kontaktet me Konicën
Sipas politikës austro-hungareze, e cila që nga Kongresi i Berlini filloi ta kishte prioritet Shqipërinë, arritja e këtij qëllimi do të mund të realizohej përmes një procesi gradual, hap pas hapi, respektivisht përmes hapjes së shkollave dhe përhapjes së shtypit dhe librave shqip. Sipas planit të aprovuar në konferencat e fshehta (1896), me qëllim të fillimit të një “aksioni” energjik austro-hungarez në Shqipëri, Vjena vendosi të përdorte shtypin për t’i arritur objektivat e saj politike. Ideja fillestare e shtetit austro-hungarez ishte themelimi i një organi shtypi shqip, si për shembull i një reviste të përmuajshme, por në ndërkohë u vu në kontakt me botuesin e revistës “Albania”, Faik Konicën, i cili gjithashtu kishte nevoja monetare për vazhdimin e botimit dhe të shpërndarjes së kësaj reviste. Për këtë qëllim, Vjena mori informacionet e nevojshme për redaktorin e revistës “Albania”, që botohej në Bruksel, dhe kontaktet i para i vendosi me të me ndërmjetësimin e kontit Khevenhüller, i cili ishte përfaqësues diplomatik i Austro-Hungarisë në Bruksel.
Faik Konica, edhe pse i lindur në Konicë të Janinës (1875), Turqia evropiane, me emrin e të cilit janë të emërtuara shumë institucione të vendit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, mbetet një nga figurat më të njohura të kulturës dhe më me ndikim në kulturën shqiptare në fundshekullin XIX dhe në gjysmën e parë të shekullit XX. Kjo kujtesë historike për Konicën është e merituar, sepse me formimin dhe vokacionin e tij, ai u dëshmua si një nga intelektualët më largpamës, si një evropian i madh dhe si një erudit shqiptar, i cili gjatë gjithë jetës së tij u angazhua për zgjimin e shpejtë të ndërgjegjes kombëtare dhe për krijimin e një Shqipërie të vërtetë evropiane.
Faik Konica ishte nga të paktët intelektualë shqiptarë që kishte një mendim dhe një plan të qartë për ndërtimin e një lidhjeje të ngushtë të lëvizjes kombëtare shqiptare me Austro-Hungarinë, të cilën në konstelacionin e atëhershëm e shihte si të vetmen fuqi evropiane me të cilën shqiptarët do të mund të ndërtonin një aleancë strategjike dhe më afatgjate kundër synimeve pansllaviste ruse në Ballkan, përkatësisht kundër idesë së krijimit të Serbisë së Madhe në llogari të territoreve etnike shqiptare. Si rezultat i sfondit të larmishëm arsimor – shkolla fillore në Konicë, kolegji frëng në Shkodër, shkolla e mesme në Stamboll, dhe më pas studimet në Francë, përkatësisht në Harward të Shteteve të Bashkuara të Amerikës – ai ishte i rrjedhshëm në gjuhën shqipe, turke, italiane, frënge, gjermane dhe angleze. Qysh gjatë kohës së studimeve në Francë, Konica filloi të interesohej për gjuhën amtare, letërsinë dhe historinë e vendit të tij, dhe të shkruante artikuj mbi Shqipërinë në shtypin francez.
Në vitin 1897, në moshën 22vjeçare, u transferua në Bruksel, ku me ndihmën financiare të Austro-Hungarisë filloi botimin në gjuhën shqipe dhe frënge të revistës “Albania”, e cila shpejt u bë një nga revistat më të njohura shqiptare në mërgim dhe nga më të rëndësishmet në ndërgjegjësimin e kombit shqiptar dhe në artikulimin e kërkesave të shqiptarëve në atë periudhë. Pa dyshim, Konicës i njihet merita e madhe për të shkruarit në një shqipe me një stil të lartë diplomatik. Ideali i tij ishte pavarësia e Shqipërisë, por ai ishte i vetëdijshëm se kjo nuk ishte e mundshme në një periudhë afatshkurtër për shkak të disa faktorëve gjeopolitikë, ndaj dhe për këtë arsye ai kërkonte mbështetjen e një fuqie evropiane, respektivisht të Austro-Hungarisë.
Edhe pse pas vitit 1902 Konica u zhvendos në Londër, revista vazhdoi botimin e saj deri më 1909 dhe nuk ndryshoi as karakterin e saj dhe as programin politik. Ndërsa pas largimit në Amerikë ai u bë redaktor i gazetës “Dielli”, e cila ishte themeluar nga Fan Noli. Ai ishte edhe kryetar i federatës “Vatra” në Boston dhe në emër të saj shkoi në Londër më 1912 për t’i mbrojtur interesat e Shqipërisë në Konferencën e Ambasadorëve, e cila do të përcaktonte të ardhmen e Shqipërisë dhe të vendeve tjera të Ballkanit. Edhe pse ishte kundërshtar i mbretit Ahmet Zogu, në verë të vitit 1926 ai u emërua ambasador i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, post të cilin e mbajti deri në pushtimin italian të Shqipërisë më 1939.
Faik Konica ka njohur shumë krijues të shquar dhe ka komunikuar me personalitete të shumta të kohës. Në të njëjtën kohë, letërkëmbimi i tij ka qenë shumë intensiv dhe i pasur. Ai u ka dërguar letra dhe materiale të ndryshme shkrimtarëve, artistëve, gazetarëve, diplomatëve, shkencëtarëve, liderëve të shteteve dhe figurave të njohura të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Për këtë arsye, materiali burimor i arkivor për Faik Konicën është jashtëzakonisht i gjerë dhe i shpërndarë nëpër vende të ndryshme: në Shqipëri, në Turqi, Francë, Belgjikë, Britani të Madhe dhe SHBA. Kjo gjeografi e gjerë e rrugëtimit dhe e aktivitetit politik dhe kulturor të Faik Konicës gjatë shekullit XIX dhe XX ka tërhequr interesimin e madh të studiuesve të shumtë, të cilët kanë ndriçuar aspekte të ndryshme të jetës dhe veprimtarisë të këtij personaliteti të shquar të letërsisë dhe kulturës shqiptare dhe njërës nga figurat qendrore të epokës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Megjithëse deri më sot janë shkruar libra dhe studime të shumta për Konicën, edhe më tej vazhdojnë të dalin në dritë dokumente dhe artikuj të kohës dhe shkrime të tjera të autorit, të cilat janë të rëndësishme për jetën dhe krijimtarinë e përgjithshme të Konicës, si edhe për aspektet e tjera të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Hulumtimi dhe studimi sistematik i të dhënave është pra baza për një ndërmarrje të tillë, e cila do të hidhte dritë të plotë edhe mbi angazhimin kulturor dhe politik të Faik Konicës, për lidhjet e tij me politikanë dhe personalitete të ndryshme shqiptare (Naim dhe Sami Frashëri, Ismail Qemaili, Luigj Gurakuqi, familja Qiriazi në Manastir etj.) nga fusha e kulturës dhe e diplomacisë.
Për ndriçimin e aspekteve të ndryshme të jetës dhe të krijimtarisë së Konicës, është me rëndësi vazhdimi i punës hulumtuese shkencore nëpër arkivat evropianë dhe amerikanë, në të cilët supozohet se mund të ketë dorëshkrime dhe materiale të tjera të rëndësishme. Së fundi, historiani i ri shqiptar nga Kosova, Selver Islamaj – doktorant në Universitetin e Vjenës (Austri), i cili prej vitesh hulumton në arkivat austriake dhe ka qasje të vazhdueshme në Arkivin Shtetëror të Austrisë (Haus-Hof und Staatsarchiv) – ka gjetur materiale të vëllimshme dhe shumë të rëndësishme e të panjohura më parë lidhur me letërkëmbimin intensiv të Faik Konicës me zyrtarë dhe diplomatë të Austro-Hungarisë dhe me personalitete të botës shqiptare. Këto materiale të botuesit të revistës “Albania”, Faik Konicës, monumentit të publicistikës shqiptare, janë sistemuar dhe botuar në dy vëllime: “Letërkëmbimi i panjohur i Faik bej Konicës 1897-1900”, Vëll. I dhe “Letërkëmbimi i panjohur i Faik bej Konicës 1901-1912”. Vëll. II, që janë botuar nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë. Veprimtaria e Faik Konciës në Bruksel, Londër dhe në SHBA zë vend të rëndësishëm në kulturën, letërsinë dhe në publicistikën e kohës. Vlerësojmë se me publikimin e këtyre dokumenteve arkivore të dosjes së veçantë të Arkivit Shtetëror të Vjenës ndriçohen më mirë disa aspekte të jetë dhe të veprimtarisë letrare, politike dhe diplomatike të Faik Konicës dhe problemet e vështirësitë e botimit të revistës “Albania”.
Ndikimi i Austro-Hungarisë
Vëllimi i parë, “Letërkëmbimi i panjohur i Faik bej Konicës 1897-1900”, përveç origjinalit të transkriptuar, i paraqet për herë të parë lexuesit shqiptar një përmbledhje kronologjike të letërkëmbimit të Faik Bej Konicës me Baron von Zwiedinekun, i cili drejtonte Departamentin e Shqipërisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, si dhe ofron të dhëna interesante dhe deri tash të panjohura lidhur me kushtet në të cilat u botua “Albania”, njëra prej revistave më të njohura të periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ky letërkëmbim i përket një periudhe vendimtare të historisë shqiptare, vetëm pak vite pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare, e cila për shkak të mungesës së përkrahjes së fuqive evropiane nuk arriti të jetësonte kërkesën e saj për një shtet shqiptar autonom, në të cilën Konica është një protagonist i rëndësishëm dhe një intelektual erudit, që ka një projeksion të qartë për të ardhmen e popullit shqiptar.
Dokumentacioni i botuar këtu ka vlera të rëndësishme historiografike, sepse letërkëmbimi i Faik Konicës ofron informacione jashtëzakonisht të vlefshme, jo vetëm për sfidat me të cilat do të përballet Konica për botimin e gazetës “Albania”, por edhe për ndikimin që kishte politika zyrtare austro-hungareze në profilin e saj kryesisht letrar. Në fakt, ky bashkëpunimi midis Konicës dhe zyrtarëve të Vjenës ndodhi jo vetëm pas rekomandimeve të kontit Khevenhüller, por edhe pas këshillës së Theodor Ippenit, i cili i sugjeroi Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë se do të ishte gjë më e përshtatshme të vendosej bashkëpunimi me gazetën ekzistuese “Albania” të Brukselit, në mënyrë që të shmangej rreziku i dështimit duke provuar që të përzgjidhje një gazetë në gjuhën shqipe. Dhe, në të njëjtën kohë, edhe Ippen përfaqësonte mendimin se redaktori i kësaj gazete duhej të bënte disa ndryshime jo të vogla, duke shmangur gjithashtu edhe kritikat ndaj sovranitetit të shtetit osman.
Në këtë komunikim dalin po ashtu në pah edhe dallimet e Konicës me Baron von Zwiedinek lidhur përmbajtën e gazetës “Albania”, e cila nuk do të mund të publikohej pa mbështetjen financiare të Vjenës zyrtare dhe për këtë ajo kujdesej që gazeta të mos përmbante artikuj politikë, por të mbante kryesisht profil letrar dhe t’i mbronte “fuqimisht interesat kulturorë të kombit”, si dhe këshillohej që “Albania” të përmbahej nga gjuha austro-file dhe njëkohësisht të “mbështetej në faktin se ajo do t’i mbronte vetëm interesat thjesht dhe veçanërisht shqiptarë”. Në komunikimet e para në gusht të vitit 1897 me botuesin e gazetës, i njohur me pseudonimin Trank Spiro Bej, Vjena përcaktoi orientimet e saj si dhe njoftoi kontin Khevenhüller se Konica do të ishte përfaqësuesi më i ri i propagandës shqiptare, pasi vlerësohej veprimtaria e tij. Bëhet fjalë për një lëvizje që lidhej me të ardhmen e krahinave në kufi me Austro-Hungarinë, të cilat meritonin interes maksimal dhe rekomandohej që përmes njohjes së interesave të Trank Spiro Beut dhe grupit të tij të plotësohej informacioni që ishte grumbulluar deri në atë kohë lidhur me temat shqiptare. Në anën tjetër, Konica, i cili kishte studiuar në Universitetin Tuluzës në Lion të Francës, dëshironte që revistën e tij ta përdorte për të propaganduar autonominë e Shqipërisë nën protektoratin e Austro-Hungarisë.
Kushtet për financimin e revistës
Megjithëse zyrtarët austro-hungarezë Konicën e konsideronin fanatik në bindjen e tij, ata pas takimit dhe bisedave konfidenciale në Ballhausplatz pranuan subvencionimin e revistë së Konicës, por sipas disa kushteve: së pari, gazeta nuk duhej të shërbente si organ që bën thirrje për një lëvizje kryengritëse kundër qeverisë osmane. Së dyti, aktiviteti botues të fokusohej mbi të gjitha në zgjimin e kuptimit të interesave të përbashkët kombëtarë. Së treti, artikujt të botoheshin në dy dialekte shqipe, si dhe në frëngjisht, me qëllim që të lexoheshin në gjithë hapësirën shqiptare, nga jugu në veri. Së katërti, botuesi i gazetës duhej të merrte përsipër të botonte artikuj dhe lajme të cilat Vjena dëshironte t’i transmetonte te shqiptarët përmes revistës “Albania”. Por, për të arritur objektivin e fundit, konsujt austro-hungarezë në Shqipëri u këshilluan që revista të mos komentonte aq shumë Austro-Hungarinë, në mënyrë që të qetësohej qeveria osmane dhe të shuhej bindja e përhapur mes lexuesve se kjo revistë ishte e blerë nga Vjena dhe se u shërbente interesave të saj.
Megjithëse këto nuk ishin kushte të lehta, Konica ishte i detyruar të pranonte këtë pozicion të Vjenës, sepse pa mbështetjen e drejtpërdrejtë financiare të Austro-Hungarisë dhe konsullatave të saj në hapësirën shqiptare, do të ishte e pamundur që revista “Albania” të botohej dhe të depërtonte në të gjitha territoret shqiptare nga veriu në jug, për shkak të vështirësive të krijuara nga autoritetet osmane. “Për Shqipërinë Verilindore, ne do të përpiqemi të hyjmë në marrëdhënie me shqiptarët e Vrajës në kufirin serb, të cilët do të kenë mundësi të dërgojnë me lehtësi pako të revistave në Gjakovë, Prizren etj”, shkruante Konica në komunikim me Vjenën (Vëll. I, f. 100).
Ky letërkëmbim, që ndjek rrjedhën kronologjike të kohës, pos që shënon fillimin e një miqësie të gjatë ndërmjet Vjenës dhe botuesit të revistës “Albania”, njëkohësisht mund të cilësohet si nismëtari i diplomacisë shqiptare për nivelin dhe kulturën e tij të lartë diplomatike. Këto dy vëllime të përgatitura nga Islamaj hedhin dritë mbi një periudhë të gjerë të angazhimit të shumanshëm të Konicës për formimin e ndjenjës kombëtare në një terren heterogjen shqiptar dhe të sunduar nga administrata e shtetit osman, e cila me këmbëngulje e luftonte emancipimin kombëtar shqiptar, duke ndaluar hapjen e shkollave dhe publikimin e shtypit dhe librave shqip.
Po ashtu, ky letërkëmbim shpalos tërë dinamikën e bashkëpunimit të botuesit të revistës “Albania” me Ballhausplatz-in në Vjenë, që ai e shihte si orientim strategjik për realizimin e qëllimit të krijimit të shtetit shqiptar, si dhe për qëllimin që të dokumentohet programi shqiptar që Vjena mori përsipër për t’i arritur objektivat e saj politikë. Në këtë kuptim, ai që nga fillimi kishte hyrë në shërbim të Austro-Hungarisë dhe revistën e kishte bërë përçuese të politikës së saj. Korrespodenca e tij me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë vë në sheh edhe të dhëna të cilat flasin në mënyrë bindëse për pozicionin e Vjenës zyrtare ndaj lëvizjes kombëtare shqiptare dhe Perandorisë Osmane dhe në këtë kontekst edhe ndaj synimeve serbe për ekspansion territorial në drejtim të territoreve shqiptare. Nga ky letërkëmbim lexuesi ka mundësi të fitojë një pasqyrë të përgjithshme për zhvillimet brenda hapësirës shqiptare nën administratën perandorake osmane, si dhe për gjendjen politike brenda kësaj perandorie, por po ashtu edhe për caqet e aksionit politik austro-hungarez.
(Vijon në numrin e ardhshëm të shtojcës)