Shtojca për Kulturë

24 mars 1999: Oshtima e parë e raketave të NATO-s

Bombardimet e NATO-s, Prishtinë, 24 mars 1999 (Foto: Alban Bujari)

Bombardimet e NATO-s, Prishtinë, 24 mars 1999

Foto: Alban Bujari

Po shënoj me dritë të qiririt. Ka kaluar më shumë se një orë nga shenja e alarmit për rrezik nga bombardimet dhe oshtima e parë e raketave të NATO-s. Nuk e di cilat caqe janë qëlluar. Nga ballkoni i shtëpisë në Velani, prej nga shihet një pjesë e Rrafshit të Kosovës dhe ndalet në malet e Drenicës, shkreptiu si vetëtimë. Mund të ishte Goleshi. Ato ishin të shpejta dhe s’mund numërova sa herë. Jehona e krismave erdhi më vonë. Është një ndjenjë e papërshkrueshme. Po ndodh diçka që e ke dëshiruar aq kohë e s’ke pasur si ta realizosh. Një shqetësim i papërjetuar deri në këto çaste. Dua ta pranoj se këto që po i shënoj, po i shkruaj me një fije frikë, por edhe me kënaqësi për diçka të dëshiruar, të pritur

Zenun Çelaj

E premte, 19 mars 1999

Zyrtarisht kanë mbetur vetëm edhe dy ditë dimër. Por, druaj të zgjatet. Edhe kështu ishte një dimër i gjatë. Më është dukur nga më të rëndit në këto gati gjashtëdhjetë vjetët e mia. Kadare do ta quante ndoshta dimër i vetmisë. Kam inspirim të shkruaj për “Rilindjen”. Konferenca e Parisit për Kosovën ka përfunduar. Të gjithë jemi me impresionet nga akti i nënshkrimit të Marrëveshjes mbi statusin e përkohshëm të Kosovës. Por sa do të zgjasë përkohshmëria? E pastaj, çfarë statusi? E komentojmë me shokët në kafiterinë “Edi”. Një moment i ëndërruar nga të gjithë. Kot e pritëm Dë Golin serb. Tingëllon neveritshëm pohimi i diplomatit rus, Boris Majorski, se “…për Tango duhen dy”, kur në Kosovë nuk po vallëzohet. Këtu po vdiset. Mungoi gëzimi për këtë akt historik.

Millutinoviqi mbush ekranin me atë buzëqeshjen e tij neveritëse.

Ç’mund të pritet: Paqe, apo vdekje të reja?

Punët kanë hyrë në pistën e zgjidhjes. Radiot kumbojnë gjithë ditën e natën me lajmet për Kosovën e rreth Kosovës. Tash dy ditë pa “Kosovën sot”.

Një mikeshë më thërret me telefon nga Londra: “Kam informata nga dora e parë. NATO hyn në Kosovë me hatër a me zor”.

Delegacioni i Serbisë, që nuk kishte marrë pjesë në aktin e nënshkrimit të Marrëveshjes, luan rol gjoja diplomatik. Por, del shumë qesharak kur ndesh në dyer të mbyllura të ndërtesës ku ishin bërë bisedat.

E shtunë, 20 mars

Para dyqanit, ku furnizohem zakonisht, takoj fqinjin. “Jam i tmerruar. Më duket se jemi populli më i vetmuar në botë. Kam frikë”, ani pse asnjëherë në histori nuk kemi qenë të rrethuar me më shumë miq se tani. Janë miq që na kuptojnë, apo nga mëshira – vështirë të dihet. Ia them kështu.

Para ish-Bankës së Lubjanës, ku ishte selia e OSBE-së, ishte qetësi vdekjeje. Xhipat ngjyrë portokalli s’janë më. I kishim parë në mbrëmje në kolonë duke lëshuar Kosovën. Ikja e tyre gëzonte, por edhe frikësonte. Ikja e tyre paralajmëron stuhinë. Bombardime do të ketë, por ç’do të ndodhë me ne. Viliam Voker, shefi i verifikatorëve të OSBE-së, pasi në Han të Elezit i kishin vënë vulë në pasaportë që ia ndalonte hyrjen e serishme në Kosovë, deklaroi me krenarinë amerikane: “Herën tjetër në Kosovë do të futem pa pasaportë!”

Në kafenenë “Edi” s’ishte ajo tollovia e zakonshme. As në “Dora”. Fytyrat janë të njohura, të bashkëqytetarëve. Takohem me Ibrahim Osmanin, korrespondentin e “Zërit të Amerikës”. Ka luftime në të gjitha frontet, - më thotë. Ibrahimi nuk thotë asgjë pa e verifikuar mirë. Sa herë më ka interesuar e vërteta, e kam pyetur atë. Mendja më shkon menjëherë te Liraku. Ai ka muaj që ka shkuar në UÇK, në Zonën e Llapit.

Në lajmet e orës tre të pasdites të “Zërit të Amerikës” marr vesh se është sulmuar Barileva. Zjarri po i afrohet Prishtinës. Në Barilevë e kam mbesën, çikën e vëllait. Ajo nuk ka në Kosovë kë më afër se mua. Prindërit e i vëllai kanë shkuar para disa vjetësh në Amerikë. Në Prishtinë e ka edhe të motrën. E thërras Valbonën me telefon nëse dinte për fatin e saj, të dy fëmijëve e të bashkëshortit. Këtu janë të gjithë. Kishte ikur nëpër flakë. I shoqi, Fadil Rexha, kishte ardhur në këmbë.

Rruga për Podujevë është mbyllur. Prapë e kujtoj Lirakun.

Në mesnatë më thërret djali tjetër, Arianiti, nga Londra. Për Lirakun mos u bëj merak. Shëndosh e mirë është. Nuk ka pasur mundësi, më thotë, të të marrë me celularin.

E diel, 21 mars

U zgjova me ankth. Ç’mund të ketë ndodhur. Në shitoren e afërme vjedh me sy vitrinën. Edhe sot paska dalë “Koha ditore”.

Me drojën e zakonshme bëj rrugën nga Velania në qendër të qytetit. Në “Dora” takohem me miqtë. Me Agim Kasapollin, sportist e komentator sportiv i dikurshëm i TV Prishtinës, shkëmbejmë mendime.

Agimi: Më ka marrë malli për të dielat e dikurshme. Ato i përjetoja si festa. Kënaqesha vetë dhe i argëtoja të tjerët.

A do të vijë njëmend ajo ditë të dalim lirisht, të mbushim stadiumet dhe të bërtasim për pikë të qejfit, të zbrazemi duke anuar për njërën skuadër ose duke e sharë tjetrën? – e pyes.

Belul Beqaj, analist politik, jo gjithmonë optimist, pohon se do të vijë NATO. Ajo do të ndërhyjë.

Çdo ditë është vonë, - shton Qamil Hasani, ish-redaktor i TV Prishtina.

Nuk mund ta marr me mend se prapë do të dalim pa drojë, të ecim pa vjedhur me vështrim mos ke afër policë serbë, të shëtisim natën e ditën pa frikë.

Në mbrëmje, rreth orës 20, nga Londra më pyet djali: Ç’po ndodh në Velani? I përgjigjem: Qetësi! Për çdo eventualitet formoj numrin e Ibrahim Osmanit për ta pyetur ç’po ndodhte rreth meje.

Sipas informatave që kam, janë vrarë katër policë dhe një është plagosur në rrugë, jo larg shtëpisë së Fadil Hoxhës. Nga fqinjët marr vesh se e tërë lagjja ishte e rrethuar. Prita ardhjen e policëve dhe torturën. Kështu kishte ndodhur ndonjë natë më parë edhe në lagjen e Emshirit. Duket fronti po bartet në qytet. Do të na ndodhë si në Sarajevë, e bluaj me vete. Duhet ta shijojmë helmin e luftës edhe ne në qytete, - sikur dua t’i jap vetes zemër.

TVSH-ja, në ditarin e orës 20 e 30 minuta njofton për luftime në të gjitha frontet, për civilë të vrarë e të arrestuar nëpër shtëpitë e tyre.

E hënë, 22 mars

Nga dritarja e shtëpisë, në Velani, shoh udhëkryqin afër bibliotekës së fëmijëve “Hivzi Sylejmani”, te Taukkbahçja. Grupe policësh ndalin secilin kalimtar. Është larg dhe nuk mund t’i dalloj fytyrat. Por dallohen qartë lëvizjet e ashpra të policëve. Më vonë marr vesh se në atë pikë kontrolli e torturash ia kishin thyer pesë brinjë rëntgenologut dhe kushëririt tim, Hamdi Çelajt, 60 vjeç.

“E vetmja gjë që më pyetën ishte: Çfarë kombësie je? Dhe kur u thashë shqiptar, m’u hodhën sipër si bisha me shqelma, qyta e gryka armësh” – më tregoi.

Por jo vetëm atë e kishin torturuar. Edhe djalin e tij, Valonin, 12-13 vjeç, e kishin nxjerrë nga vetura, e kishin goditur me qytë të automatikut disa herë.

Qyteti duket krejt i zbrazët. Kafiteritë janë pa njerëz. Çfarë do të ndodhë? – pyet secili. Në Beograd vjen Holbruk. A do ta bind Millosheviqin ta nënshkruajë paqen. Njerëzit, aq sa e dëshirojnë sulmin e NATO-s, aq edhe ia kanë frikën. I druajnë asaj: Kur s’ke ç’i bën kalit, i bie samarit. I tërë mllefi ndaj NATO-s mund të shkarkohet mbi shqiptarët. Dirigjenti, Bahri Çela, megjithatë lutet: I dhëntë Zoti forcë e nuk e pranon. E dëshironte sulmin mbi Serbinë.

Në “Dora” bisedojmë me Fehmi Aganin. “Nëse nuk e pranon Marrëveshjen (e mendonte Millosheviqin), bombardimet do të fillojnë para së enjtes. Kjo është e sigurt” – thotë ai.

Rruga Podujevë-Prishtinë vazhdon të mbahet e mbyllur. Nga Liraku nuk kam lajme. Në mbrëmje me telefonon Ibrahim Kadriu: A dëgjove, kiamet ishte bërë në qytet. Në kafe “Koha” është vrarë Arianit Kelmendi, 30 vjeç, kurse në “Magic” Adriana Abdullahu, aktore. Te Bregu i Diellit është gjetur i vrarë Kushtrim Gashi.

Banorët e dy paralagjeve të Prishtinës – e Matiçanit dhe e Spitalit, e kanë kaluar natën jashtë. Askush nuk din të shpjegojë çfarë ka ndodhur.

E martë, 23 mars

Shkollat shqipe nuk punojnë. Qyteti praktikisht ka vdekur. Shihen vetëm ata që një hall i madh i ka qitur në rrugë dhe – policët, ai dekor i gjithë këtyre vjetëve, që na ka nxirë jetën. Nga frontet e luftës – lajme shqetësuese. Në Suharekë policia ka ekzekutuar shtatë shqiptarë për një polic serb të vrarë. Nga Skenderaj njoftohet për gjashtëmbëdhjetë shqiptarë të tjerë të ekzekutuar. Televizionet e huaja japin pamje tmerruese nga anë të ndryshme të Kosovës. Shihen kolona njerëzish duke ikur, shtëpi e fshatra të tëra në flakë.

Ç’pret? – më pyet fqinji, Idriz Krasniqi, gjithmonë kureshtar ta dinte mendimin tim, duke kujtuar se jam parashikues i mirë.

Pse nuk më pyet: Ç’dua? - i shmangem përgjigjes, të cilën nuk e kisha të sigurt.

E pra? – e vazhdon ai.

Bombardim! – ia kthej, i sigurt se ia bëja qejfin atij e vetes. Zaten, pas gjithë atyre përgatitjeve, mitingjeve e fjalëve të kreut politik e ushtarak serb s’mund të pritej ndonjë vendim paqësor.

Bëmë gjithë ç’mundem, tani do të bëjmë atë që duhet, - tha Klinton. Ndërkaq Hollbruk, pas vizitës dhe përpjekjes së dështuar për ta bindur Millosheviqin, iu drejtua Solanës: Unë e përfundova timen, tani NATO-ja e ka fjalën. Në “Zërin e Amerikës”, në lajmet në gjuhën serbe, Solana dhe Klarku njoftuan botën: Kemi marrë vendim të sulmojmë.

Nga klasa politike shqiptare, i vetmi që u deklarua pas shpalljes së vendimit të NATO-s, ishte Rexhep Qosja.

“Mos e lëshoni vendin. Dita e fitores është afër dhe atë duhet ta presim në Kosovë” – tha ai.

Jugosllavia shpalli gjendje shtetrrethimi – të rrezikut të drejtpërdrejtë nga lufta. Ne në Kosovë jemi mësuar me këtë gjendje. Tash tetëmbëdhjetë vjet.

Njoftohet se Maqedonia ka mbyllur kufirin, kurse Shqipëria ka ngritur shkallën e gatishmërisë luftarake.

Të dy djemtë e Ibrahimit (Kadriut) kanë kaluar kufirin pa pengesa. U gëzova. Mevlydja, bashkëshortja e tij, do të jetë më e qetë.

E mërkurë, 24 mars

Po shënoj me dritë të qiririt. Ka kaluar më shumë se një orë nga shenja e alarmit për rrezik nga bombardimet dhe oshtima e parë e raketave të NATO-s. Nuk e di cilat caqe janë qëlluar. Nga ballkoni i shtëpisë në Velani, prej nga shihet një pjesë e Rrafshit të Kosovës dhe ndalet në malet e Drenicës, shkreptiu si vetëtimë. Mund të ishte Goleshi. Ato ishin të shpejta dhe s’mund numërova sa herë. Jehona e krismave erdhi më vonë. Është një ndjenjë e papërshkrueshme. Po ndodh diçka që e ke dëshiruar aq kohë e s’ke pasur si ta realizosh. Një shqetësim i papërjetuar deri në këto çaste. Dua ta pranoj se këto që po i shënoj, po i shkruaj me një fije frikë, por edhe me kënaqësi për diçka të dëshiruar, të pritur.

Nga Kodra e Diellit Bashkim Bokshi më njofton me telefon: Ajvalia në flakë. Edhe Aeroporti në Sllatinë digjej. Nëpër shtëpi terr. Tamam ambient lufte. Kujtoja se lufta dukej e tillë vetëm nëpër filma.

Radio Evropa e Lirë njofton për caqet e goditura. Aq po ua kam lakmi, deri edhe bëhem xheloz, kolegëve që raportonin. Ata po shënonin historinë. Unë do të kënaqem me mbajtje ditari. Tash e tutje jo për Evropën e Lirë.

NATO për herë të parë në historinë e vet bombardon një vend sovran.

Larg, në periferi të Prishtinës, nga Velania e demonstratave studentore të 1997-s, flaka luan valle me terrin. Rreth orës 21 dëgjohet një kollitje mitralozi. Duket sikur vjen nga Kodra e Trimave.

Gjithë natën mbeta pa gjumë, duke ndjekur goditjet e NATO-s rreth e rreth Prishtinës.

Image

Bombardimet e NATO-s, Prishtinë, 24 mars 1999 (Foto: Alban Bujari)

E enjte, 25 mars

Me terr erdhi Valdetja, e bija e vëllait tim. Erdha të rri me ty, ose eja poshtë, në Ulpianë. S’të lë vetëm. Mezi e binda të kthehej te fëmijët dhe burri, në banesën e vëllait. Më dukej se prej asaj lartësie e shihja më mirë vdekjen e Serbisë në Kosovë. Iliren, me mbesat Bardhen e Rozafën, i kisha përcjellë para disa javësh për në Strugë, te prindërit e saj. Pata frikë t’i ndalja. Liraku tashmë kishte dalë botërisht si zëdhënës i UÇK-së për Zonën e Llapit dhe kisha frikë se serbët mund t’ua bënin ndonjë të zezë.

Në orën 4 e 30 minuta numërova tetë detonime, që vinin shumë afër. Dridhen dritaret e shtëpisë. Nga qendra e qytetit vijnë krisma nga armë automatike. Mes njerëzve komunikohet vetëm me telefon. Vijave duket se u është zënë fryma. Në lagje, Velani, djemtë problematikë tani janë shndërruar në roje. Bisedoj me ta nëpër terr, pa ditur cili është cili.

“Së paku të mos na zënë në gjumë. Të vdesim me sy çelë” – më thotë Dritoni.

Në orën 5 e 45 minuta erdhi drita. Edhe ashtu një gjysmë ore përpara kishte zbardhur dita.

CNN jep pamje nga bombardimet e NATO-s në Kosovë dhe në Serbi. Në Jugosllavi gjendja e luftës ka filluar të funksionojë. Kjo mund të jetë e kobshme për shqiptarët. Ata vriteshin pa i dhënë kush kujt përgjegjësi edhe para kësaj gjendjeje. Njeriu mund të shkojë si qeni në rrush.

Rreth orës nëntë u nisa të blej bukë në shitoren e lagjes, gjithnjë në Velani. E gjeta të mbyllur. Te Ibrahim Kadriu nuk mund ndenja. Nuk më zinte vendi vend. Por, ai më tregoi se mbrëmë e kishin marrë Bajram Kelmendin me dy djemtë dhe s’dihet çfarë ka ndodhur me ta. E kishin torturuar para familjes. U ktheva edhe njëherë në shtëpi. Mbylla dyert dhe dola. Lagjja dukej e vdekur. Vetëm rruga nëpër lagjen e romëve dëshmonte se ende kishte njerëz në qytet. Desha të kthehem në zyrën e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, por e gjeta derën të mbyllur. Rrugës u ndala edhe në shtëpinë e Bajram Kelmendit. Në interfon m’u paraqit e reja. I tregova kush isha dhe se vetëm më interesonte të dija për Bajramin dhe djemtë. Më tha se ende nuk dinin gjë. Nekiben nuk e trazova.

Vazhdova rrugës mbi Vellushë, duke luajtur rolin e të pafrikësuarit, dhe kalova para Teatrit Krahinor. Para ndërtesës ku është e vendosur “Koha Ditore” rrinin policë me automatikë dhe gisht në çark, që kërcënojnë. Ishin edhe dy femra, që pengoheshin të hynin brenda. Nëpër bulevardin “Nënë Tereza” njoha vetëm fytyrat e disa qytetarëve serbë. Në Ulpianë hyra në vetëshërbim. Bleva një copë djathë kaçkavall dhe një detergjent për rroba. Le të jenë. Rrugës deri në banesën e vëllait, i cili ka shkuar në Amerikë para gati dy vjetësh, takova vetëm profesorin Ajet Bytyçi. Dukej shumë i shqetësuar. Fliste me zë të ulët dhe me drojë. Në banesë pos mbesës me fëmijët dhe dhëndrit, gjeta edhe dy fëmijët e Hamdiut, kushëririt që para pak ditësh ia kishin thyer pesë brinjë. Djali i tij, Valoni, që e kishte përjetuar torturimin e babit dhe, edhe vetë kishte marrë disa goditje, dukej si i retarduar. Dora dhe këmba e djathtë i shkonin pa kontroll. Tani do ta ketë të vështirë edhe mjekimin.

Përsëri fikje dritash, bombardime nga NATO, djegie objektesh e shtëpish shqiptare nga serbët.

Edhe “Koha Ditore” u ndalua. Që sot në Kosovë nuk ka më asnjë gazetë shqipe. Vetëm Radio Kosova e Lirë dhe KosovaPressi kishin mbetur. Ato nuk mund t’i kontrollojë policia, as ushtria serbe, sepse transmetonin nga malet. Ishin të vetmet dritare.

E premte, 26 mars

Është ditëlindja e 26-të e Lirakut. E pret në front. Kur më njoftoi me telefon vendimin, vjeshtën e shkuar, kur isha në SHBA e në Angli për vizitë private, se do të shkonte “ku janë burrat”, atë e pashë të vrarë, veten të lig. Edhe më 1981 në ditëlindjen e tij shpërthyen demonstrata të përgjakshme në Prishtinë. Atë vit nuk ia patëm kremtuar ditëlindjen. Tani nuk e di nëse është i gjallë. Mediat e huaja kanë njoftuar se në Llap ka pasur konfrontime, se po zhvillohej një ofensivë e egër serbe mbi pozicionet e çlirimtarëve, se kishte të vrarë e të plagosur dhe dyndje popullsie. Tani nuk kam më lidhje telefonike. Të gjithë shqiptarëve ua kanë ndërprerë. Ndihem tepër i vetmuar. Komunikimin me botën e kam vetëm në një drejtim: atë që ma thotë televizioni ose radioja. Fatmirësisht kam një transistor, me të cilin mund të ndjek lajmet edhe kur nuk ka rrymë.

Valdetja kishte mbushur enët me ujë. Por, rezerva ushqimore nuk kemi për shumë ditë. Ka pak makarona e pak miell. Sot, pas një pritjeje disa orësh në radhë për bukë, shitësi serb u kishte thënë shqiptarëve: “Ç’pritni ju shqiptarët? E keni dashur NATO-n, e këtu pritni bukën serbe?!” U kthye pa bukë.

Nga dritarja e pashë para ndërtesës ku jam vendosur Nekibe Kelmendin. E zura me vrap. Ishte shumë e shqetësuar. Nuk mund i ndalte lotët.

“Erdhën natën. Hynë si bisha. E torturuan para syve tanë. Kushtrimin, të voglin, s’e lanë as të mbathej. Ishin me uniforma të zeza, me shenjën e policisë. Pa maska. Asgjë s’di për ta. Kur pyeta në polici, m’u përgjigjen me cinizëm: Terroristët tuaj e kanë marrë. Në një zyrë m’u kërcënuan edhe mua.” – më tha.

Përflitej mos ishte në arrest. Fatkeqësisht atë mbrëmje mediet e huaja njoftuan se Bajram Kelmendi me dy djemtë ishin gjetur të vrarë në rrugë, në mes Prishtinës e Fushë-Kosovës.

Dritat u ndalen më herët se netëve të tjera. U mbyllëm brenda me terrin. Tani mund të dëgjoja lajme vetëm përmes transistorit, por edhe ato të mangëta. S’ka kush të informojë.

Arianiti më gjeti përmes një telefoni të fqinjit, Qazim Qerimit, përmbi banesën e vëllait. Më gëzoi shumë. Më tregoi se një natë përpara kishte biseduar me të vëllanë, Lirakun. Kjo më gëzoi edhe më shumë. Tani e dija se i kishte shpëtuar ofensivës së një dite më parë. U emocionova shumë. I thashë që nëse mund të vendoste lidhje me të t’ia uronte ditëlindjen. Po mezi i qita fjalët. M’u ngushtua fyti, sa m’u ndal edhe zëri.

Natën, nën dritaret e banesës, defiluan mjete motoristike të ushtrisë ose të policisë. Tash ato nuk dalloheshin. I shikova nga terri. Pritsha nëse do të ndalej ndonjëra para hyrjes sime. Thashë me vete jam bërë paranoik.

E shtunë, 27 mars

Marr hapa qetësues dhe ata më ndihmojnë për gjumë. U zgjova kur Vetima dhe Valoni, fëmijët e kushëririt, donin të shkonin. Nuk i lash. Më vonë erdh e ëma dhe i mori. Ndërkohë erdhi edhe Ibrahim Kadriu, kolegu e shoku i gjithë këtyre viteve të shkuara. Nuk e dija se ç’kishte ndodhur me të që atë mëngjes, kur isha te ai. Nga Velania, ku jetonte edhe ai, i kishin përzënë të gjithë. Ai kishte zbritur në Dardani, te i vëllai i gruas. U gëzova pa masë kur e pashë. Në mëngjes ia dëgjova zërin edhe Nehat Islamit, kolegut e shokut tjetër. Tani e dija se edhe ai ishte gjallë. Kur doli Ibrahimi, më tha se do të kthehej te Nehati. Por, nga dritarja e pashë duke shkuar në drejtimin e kundërt. Çfarë është ai, shkon në Velani.

Nga mesdita më thirri djali nga Londra. Më njoftoi se kishte biseduar me Lirakun dhe se ishte mirë. “Halldyzi është plot optimizëm” – më tha ai për të vëllanë. U çlirova nga ankthi.

Vetëm kur në ekranin e televizionit shqiptar u shfaqen pamje nga festimi, e morëm vesh se sot ishte dita e Bajramit.

Telefonin e fqinjit, ku mund të më gjente, e kishte gjetur edhe Elez Biberaj, shefi i seksionit shqip të “Zërit të Amerikës”. Ishte shumë i preokupuar me situatën dhe fatin e Kosovës. Dritat u fikën rreth orës 5 e 30 minuta, pas ditës. Ishte një natë e gjatë dhe pa gjumë. Ndoqa “Evropën e Lirë” deri në orën pesë të mëngjesit. U shqetësova tej mase. Njoftohej për dhjetëra mijë të dëbuar me forcë, të dëbuar nga fshatrat e Prizrenit. U njoftua për masakrën në Gjakovë dhe për dhunën në Pejë. Fola me nipin në Vitomiricë, Hysni Prelvukajn. Më tregoi se në Pejë i kishin ndjekur të gjithë shqiptarët prej Kapeshnice, Zatrave. Thotë se ka shumë të vrarë.

E diel, 28 mars

Ishte një natë e gjatë, por e qetë. Rreth orës 21 prishën qetësinë disa shpërthime, por nuk dihej nëse ishin nga NATO, apo të forcave serbe.

Bajram Kelmendi me djemtë u varrosën. Edhe në këto rrethana avokatin e përcollën me nderime. Për figurën e tij folën Vehap Shita e Adem Demaçi. Unë pata frikë të shkoj. Përveç “mëkateve” të mia (ende është e hapur procedura kundër meje për vepër penale bashkim kundër integritetit territorial të Jugosllavisë, për shkak të raportit nga Kuvendi i Kaçanikut) për të cilat më kishte mbrojtur Bajrami, tani më rrezikonte edhe pjesëmarrja e djalit, Lirakut, në luftë.

Nga frontet vijnë lajme edhe më shqetësuese. Ofensiva serbe është edhe më e egër. Vazhdojnë dëbimet dhe masakrat. Vetëm në Bellacerkë të Rahovecit, sipas lajmeve, i kanë vrarë 50 civilë. Nga familja Popaj janë vrarë 19 veta.

Është dita e katërt që nuk kam dalë nga banesa. Më duket sikur jam në burg.

Fola me telefon, gjithnjë nga Qazimi, me Arianitin dhe Iliren, bashkëshorten e tij. Liraku është gjallë. Ky është i vetmi lajm i gëzueshëm. Më tmerrojnë njoftimet për dhjetëra mijë të zhvendosur, nën qiellin e hapur. Edhe sa do të zgjasë kjo çmendi?

Shkëputur nga kapitulli “Ditari luftës: Ferri para lirisë” i librit “Udhëtim në të shkuarën” i Zenun Çelajt, Botimet KOHA, tetor 2020. Titulli i këtij artikulli është i Redaksisë