Si pjesë e administratës bullgare ishte edhe atdhetari i shquar, Josif Bageri (1867 – 1916), i cili ishte emëruar në pozitën e anëtarit të Komisionit të Qarkut të Prishtinës dhe të cilin e gjeti vdekja në kryeqendrën e Kosovës. Lidhur me vdekjen e tij, por edhe me ceremoninë e varrimit atëbotë ka raportuar gazeta bullgare “Rodnina” e datës 13 maj 1916, që publikohej në Shkup. Në vijim po e paraqesim raportin e kësaj gazete nga Prishtina e pikëlluar e pranverës së vitit 1916
Duke e pasur parasysh ndjeshmërinë e shqiptarëve ndaj situatës së krijuar pas vitit 1912, sidomos në viset e dikurshme të Vilajetit të Kosovës dhe të Manastirit, qarqet e atëhershme politike dhe ushtarake të Sofjes përgjatë viteve 1915 – 1918, në viset shqiptare emëruan administrues apo figura fetare që i njihnin më për së afërmi kulturën, por edhe zakonet shqiptare. Për dallim prej nëpunësve, emërimi i figurave fetare u bë në bashkëpunim me qarqet fetare të Turqisë! Mirëpo, nuk duhet lënë anash faktet se në pjesën dërmuese të viseve shqiptare, shumë nëpunës ishin shqiptarë ortodoksë të cilët në shekujt e fundit kishin migruar në Bullgari dhe që akoma e ruanin gjuhën dhe kulturën shqiptare.
Në radhët e administratën bullgare në tokat shqiptare, jo të paktë ishin sidomos shqiptarët ortodoksë të Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht të krahinës së Rekës, Ohrit, Strugës por që në mbiemrat e tyre tashmë ata e kishin të vendosur prapashtesën e zakonshme ov!
Si pjesë e administratës bullgare ishte edhe atdhetari i shquar Josif Bageri (1867 – 1916) i cili ishte emëruar në pozitën e anëtarit të Komisionit të Qarkut të Prishtinës dhe të cilin e gjeti vdekja në kryeqendrën e Kosovës. Lidhur me vdekjen e tij por edhe me ceremoninë e varrimit atëbotë ka raportuar gazeta bullgare “Rodnina” e datës 13 maj 1916, që publikohej në Shkup. Në vijim po e paraqesim raportin e kësaj gazete nga Prishtina e pikëlluar e pranverës së vitit 1916.
Drejt spitalit “Kosova” në Prishtinë
“Varrimi i anëtarit të Komisionit të Përhershëm të Qarkut të Prishtinës, Josif Bageri, u bë në orën 4 (16) të 2 majit të vitit 1916 sipas këtij rendi: të ndjerit një nekrolog iu publikua prej miqve, ndërsa një tjetër prej Komunës së Prishtinës. Administruesi i Qarkut të Prishtinës e urdhëroi tubimin e të gjithë nëpunësve në ndërtesën e Administrimit të Qarkut, dhe ashtu ndodhi. Prej këtu kolona në krye me drejtuesin e Qarkut të Prishtinës u nisën drejt spitalit “Kosova” ku gjenden mbetjet mortore të të ndjerit Josif Bageri. Prej përfaqësueseve të Komunës së Prishtinës pjesë mori vetë kmeti N. Aleksievi me anëtarët e tjerë, nëpunës të shumtë si dhe një numër i madh i shqiptarëve të prirë nga myftiu i Prishtinës, më pastaj bejlerët Shukri beu, Xhemal beu, por aty ishte edhe mjeku Zejnel Abedin Sadiku.
Qytetarëve të pikëlluar në krye me krerët fetarë që u printe arqimandriti, Trifun Stojanovi prej spitalit u nisën drejt kishës së “Shën Nikollës”
Mbi varrin e Josif Bagerit, fjalën e mbajti inspektori i arsimit për Qarkun e Prishtinës dhe të Prizrenit, Lazar Dimitrovi, i cili i transmetoi fjalët dhe amanetet që i ndjeri i la para se t’i mbyllte sytë. Pas Dimtrovit, fjalën e mori mjeku shqiptar, Zenel Abedin Sadiku.
Ja fjala e z Dimitrov:
Qytetarë të pikëlluar
“I ndjeri Josif Bageri është lindur në fshatin Nistrovë të Rekës së Epërme (Dibër) në vitin 1867. Qysh si fëmijë shkoi në Konstatinpol. Shpirti i tij atëbotë nuk mundi ta duronte politikën e atëhershme shtypëse shtetërore, kështu që menjëherë pas çlirimit të Bullgarisë, ai e braktisi Kostandinopojën dhe u vendos në Sofje, ku jetoi ndër vite deri kohë më parë dhe ku akoma i jeton familja, bashkëshortja me fëmijët e vegjël. Josif Bageri me përkatësi kombëtare ishte shqiptar, por me edukim ishte një “bullgar i zjarrtë”.
Pasi ishte lindur në Maqedoni, ai e donte pamasë popullin bullgar. Bageri e deshi lirinë me afsh dhe duke e lidhur atë me Maqedoninë, ai thoshte se ashtu do të mund të çlirohej edhe Shqipëria. Për këtë ai ishte një pjesëmarrës i gjallë i Lëvizjes Revolucionare për çlirimin e Maqedonisë dhe Shqipërisë.
Djali i tij i madh si kryengritës i la eshtrat nëpër malet e Maqedonisë, ndërsa djali i dytë tani është ushtar.

Edhe pse pa shkollim sistematik, ai kishte një kulturë të lartë të dijes që e fitoi gjatë vetëmësimit të vazhdueshëm. Bageri kishte dhunti për gazetarinë, madje edhe për poezinë. Ai shkroi artikuj për gazetat bullgare, përpiloi libra shkollorë në gjuhën shqipe dhe siç është e njohur ai e drejtoi edhe gazetën “Shqypeja e Shqypënisë”. Për realizmin e lirisë ai luftoi me shkrime, por edhe me armë në dorë. Në lëvizjen për çlirimin kombëtar të shqiptarëve, Bageri u radhit në përkrahje të princit Vid, duke marrë pjesë në organizmin e nacionalistëve shqiptarë në rrethinat e Durrësit. I ndjeri e simpatizonte popullin bullgar për shkak të shpirtit progresiv, demokratik dhe liridashës, por edhe për shkak të virtyteve të larta dhe karakterit mirëbërës të këtij populli. Prandaj Josif Bageri, punoi për vëllazërimin e dy kombeve, duke e parë këtë vëllazërim si mbrojtje nga apetitet e huaja hegjemoniste.
Çfarë entuziazmi e shtyri Josif Begerin që të nisej prej Sofje dhe të përfshihet si anëtar i Komisionit të Përhershëm të Qarkut të Prishtinës?! Në radhë të parë, para tij u hap një fushë e gjerë për ndërmarrjen e aktiviteteve nismëtare dhe ai me gjithë shpirt e zemër u përgatit që të jetë i përkushtuar dhe deri në pikën e fundit t’i shërbejë shtetit duke qenë ithtar i krijimit të bazës së shëndoshë të miqësisë dhe vëllazërimit midis bullgarëve dhe shqiptarëve. Dhe me vdekjen e tij ne e humbëm një fuqi të pakompensueshme. Por, jeta ka përcaktuar diçka tjetër. Vdekja e pamëshirshme e grabiti atë nga mesi ynë. Vdekja e preu jetën e një qytetari modest, e një qytetari të shkëlqyeshëm, e një të krishteri të devotshëm, e një babai shembullor”.
“Trupin të ma çoni në Nistrovë”
“Për qartësimin më ilustrues të personalitetit të Bagerit që së shpejti do të mbulohet me dheun e zi e të ftohtë dhe e i cili dhe përgjithmonë do të fshehë fytyrën e tij prej syve tanë, këtu para jush do t’i zbuloj fjalët dhe amanetet e tij të fundit. Para Festës së Pashkëve, gjatë një krize të trishtueshme, në prezencën time dhe të kmetit të Prishtinës z. Aleksiev me vetëdije të plotë, ai mi diktoi fjalët që tani unë po i përcjell para jush. Dhe pas fjalëve që i dëgjova, gjendja e tij ndryshoi për të mirë, kështu që tek ai por edhe te ne u ngjallën shpresat e mëdha se ai do të shërohej. Fatkeqësisht ato shpresa u shuan. Ja fjalët dhe amanetet e tij: “Njeriu lind në këtë botë që të vdesë lavdueshëm. Është gëzim i madh – që ta dish se kur do të vdesësh. Këtë e përjeton vetëm ai njeri i cili pa ndonjë interes e ka larë borxhin e tij ndaj atdheut. Jetoni mirë me shqiptarët dhe do të jeni krenarë! Ju bëni të fala të gjithë vëllezërve që kanë qenë pjesë e Komitetit të Maqedonisë. Unë isha shumë modest midis tyre, por e kam kryer një punë të shenjtë – puna ime do të vlerësohet më vonë”. Bashkëshortes sime uroni shumë shëndet, dhe të gjithë maqedonasit le ta ndihmojë atë qoftë që ndihma e tyre të jetë sa maja e gjilpërës, edhe pse edhe ajo e përjetoi vdekjen e të birit që u viktimizua për lirinë e Maqedonisë. Bëni çfarë të bëni, të fituarën ruajeni si gjënë më të bekuar, por nëse mundeni dhe ju premton koha trupin tim ma çoni në vendlindjen time në Nistrovë. Prej një shqiptari modest që po ia dorëzon shpirtin Zotit, bëni shumë të fala mbarë kombit bullgar! Shqiptarët myslimanë, nëse dëshirojnë të jetojnë mirë, le t’i përkrahin bullgarët. Me anë të përkushtimit të tyre ata do të mund t’i realizojnë idealet e tyre”. Fjalët e mësipërme njëherësh hedhin dritë të plotë mbi personalitetin e të ndjerit dhe nuk nevojitet asnjë shkronjë më tepër që të paraqitet gjendja e afërsisë bullgaro–shqiptare sesa që Josif Bageri e ka bërë me fjalët e tij. Fjalimin tim do ta përmbyll me fjalët e thëna në nekrolog:
I shtrenjti Bageri, ti do të në lësh përgjithmonë. Ne nuk do të harrojmë ty kurrë! Shko i qetë në banesën e përjetshme, edhe pse modest dhe me vetëdije ti i ke kryer detyrat qytetare dhe fetare!
Lavdi e përjetshme!”