Shtojca për Kulturë

2 dhjetor 1940: Vendimi i regjimit serb për shkatërrimin e Xhamisë së Sinan Pashës në Prizren

Pos bukurisë së saj, Xhamia e Sinan Pashës në Prizren veçohet edhe për faktin se si shpëtoi prej shkatërrimit total nga pushteti serbomadh. Gjyqi i Qarkut të Prizrenit nxori një vendim për shkatërrimin e saj, gjoja sepse ishte pronë e Kishës Serbe. Me vendimin e 2 dhjetorit të vitit 1940 Xhaminë e la në dispozicion të Kishës, e cila për ta shkatërruar thuri legjendën se ajo u ndërtua me gurët e Manastirit të Arkangjelit. Qenë rrethanat e kohës që e shpëtuan. Një histori si kjo nxjerr në dritë edhe një tjetër aferë: mungesën e mbrojtjes nga pala e dëmtuar

Xhamia e Sofi Sinan Pashës në Prizren, e ndërtuar më 1615, është perla e qytetit që e bën atë gjithnjë më tërheqëse për turistë të huaj. Ndonëse kemi në Kosovë edha xhami të tjera me vlerë historike si në Prishtinë, Pejë e Gjakovë, Xhamia e Sinan Pashës ka arsye të konsiderohet si ndër xhamitë më të bukura në viset shqiptare, qoftë nga pamja e jashtme, qoftë nga enterieri me piktura me motive florale.

Pretendimet se është pronë e Kishës Serbe

Megjithatë, Xhamia e Sinan Pashës veçohet edhe për faktin se si shpëtoi prej shkatërrimit total nga pushteti serbomadh mu në kohën kur u shkatërrua Xhamia e Burmalisë ose “bukuroshja e Shkupit” buzë Vardarit, më 1924. Kështu, Xhamia e Sinan Pashës mbeti e dëmtuar e nën rrezik të shkatërrimit total deri në fund të vitit 1940, kur edhe Gjyqi i Qarkut të Prizrenit nxori një vendim për shkatërrimin e saj gjoja sepse ishte pronë e Kishës Serbe. Mu për këtë, Xhamia e Sinan Pashës mbeti si mrekulli jo vetëm si objekt me vlera historike e artistike, por edhe se si shpëtoi prej shkatërrimit total deri në vitin 1941, përkundër vendimit gjyqësor për shkatërrimin e saj.

Legjenda për Xhaminë me gurët e Manastirit të Arkangjelit

Sofi Sinan Pasha, nga Vila e Shqipërisë, që i takonte atëherë Sanxhakut të Prizrenit, kishte zgjedhur vend të mirë për ndërtimin e Xhamisë duke përdorur edhe gurë të Manastirit të Arkangjelit të shenjtë afër Prizrenit, i cili ishte në rrënim që nga shekulli XVI, pra gati një shekull para ndërtimit të Xhamisë më 1615. Mirëpo me hovin e ri nacionalist serb u krijua me kohë legjenda që përshkruan se si Sinan Pasha e mori lejen e sulltanit për shkatërrimin e Manastirit që ta ndërtojë xhaminë e vet me gurët e tij. Këtë legjendë e demaskoi me kohë Hasan Kaleshi në disa shkrime të hershme dhe në librin e tij të botuar në Prishtinë më 1972 me titull “Dokumentet më të vjetra të vakufit në gjuhën arabe në Jugosllavi”. Megjithatë, kjo legjendë u shfrytëzua nga pushteti serbomadh në Jugosllavinë e vjetër (1918-1941) për ta shkatërruar Xhaminë e Sinan Pashës gjoja si pronë e Kishës Ortodokse Serbe, pasi që është ndërtuar me rrënimin e manastirit të përmendur.

Ç’është e vërteta, Xhamia e Sinan Pashës mbeti në mëshirë të pushtetit të ri që nga 1912, së pari serb (1912-1915) e pastaj bullgar (1915-1918). Gjatë asaj kohe Xhamia u konfiskua dhe u shndërrua në depo ushtarake, përkatësisht si depo e municionit. Me përfundimin e Luftës së Parë Botërore dhe me themelimin e Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve u paraqit euforia serbe kundër myslimanëve në Kosovë, Maqedoni e në Bosnje, përkundër asaj që shteti i ri e nënshkroi më 1919 Traktatin e San Xhermanit në Paris për mbrojtjen e pakicave. Në kuadër të asaj euforie agresive nacionaliste u vranë shumë myslimanë dhe u dëmtuan shumë monumente me vlerë historike, përkundër protestave të kreut të Bashkësisë Islame që u formua atëherë.

Image
Vetëm në vitin 1952 filloi konservimi i brendshëm i Xhamisë dhe me vonesë të madhe u hap më 1968 si muze për dorëshkrimet orientale, kurse me kërkesë të kreut të Bashkësisë Islame në Sarajevë u kthye më 1969 në posedim dhe mirëmbajtje të Bashkësisë Islame në Prizren me vendim gjyqësor. Mirëpo Xhamia kishte nevojë për rinovime shumëvjeçare, derisa u hap për besimtarët më 2007 (Foto: Driton Paçarada)

Euforia e nacionalizmit serb dhe nisja e shkatërrimit më 1922

Në kuadër të kësaj fushate më 1922 pushteti i ri serbomadh filloi që ta shkatërrojë Xhaminë e Sinan Pashës, duke filluar me hajatin, gjë që nxiti protestën e popullit në Prizren dhe e detyroi pushtetin të ndërpresë aksionin e shkatërrimit përkohësisht. Mu në atë kohë, pushteti i ri e shkatërroi në pikë të ditës Xhaminë e Burmalisë në Shkup më 1924 për ta ndërtuar në vendin e saj “Shtëpinë e armatës”.

Pas reformimit të shtetit, që mori emrin e ri (Mbretëria e Jugosllavisë), më 1929, u krijua edhe bashkësia e re islame në nivel të shtetit që mori më shumë garanci për myslimanët dhe statusin e tyre. Në kuadër të kësaj bashkësie u formuan dy këshilla (mexhlise) të barabarta, një me seli në Sarajevë e një me seli në Shkup, që mbulonte Maqedoninë e Kosovën. Mirëpo pushteti serbomadh nuk ishte i kënaqur me paraqitjen e shqiptarëve në skenë në Kosovë e Maqedoni nën ombrellën e kësaj organizate nën udhëheqjen e Ferhat Dragës. Me kontributin e Ferhat Dragës u arrit që Kushtetuta e re e Bashkësisë Islame më 1930 të garantonte autonomi për myslimanët dhe të drejtën për menaxhimin e pronave të tyre duke përfshirë edhe xhamitë.

Mirëpo kjo paraqitje e shqiptarëve në krye me Ferhat Dragën e zemëroi pushtetin serbomadh dhe e shtyri ministrin e Drejtësisë, L. Markoviq, në maj 1940 t’i pezullojë të gjitha organet legjitime të Bashkësisë Fetare Islame në Shkup dhe në vend të tyre ta emërojë një komisariat shtetëror me elementë proserbë që do t’i shërbente planit të pushtetit për eliminimin e ndikimit të faktorit shqiptar në institucionin (BIJ) që ka për qëllim mbrojtjen e pronave të myslimanëve dhe menaxhimin e tyre.

Image
Xhamia e Sinan Pashës ka arsye të konsiderohet si ndër xhamitë më të bukura në viset shqiptare, qoftë nga pamja e jashtme, qoftë nga enterieri me piktura me motive florale (Foto: Driton Paçarada)

Rikthimi i kërkesës për shkatërrim nga Kisha Ortodokse Serbe

Në këto kushte Kisha Ortodokse Serbe ngriti përsëri kërkesën për shkatërrimin e Xhamisë së Sinan Pashës dhe dorëzimin e saj te Kisha në bazë të asaj legjende se gjoja Sinan Pasha e kishte rrënuar Manastirin e Arkangjelit të shenjtë për ta ndërtuar Xhaminë me gurët e tij. Këto detaje mbetën të panjohura, nuk u përmendën as në librin e njohur të Kaleshit, deri kur i zbuloi historiani Qerim Lita në një kumtesë për një konferencë ndërkombëtare në Tiranë, që u botua më 2021.

Kështu, pas shqyrtimit të kërkesës së Kishës Ortodokse Serbe, Gjyqi i Qarkut në Prizren nxori më 2 dhjetor 1940 vendimin me cilin e la Xhaminë e Sinan Pashës në dispozicion të Kishës. Në arsyetimin e vendimit thuhet se Xhamia “e cila është ndërtuar në këtë truall përbën pronën e palës paditëse, sepse është ndërtuar... me materialin e Manastirit të rrënuar në Shën Arkangjeli e ndërtuar nga Car Dushani, i cili manastir është rrënuar përmes terrorit dhe dhunës, ndërsa materiali është bartur në Prizren dhe nga ky material është ndërtuar Xhamia...”.

Në këtë vendim shihet qartë ndikimi i ideologjisë, përkatësisht i politikës antishqiptare, e cila bazohej në atë legjendë serbe që u përmend më lart. Por këtu del afera tjetër: mungesa e mbrojtjes së palës së dëmtuar! Më fjalë të tjera, këtu del motivi për pezullimin e organeve legjitime të Bashkësisë Islame për Maqedoni e Kosovë dhe vendosjen e Komisariatit në maj të vitit 1940, sepse organi i ri i emëruar nga pushteti nuk u paraqit fare në gjyq për ta mbrojtur pronën e vet.

Kjo mungesë e nxiti kryetarin, Reis-ul-ulema të Bashkësisë Islame në Sarajevë, që t’i drejtohej ministrit të Drejtësisë më 24 dhjetor 1940 duke thënë “në gjyqin e Qarkut të Prizrenit për Xhaminë e atjeshme të Sinan pashës, për të cilën Komisariati nuk ka dërguar përfaqësuesin e vet mbrojtës, për çka është sjellë vendimi që Xhamia i është dhënë Kishës”. Kuptohet, kjo ishte një protestë që demaskonte qëllimin e pezullimit të organeve legjitime të Bashkësisë Islame që t’i lejohej Kishës Ortodokse Serbe që të paraqitëse në gjyq kërkesën për shkatërrimin e Xhamisë dhe kthimin e truallit në pronë të saj pa prani të palës së dëmtuar!

Shkatërrimi si çështje ditësh për Kishën dhe anulimi i vendimit

Me këtë vendim arbitrar që legalizoi legjendën serbe dhe ktheu Xhaminë në pronë të Kishës Ortodokse Serbe, shkatërrimi i Xhamisë mbeti çështje ditësh për Kishën. Në këto rrethana koha e shpëtoi Xhaminë, përkatësisht shkatërrimi i Mbretërisë se Jugosllavisë si pasojë e pushtimit të Boshtit më 6 prill 1941, me çka u krijua Shqipëria etnike (1941-1944). Mu në Prizren, ku u formua Lidhja e Dytë e Prizrenit në shtator 1943, nën diktimin e pushtetit të ri u mor vendimi në korrik 1945 që Kosova “me dëshirë të popullsisë së saj i bashkohej Serbisë federale në kuadër të Federatës jugosllave”.

Në këtë gjendje të re, e cila u karakterizua me afrimin me Shqipërinë deri më 1948, pushteti i ri komunist në Kosovë nxori vendimin për marrjen e Xhamisë nën mbrojtjen e shtetit, me çka de facto u anulua vendimi i Gjyqit të Qarkut të Prizrenit më 2 dhjetor 1940. Megjithatë, vetëm në vitin 1952 filloi konservimi i brendshëm i Xhamisë dhe me vonesë të madhe u hap më 1968 si muze për dorëshkrimet orientale, kurse me kërkesë të kreut të Bashkësisë Islame në Sarajevë u kthye më 1969 në posedim dhe mirëmbajtje të Bashkësisë Islame në Prizren me vendim gjyqësor. Mirëpo Xhamia kishte nevojë për rinovime shumëvjeçare derisa u hap për besimtarët më 2007, kurse më 2013-2015 u kryen punimet për rregullimin e oborrit me ndihmën e agjencisë turke (TIKA), e cila e ktheu Xhaminë në atraksion edhe për turistë nga bota.