Programi i Mürzstegut i vitit 1903 trazoi Serbinë. Beogradi vuri në lëvizje bandat e armatosura për të shkaktuar trazira në Kosovë dhe dërgoi emisarë të ndryshëm fetarë dhe politikë për ta dezorientuar faktorin shqiptar dhe lëvizjen e tyre kombëtare. Pos kësaj, Serbia, nga njëra anë, këmbëngulte në ndjekjen dhe asgjësimin e çetave komite shqiptare, si dhe në çarmatosje e plotë të popullsisë shqiptare, kurse, në anën tjetër, ajo i hapte rrugë dhe mbështeste financiarisht organizimin dhe operimin e çetave komite serbe
Politika serbe ishte e alarmuar me Programin e Mürzstegut të vitit 1903 që parashihte vendosjen e misionit austro-hungarez edhe në territorin juglindor të Kosovës, që përkufizohej me shtetin serb. Në optikën serbe vendosja e një misioni të tillë paraqiste një pengesë për realizimin e idesë së Serbisë së Madhe, përkatësisht një pengesë për pushtimin e Kosovës. Por, në zonat ku kishte kundërshtime, u vendos që ato të përjashtoheshin nga procesi i reformave. Prandaj, Beogradi vuri në lëvizje bandat e armatosura për të shkaktuar trazira dhe dërgoi emisarë të ndryshëm fetarë dhe politikë për ta dezorientuar faktorin shqiptar dhe lëvizjen e tyre kombëtare.
Pos kësaj, Serbia, nga njëra anë, këmbëngulte në ndjekjen dhe asgjësimin e çetave komite shqiptare, si dhe në çarmatosje e plotë të popullsisë shqiptare, kurse, në anën tjetër, ajo i hapte rrugë dhe mbështeste financiarisht organizimin dhe operimin e çetave komite serbe.
Armë për serbët në mbrojtje nga “zullumet shqiptare”
Beogradi në të njëjtën kohë u angazhua që të armatoste popullatën serbe me pretekstin e mbrojtjes së saj nga pasiguria e autoritete osmane dhe nga “zullumet shqiptare”. Furnizimin me armë dhe municione e mori në dorë personeli i Konsullatës Serbe në Prishtinë dhe në Shkup. Krahas shpërndarjes së armëve u shtuan edhe lëvizjet e çetave të vogla komite të organizuara në Serbi, të përbërë nga serbët e viseve të ndryshme, që nga Kosova e deri në Dalmaci. Veprimet e tyre terroriste mbështeteshin nga oficerët e shtetit serb. Autoriteteve shtetërore osmane u shkonte për shtat që çetat komite serbe të zhvillonin veprime të lira të armatosura në jug të Kaçanikut dhe në tërë Vilajetin e Manastirit kundër çetave bullgare për ta asnjanësuar më shumë propagandën bullgare.
Në këtë situatë interes kishte edhe Serbia, e cila dëshironte të ketë marrëdhënie të mira me Perandorinë Osmane edhe për shkak të marrëdhënieve gjithnjë e më të tensionuara me Austro-Hungarinë.
Misioni i murgjve serbë të financuar nga Rusia
Ndryshe nga Maqedonia, në Vilajetin e Kosovës çetat komite serbe futeshin ilegalisht dhe shteroheshin në fshatrat serbe, dhe zhvillonin luftë guerile të kombinuar me akte terroriste.
Qëllimi kryesor i tyre ishte të tensiononin marrëdhëniet midis popullatës shqiptare dhe serbe dhe në të njëjtën kohë luftonin kundër lëvizjes kombëtare shqiptare. Derisa murgjit fetarë, të subvencionuar edhe nga Rusia i frynin propagandës së njohur të vetëviktimizimit të komunitetit serb në Kosovë, emisarët politikë përhapnin propagandën se qëllimi i vendosjes së austro-hungarezëve në Kosovë ishte pushtimi dhe rrëmbimi i tokave të shqiptarëve për qëllime ushtarake dhe ndërtimit të linjave hekurudhore. Duke shfrytëzuar këtë alibi dhe duke përdorur edhe element konservator mysliman, duke i nxitur kundër elementit të krishterët, shqiptarët filluan lëvizje dhe protesta kundër një misioni të tillë. Madje propagandistët serbë arritën që vite më vonë, të cytnin shqiptarët që të marshonin në Shkup, aty ishte qendra e misionit austro-hungarez, me qëllim që të pamundësohej veprimtaria e tij dhe t’i bëhej e qartë se ishin të padëshiruar në Kosovë.
Efekti i propagandës, shqiptarët kundër Austro-Hungarisë
Si rrjedhojë, Austro-Hungaria hoqi dorë nga vendosja në Kosovën Juglindore dhe me këtë mbeti i lirë operimi i bandave serbe, të cilat në periudhën e rënies së shtetit osman operonin pa penguar brenda manastireve dhe lokaliteteve serbe.
Për më tepër, në Beograd punohej kundër çdo reforme të Perandorisë Osmane që shkonte në interes të zgjerimit të interesave kombëtare të shqiptarëve. Në këtë kuadër, Beogradi ishte edhe kundër benefiteve që sillte marrëveshja e Mürzstegut, e cila synonte që shtetin e vjetër osman në Ballkan ta shndërronte në një shtet kushtetues sipas modelit evropian. Detyra kryesore e këtyre oficerëve, të cilët filluan punën si trajnerë, ishte riorganizimi i policisë osmane dhe, në një farë mënyre, trajnimi i tyre. Por i gjithë autoriteti do t'u takonte oficerëve turq. Si rrjedhojë e këtyre rrethanave të turbullta në Ballkanin Jugor, ku përveç Serbisë synime territoriale kishin edhe Bullgaria dhe Greqia, agjentët civilë mbretërorë dhe perandorakë austro-hungarezë bënë përpjekje për të realizuat misionin dhe synimet e politikës vjeneze, e cila në këtë periudhë synonte të ruante status quo-në territoriale në Ballkan dhe me këtë edhe të mbronin interesat shqiptare përballë kërcënimit permanent serb. Pikërisht kjo ishte arsyeja pse politika serbe i nxiste shqiptarët që të ngriheshin kundër një reforme të tillë dhe që misioni austro-hungarez të shihej si jomikpritëse nga popullata vendore shqiptare.
Mars, 1904: Përplasjet me karakter fetar
Në mars të vitit 1904, shqiptarët e vilajetit të Kosovës i dërguan qeverisë turke një rezolutë ku kundërshtonin reformat dhe ndërhyrjen e fuqive evropiane, veçanërisht vendosjen e nëpunësve rusë në vilajete. Po ashtu, kombësitë e ndryshme në rajon penguan më tej punën e oficerëve në vilajetet osmane. Nuk ishte vetëm popullsia e krishterë që kundërshtoi programin e reformës. Shqiptarët dhe turqit që jetojnë në rajon kundërshtuan gjithashtu përfshirjen e të krishterëve në forcat policore, e cila ishte parashikuar në Programin Mürzsteg. Sidomos udhëheqësve shqiptarë në Kosovë nuk u pëlqenin privilegjet që u jepeshin të krishterëve ortodoksë. Për këtë arsye, ata nuk përmbaheshin nga ngacmimi i këtyre elementëve. Shqiptarët, për shembull, e perceptuan dhënien e privilegjeve dhe lirive nënshtetasve të krishterë në Shkup, ku shumica dërrmuese ishin myslimanë, si një poshtërim dhe fyerje. Për këtë arsye, ata nuk u përmbajtën të shfaqnin armiqësi ndaj zyrtarëve austro-hungarezë dhe t'i ngacmonin në rrethe si në Kumanovë.
Isa Boletini në organizim për ta penguar misionin austro-hungarez
Sipas gjeneral-mareshalit August Urbanski, asokohe shef i Misionit të Oficerëve Austro-Hungarez në Vilajetin e Kosovës, ka bërë një shënim shumë të rëndësishëm lidhur me pozicionin e shqiptarëve dhe të njërit nga udhëheqësit më të fuqishëm shqiptarë, Isa Boletini që ishte organizuar për ta penguar misionin austro-hungarez në Shkup që të shtrinte misionin në pjesën lindore të Kosovës, duke përdorur propagandën e vendeve fqinje se Vjena kishte synim të pushtonte territorin e Kosovës, ashtu siç kishin bërë para 30 vjetësh në Bosnjë. Isa Boletini, i cili së bashku me ndjekësit e tij dhe me agjitatorët ishte nisur në sulm kundër misionit austro-hungarez, sipas burimit të lartshënuar, ishte evituar në momentet e fundit, pas intervenimit të valiut osman në Shkup, i cili kishte ndërhyrë duke ofruar në dispozicion të organeve të reformës austro-hungareze rreth 300 oficerë, duke marrë kështu përsipër një obligim që ishte i paraparë edhe në bazë të marrëveshjes ndërmjet Perandorisë Osmane dhe Fuqive të Mëdha, vë në dukje Urbanski.
Edhe konsulli francez kishte vënë re armiqësi të hapur ndaj ardhjes së oficerëve austro-hungarezë nga e gjithë popullata– shqiptarë, serbë, bullgarë dhe myslimanë e Vilajetit të Kosovës. Armiqësia ishte veçanërisht e fortë në mesin e pjesës myslimane të popullsisë që e perceptonte atë prani të oficerëve të huaj të krishterë ”i një plagë nga Perëndia”. Në Vilajetin e Shkupit, diplomatët francezë dyshonin se qëllimi i Austro-Hungarisë në rajon nuk ishin vetëm reformat, por një “përgatitje për një pushtim të mëvonshëm të këtyre vilajeteve” dhe për të “rritur ndikimin e Vjenës në rajon.” Kjo sjellje e oficerëve austro-hungarezë ishte diktuar nga kërkesa për të kufizuar ndikimin e Serbisë në rajonin ku një pjesë e madhe e popullsisë ishte serbe dhe për të shmangur skenarin e “Serbisë së Madhe”.
Natyrisht, nuk është e saktë të thuhet se të gjithë shqiptarët bënë çmos për të penguar reformat. Qeveria osmane shpresonte të përfitonte nga ekspertët në fushën e tyre, veçanërisht nga gjenerali Degiorgis, në drejtim të zhvillimit të forcave policore.
Sigurisht, në këtë klimë të pafavorshme agjentët civilë shpesh u ndodhën të kërcënuar dhe përballeshin me rreziqe të personelit. Sipas dëshmive vjeneze, në atë kohë në këtë rajon ishte rritur “epshi kafshëror për vrasje përmes nxitjes së paskrupullt nën maskën e fesë ose unitetit kombëtar”
Me gjithë aktivitetin pesëvjeçar dhe këmbënguljes së personelit austro-hungarez, dobësia e shtetit osman, veprimi i bandave serbe, bullgare dhe greke, kaosit etnik, si dhe “mosleximi” i saktë i situatës në vend nga elita politike shqiptare, dhe përkundër qetësimit relativ të situatës në rajonin jugor të Vilajetit të Kosovës dhe të Maqedonisë së sotshme, reformat në shtetin osman nuk avancuan pasi situata vetëm sa u komplikua pas Revolucionit Xhonturk. Rrjedhimisht, Misioni i oficerëve austro-hungarezë përmbushi pjesërisht detyrën e tij brenda kornizës që i është caktuar, në anën tjetër, Beogradi, Cetine, Sofje dhe Athina me nxitjen dhe me mbështetjen e Rusisë i intensifikuan aktivitetet e tyre diplomatike dhe ushtarake kundër interesave të shtetit osman në Ballkan, kundër influencës austro-hungareze në rajon dhe me këtë kundër interesave shqiptare në Kosovë dhe vise të tjera të shtetit osman.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë