Në 100-vjetorin e Partisë Komuniste, bilanci i të arriturave të saj – sipas këndvështrimit zyrtar partiako-shtetëror – është kolosal. Ajo është duke përdorur 100-vjetorin e saj për t’i bindur jo vetëm qytetarët kinezë, por edhe botën, se është e vetmja organizatë e kualifikuar për të udhëhequr një vend të fuqishëm, të pasur e ambicioz për t’u bërë superfuqi. Ceremonitë festive shoqërohen me mesazhe epike e fjalime të gjata për betejat e vazhdueshme të Partisë Komuniste
Kur më 23 korrik të vitit 1921 një grup i vogël revolucionarësh kinezë (afër 50 syresh) u mblodhën në Shangai për të themeluar Partinë Komuniste – në mesin e tyre edhe një 27-vjeçar me emrin Mao Ce Dun – ndoshta as ata nuk do ta besonin se njëqind vjet më pas, organizata e tyre politike, përpos që do ta udhëhiqte Kinën, do të kishte më shumë anëtarë partie sesa Gjermania aktualisht posedon banorë rezidentë. Me mbi 95 milionë anëtarë, Partia Komuniste Kineze është partia e dytë në botë për nga numri i anëtarëve (pas partisë hinduse Bharatiya Janata Party) dhe padyshim organizata më e fuqishme politike në botë.
Në 100-vjetorin e Partisë Komuniste, bilanci i të arriturave të saj – sipas këndvështrimit zyrtar partiako-shtetëror – është kolosal. Ajo është duke përdorur 100-vjetorin e saj për t’i bindur jo vetëm qytetarët kinezë, por edhe botën, se është e vetmja organizatë e kualifikuar për të udhëhequr një vend të fuqishëm, të pasur e ambicioz për t’u bërë superfuqi. Ceremonitë festive shoqërohen me mesazhe epike e fjalime të gjata për betejat e vazhdueshme të Partisë Komuniste. Që nga viti 1949, kur Partia Komuniste udhëheq Republikën Popullore të Kinës, presidenti kinez, Xi Jinping, njëherësh edhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste, deklaroi në janar të këtij viti se Kina synon ngritjen e mëtutjeshme globale që të bëhet superfuqi e klasit botëror – kuptohet socialiste – para mesit të këtij shekulli. Pra, para vitit 2049, kur të shënohet jubileu 100-vjeçar i sundimit të Kinës nga fryma, logjika dhe mendësia komuniste.
Ky vit nuk është vetëm i karakterit simbolik për Pekinin, por dëshmia më e mirë se dogma komuniste kineze, me gjithë sfidën e shfaqur nga pandemia COVID-19, ofroi tablonë më të mirë krahasuese ndërmjet “rregullit të Kinës” dhe “kaosit të Perëndimit”. Suksesi nacional kinez nuk ishte as i mundur dhe as i mundshëm, por i varur kryekëput nga Partia Komuniste. Ajo dhe vetëm ajo bart stafetën e suksesit dhe nuk njeh dështim. E kjo ishte e mundur vetëm falë disiplinës partiake dhe bindjes komuniste që do ta shpijnë Kinën drejt superfuqisë numër një në botë. Por, për partinë-shtet kjo nuk mjafton. Tani e tutje fjala është për “ripërtritjen e kombit kinez” e cila do të varet vetëm nga tradita e kuqe partiake dhe diktati i saj që do të çojë në realizimin e ëndrrës kineze.
Sfida e ardhshme e demokracisë nga Mbretëria e Mesit
Kina nën presidentin Xi ka mbërritur në një nivel të zhvillimit (politik, ekonomik, tregtar, industrial, ushtarak dhe teknologjik), ku akuzat në drejtim të “armiqve” të Kinës janë bërë shprehje të zakonshme të sloganit të tij politik. Kushdo që provon “të ngacmojë, shtypë dhe nënvlerësojë Kinën” do ta gjejë vetën të përballur nga një “mur çeliku i përbërë nga mishi dhe gjaku i 1.4 miliardë kinezëve”, deklaroi presidenti Xi para pak ditësh gjatë një ceremonie zyrtare dedikuar jubileut të themelimit të partisë.
Nuk besoj të ketë ndonjë parti në botë, në një vend demokratik dhe normal, ku kreu i partisë sulmon “armiqtë” (pa i përmendur emrat e tyre) në përvjetorin e themelimit të partisë, por duke i kërcënuar se do të përfundojnë me “kokat të përgjakura”. Realisht, kërcënimi i sipërpërmendur është natyra e vërtetë e një logjike diktatoriale, ku çdo thirrje – sidomos brenda për brenda Kinës – për më shumë demokraci, të drejta dhe liri individuale merr vetëm përgjigjen e dhunës nga aparati shtetëror kinez. I tillë ishte edhe rasti i shkrimtarit dhe aktivistit kinez të të drejtave të njeriut Lui Xiaobo, i cili së bashku me intelektualë të tjerë kinezë kërkonin liri individuale dhe politike, por u arrestua nga policia kineze me arsyetimin e minimit të autoritetit të shtetit dhe partisë. Kur Xiaobo mori Çmimin Nobel për Paqe në 2010, jo vetëm që nuk u lejua të udhëtojë për të marrë pjesë në ceremoninë e paraparë në Oslo, por iu mohua edhe marrja e tretmanit të domosdoshëm mjekësor gjatë periudhës së burgimit, ku vdiq si rezultat i kancerit të mëlçisë. Ky nuk është një rrëfim për ndonjë tregim të imagjinuar nga shekulli XXI p.e.s., por për një histori të vërtetë të para pak viteve, që ndodhi para syve të botës. Të tilla janë rrëfimet mbi kampet e përqendrimit e të paktën një milion ujgurëve dhe minoriteteve të tjera në rajonin e Xinjiang-ut, ku është duke ndodhur një “gjenocid kulturor” (Adrian Zenz). Të tilla janë edhe masat e miratimit të Ligjit të sigurisë për Hong Kongun, duke minuar demokracinë dhe zotimin ndërkombëtar “një vend, dy sisteme”. Të tilla janë edhe kërcënimet në drejtim të Tajvanit për bashkim me pjesën kontinentale kineze.
Kina nuk është Bashkimi Sovjetik
Për shumëkënd e deri para pak kohe, konkurrenca ndërmjet Perëndimit përballë fuqisë gjithnjë e në rritje kineze ishte vetëm një fiksion i studiuesve. Por, me vizitën e presidentit amerikan Joe Biden në Evropë para një muaji, ai arriti t’i ndajë me aleatët dhe partnerët evropianë tri shqetësimet e politikës së jashtme të SHBA-së, që (në anglisht) u listuan me tri “c” (Cronavirus, Clima & China). E fundit është cilësuar tashmë si “rreziku ekzistencial” për sigurinë e SHBA-së dhe të Perëndimit në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare dhe në Strategjinë e Mbrojtjes Kombëtare të SHBA-së.
Thënë ndryshe, shqetësimi amerikan përballë një fuqie gjithnjë e në rritje kineze rezultoi të jetë më i saktë dhe më argumentativ përballë naivitetit evropian, i cili fuqizimin e Mbretërisë së Mesit e shihte vetëm nga këndvështrimi ekonomik. Rivaliteti amerikano-kinez nuk është vetëm pjesë e një konkurrence me autokratët. Është një konkurrencë sistemesh dhe vlerash ndërmjet modelit autokratik dhe atij demokratik. E para dy vjetësh edhe vetë Bideni e kishte përçmuar paralajmërimin se Kina është sfida ideologjike e këtij shekulli. Për Bidenin e për shumë transatlanticistë të tjerë, sfida ideologjike epokale kishte mbaruar me fundosjen e Bashkimit Sovjetik dhe Luftën e Ftohtë.
Pikërisht gabimin e kësaj të fundit nuk dëshiron ta përsërisë Kina, ngaqë për Partinë Komuniste, Lufta e Ftohtë me Perëndimin asnjëherë s’ka mbaruar, ajo tashmë ka hyrë vetëm në një trajektore të re përplasjesh. Strategjia partiake kineze e gërshetuar me mjaft zgjuarsi ndërmjet së kaluarës tradicionale, nacionalizmit në ngritje, socializmit marksist-leninist, si dhe prezencës së armikut permanent, i shoqëruar edhe nga sistemi mbikëqyrës i avancuar teknologjik, janë kombinim ideal e koalicioni perfekt për të mos lejuar përsëritjen e tragjedisë sovjetike në tokën kineze. Ky nuk është një mësim i thjeshtë për komunistët kinezë, por kryefjala e tyre.
Para pak ditësh, në vigjilje të shënimit të themelimit të 100-vjetorit të Partisë Komuniste, u botua nga Departamenti Propagandues i saj “Historia e Shkurtër e Partisë Komuniste Kineze”. E shkurtër është quajtur, por posedon mbi 500 faqe. Paralelja e tërhequr me Bashkimin Sovjetik e vë fokusin te kritika ndaj Gorbaçovit, i cili kishte lejuar gjatë viteve ‘80 futjen e “nihilizmit historik”, përkatësisht të debatit mbi të kaluarën sovjetike. Pikërisht këtë gjë Kina nuk e lejon. Ajo nuk i duron “mendimet nihiliste”, e assesi të vihen në pikëpyetje autoriteti dhe legjitimiteti i së kaluarës partiake, qoftë edhe fakti i humbjes së jetës së miliona qytetarëve kinezë (Revolucioni Kulturor).
Me idetë e presidentit Xi drejt një epoke të re mund të ndodhë realizimi i ëndrrës kineze, përkatësisht zëvendësimi i SHBA-së si fuqia ekonomike numër një në botë. E nëse kjo ndodh, atëherë ky shekull do të mbahet mend si shekulli kinez, me Kinën si ekonominë më të madhe botërore, si shtetin më të fuqishëm komunist në botë, si ekonominë më të madhe globale jodemokratike, joperëndimore dhe joanglishtfolëse. E viti 2049 nuk duket të jetë shumë larg për atë që Partia Komuniste synon – çuarjen përpara të modelit komunist me karakteristika kineze.
Dr. Faruk Ajeti është bashkëpunëtor shkencor në Institutin Austriak për Marrëdhënie Ndërkombëtare (OIIP) në Vjenë