Pavarësisht se gjyshja e saj nuk ishte aty për ta parë momentin, aktorja e njohur Zoe Saldaña ia dedikoi çmimin e saj të parë "Oscar", ka raportuar CNN.
Saldaña e nderoi gjyshen e saj gjatë pranimit të çmimit për “Aktoren më të mirë në rol mbështetës” për rolin e saj në projektin filmik “Emilia Pérez” në ceremoninë e 97-të me radhë të ndarjes së çmimeve nga Akademia e filmit, të dielën.
“Gjyshja ime erdhi në këtë vend në vitin 1961. Fakti që po marr një çmim për një rol ku pata mundësinë të këndoj dhe të flas në spanjisht, gjyshja ime, po të ishte këtu, do të ishte kaq e lumtur”, ka thënë aktorja.
Ajo gjithashtu ka theksuar se është aktorja amerikane e parë me origjinë dominikane që fiton një “Oscar”, por shtoi se nuk do të jetë e fundit.
“Jam një fëmijë krenar i prindërve imigrantë, me ëndrra, dinjitet dhe duar punëtore”, ka thënë ajo, duke nxitur një duartrokitje të fortë nga audienca.
Saldaña ka fituar tashmë disa çmime për performancën e saj si Rita, një avokate që ndihmon personazhin kryesor të gënjejë për vdekjen e saj, përpara se të kalojë në një fazë të re të jetës.
Ky ishte nominimi dhe çmimi i saj i parë “Oscar”.
Projekti filmik “Emilia Pérez” ishte i nominuar në 13 kategori, megjithatë fushata e tij u dëmtua kur më herët, u rishfaqën disa postime ofenduese nga Karla Sofía Gascón, e nominuar për “Aktoren më të mirë”.
Saldaña kishte shprehur më parë se ishte “shumë e trishtuar” dhe “e zhgënjyer” nga komentet kontroverse të Gascónit.
Postimet e Karla Sofía Gascón, shumica e të cilave ishin fshirë pasi u rikthyen në pah nga gazetarja Sarah Hagi, u publikuan kryesisht në vitet 2020 dhe 2021.
Një nga postimet, që daton më 22 nëntor 2020, thotë: “Më falni, a është vetëm përshtypja ime apo ka më shumë myslimanë në Spanjë? Sa herë që shkoj të marr vajzën time nga shkolla, ka më shumë gra me kokën e mbuluar dhe me fundet deri në gishta. Vitin tjetër, në vend të anglishtes, do të duhet të mësojmë arabisht (Variety ka përkthyer postimet në mënyrë të pavarur)".
Një tjetër postim nga 2 shtatori 2020, i bashkangjitur me një foto të një familjeje myslimane në një restorant, përfshin një grua në burkë. “Islami është i mrekullueshëm, pa asnjë ndikim të burrave. Gratë respektohen, dhe kur respektohen kaq shumë, atyre iu lë vetëm një vrimë katrore në fytyrë për t’u parë sytë dhe gojën, por vetëm nëse sillet siç duhet. Ato e veshin këtë për kënaqësinë e tyre. Sa thellë përçmues për njerëzimin".
Një postim tjetër nga 29 janari 2021, thuhet në llogarinë e Gascón që “Islami nuk u përmbahet të drejtave ndërkombëtare,” dhe se fetë “duhet të ndalohen sa herë që nuk respektojnë të drejtat e njeriut”.
Variety ka raportuar gjithashtu se Gascón ka bërë komente edhe për fe të tjera.
Në një postim më 16 gusht 2021, ajo shkruan se “jam e lodhur kaq shumë nga ky llum, nga islami, nga krishterimi, nga katolicizmi dhe nga të gjitha besimet e idiotëve që shkelin të drejtat e njeriut”.
Përveç postimeve të saj për islamin, Gascón publikoi një seri postimesh për afroamerikanin George Floydi, disa ditë pas vrasjes së tij nga një oficer policie, gjë që shkaktoi protesta në të gjithë SHBA-në.
“Unë vërtet mendoj se pak njerëz janë interesuar për George Floydin, një i varur nga droga dhe mashtrues, por vdekja e tij ka shërbyer për të treguar përsëri se ka njerëz që ende i konsiderojnë njerëzit me ngjyrë si majmunë pa të drejta dhe i konsiderojnë policët si vrasës. Të gjithë janë gabim”, pati shkruar ajo.