Showbiz

Mjekët thonë se aktorja Michelle Trachtenberg vdiq si pasojë e komplikimeve nga diabeti

Michelle Trachtenberg

Michelle Trachtenberg

Foto: Associated Press

Zyra e mjekësisë ligjore në New York ka konfirmuar se shkaku i vdekjes së aktores Michelle Trachtenberg ishin komplikimet nga diabeti.

Aktorja, e njohur për rolet e saj në serialet “Buffy the Vampire Slayer” dhe “Gossip Girl”, u gjet e vdekur në një apartament në Manhattan në shkurt të këtij viti. 

Fillimisht, autoritetet kishin deklaruar se shkaku dhe mënyra e vdekjes së Trachtenberg ishin të papërcaktuara. Por pas analizimit të rezultateve të toksikologjisë, zyra përkatëse e ndryshoi deklaratën. “Ajo vdiq në mënyrë natyrale, nga komplikimet e diabetit mellitus”, ka thënë zëdhënësja Julie Bolcer për The New York Times.

Trachtenberg, e cila ishte 39 vjeçe, u gjet pa shenja jete nga policia e New Yorkut më 26 shkurt, pasi kishin marrë një thirrje emergjente në orën 08:00 të mëngjesit. Ekipet mjekësore e shpallën të vdekur në vendngjarje.

Zyra e mjekësisë ligjore po ashtu ka konfirmuar se nuk ishte kryer autopsi për shkak të kundërshtimeve me baza fetare të familjes së saj. 

“Nuk u bë autopsi, meqë familja e saj pati kundërshtime për arsye fetare”, ka shtuar Bolcer.

Trachtenberg kishte nisur karrierën që në moshë shumë të hershme, duke u paraqitur në reklama që në moshën 3-vjeçare. Para se të mbushte 10 vjeç, ajo ishte bërë një figurë e njohur në televizione, duke marrë pjesë në serialin për fëmijë “The Adventures of Pete & Pete” në televizionin Nickelodeon dhe në dramën “All My Children” në televizionin ABC.

Në moshën 11-vjeçare, ajo luajti rolin kryesor në filmin “Harriet the Spy” (1996), ku u vlerësua për interpretimin si Harriet Welsch, një vajzë kurioze që përballet me refuzim nga bashkëmoshatarët për shkak të aventurave të saj imagjinare si spiune, të cilat i shkruante me kujdes në një fletore.

Më vonë, ajo fitoi famë më të madhe me rolin e një adoleshenteje në serialin kult “Buffy the Vampire Slayer” dhe rolin e një vajze dinake në “Gossip Girl”.