Showbiz

Yorke konfrontohet me protestuesin, pasi i kërkoi ta dënonte “gjenocidin e Izraelit në Gaza”

Thom Yorke

Thom Yorke

Thom Yorke konfrontohet me protestuesin në koncert në Australi 

Këngëtari i grupit Radiohead, Thom Yorke, është larguar nga skena përgjatë një koncerti që u mbajt në kuadër të turneut të tij solo në Australi. 

Kjo ndodhi pasi ai u konfrontua me një pjesëtar të publikut që po protestonte për vdekjet në Gaza, shkruan BBC.

Videot që janë postuar online, nga personat që ishin të pranishëm në këtë koncert që u mbajt ne Melburn, shfaqin një njeri nga turma që i bërtet Yorkut. Ndërkohë që nuk mund të dëgjohen qartë të gjitha fjalët, ai kërkon nga këngëtari që “ta dënojë gjenocidin që po bën Izraeli në Gaza”.

VIDEO:

Yorke i përgjigjet këtij personi duke e ftuar në skenë që të bëjë atë që dëshironte.

“Mos rri si një qyqar atje, hajde këtu dhe thuaje. A dëshiron të jua prishësh natën të gjithëve? Në rregull bëje, shihemi më vonë”, ka thënë Yorke, i cili hoqi kitarën.

Dalja e tij nga skena ndodhi pasi që personi në fjalë, vazhdimisht e përsëriste fjalinë e tij “edhe sa fëmijë do të duhet të vdesin”.

Turma e fishkëllente këtë person në shenjë revolte dhe Yorke u kthye përsëri në skenë pas këtij incidenti për ta kënduar këngën “Karma Police”.

Një e pranishme, Elly Brus, ka thënë se protestuesi nuk mori mbështetje nga turma.

“Ai u përcoll jashtë nga sigurimi e pastaj filloi të fliste me njerëzit që ishin jashtë”, i ka thënë ajo BBC-së.

Izraeli ka lansuar një fushatë për shkatërrimin e Hamasit si përgjigje ndaj sulmeve të paprecedentë që bëri grupi në jug të Izraelit më 7 tetor të vitit 2023, si pasojë e të cilit u vranë 1200 njerëz dhe 251 u morën peng.

Që nga atëherë, në Gaza janë vrarë më shumë se 43 mijë njerëz, përfshirë shumë gra e fëmijë.

Të dyja palët mohojnë akuzat se kanë shkelur të drejtën ndërkombëtare. 

Në të kaluarën, grupi Radiohead është përballur me presionin për të anuluar koncerte në Izrael dhe të marr pjesë në bojkotin kulturor ndaj vendit për shkak të politikave që përdorin kundër palestinezëve.
Yorke e ka refuzuar këtë presion duke thënë se “të mbash koncert në një vend nuk do të thotë se e miraton politikën që ka”.

“Kemi mbajt koncerte në Izrael për 20 vjet përgjatë qeverisjeve të ndryshme, disa prej tyre më liberale se të tjerat”, pati thënë Yorke në një deklaratë në vitin 2017, duke mbrojtur vendimin që kishte marrë për të mbajtur koncert në Tel Aviv.

“Ne nuk e përkrahim Benjamin Netanyahu (kryeministrin e Izraelit) më shumë se sa Donald Trumpin, por megjithatë mbajmë koncerte në Amerikë. Muzika e arti ka të bëj me kalimin e kufijve e jo ndërtimin e tyre”, pati thënë Yorke në atë kohë.
 

VIDEO