Showbiz

Ylli i “Squid Game”, Park Hae-soo bashkëpunon sërish me Netflixin

Aktorët nga Korea Jugore, Park Hae-soo dhe Kim Da-mi, janë konfirmuar si protagonistë të filmit të ri të Netflixit “Great Flood”.

Në mëngjesin e së martës (2 gusht), platforma Netflix e bëri të ditur lajmin se aktori, Park Hae-soo, më së miri i njohur për rolin në serialin “Squid Game”, do të jetë protagonist i filmit të ardhshëm që flet për një katastrofë natyrore.

Ende nuk është zbuluar data e lansimit të këtij projekti në platformën e njohur digjitale, raporton portali “NME”.

Sipas portalit “Star News”, aktorja Kim Da-Mi e luan rolin e një studiuese të inteligjencës artificiale që lufton për t’i mbijetuar përmbytjes katastrofale që kërcënon të gjithë jetën në planet. Ndërkohë, Park Hae-soo vjen në rolin e Hee-jo, një pjesëtarë i ekipit të sigurisë që e bën misionin e tij për ta shpëtuar Anën nga katastrofa natyrore.

“Great Flood” është filmi i dytë i Parkut i realizuar me Netflixin për vitin 2022, pas projektit të mbushur me skena aksion, “Yaksha: Ruthless Operations”, i lansuar në muajin prill. Së fundmi ai luajti edhe në serialin “Money Heist”, që është ripërpunim i hitit televiziv spanjoll “La Casa de Papel”.