Showbiz

Ylli i serisë “Game of Thrones”, Kit Harrington, rehabilitohet nga stresi

Ylli i serisë "Game of Thrones", aktori Kit Harington, ka shkuar në rehabilitim pasi u transmetua episodi i fundit i këtij hit seriali të HBO-së në të cilin ai e luan Jon Snow, njoftoi zëdhënësi i tij.

"Kit vendosi ta shfrytëzojë pushimin në orarin e tij të punës si mundësi për t'u tërhequr për një kohë dhe për t’i zgjidhur disa probleme personale", thuhet në deklaratë.

Falë serisë "Game of Thrones", në të cilën ai e luan personazhin e guximshëm Snow, veprimet e të cilit në episodin e fundit ishin befasia më e madhe në tërë serinë, Harringtoni plotësisht anonim u bë globalisht i njohur.

Derisa në deklaratë nuk specifikohen arsyet e tij të krizës, “The New York Post” njoftoi se aktorin e ka prekur shumë përfundimi i serisë dhe është në rehabilitim për shkak të stresit, rraskapitjes dhe problemeve me alkoolin, shkruan KOHA Ditore.

Në një intervistë për “Variety” në mars të këtij viti, Harrington deklaroi se në fillim e kishte të vështirë të përballej me famën dhe vëmendjen "e frikshme" të cilën ia solli seria.

"E kisha ndjenjën se duhet të ndihem si personi më i lumtur në botë, ndërsa në fakt u ndjeva tmerrësisht i pikëlluar. E humba ekuilibrin, që besoj se u ndodh shumicës në të njëzetat", tha aktori 32-vjeçar, i cili në vitin 2018 u martua me kolegen nga seria, aktoren skoceze Rose Leslie.

Episodi i fundit i serisë “Game of Thrones”, i cili u transmetua më 19 maj, vetëm në SHBA i tërhoqi 19.3 milionë shikues.