Ylli i kinematografisë, Will Smith, është spikatur për herë të parë në publik, prej ngjarjes shokuese kur e goditi me shuplakë komedianin Chris Rock, në ceremoninë e muajit të kaluar “Oscar”.
Prej se ndodhi incidenti, i cili më pas u shndërrua në skandal mbarëbotëror, Smith ka qëndruar larg vëmendjes së mediave dhe publikut. Por të shtunën (23 prill) aktori u fotografua në Aeroportin e Mumbait në Indi, ku dukej mjaft i disponuar, i buzëqeshur dhe po i përshëndeste nga larg paparacët, raportoi të hënën portali “NME”.
Will Smith spotted Mumbai airport today ? #WillSmith pic.twitter.com/4i5nuZmPZp
— ʝ ɛ ɛ ȶ ʊ (@Khiladi86) April 23, 2022
Në incidentin që tashmë ka hyrë në histori, Smith doli në skenë gjatë kohës sa Rock po fliste dhe e goditi atë në fytyrë, për shkak se nuk i pëlqeu shakaja që komediani e bëri në emër të gruas së tij, Jada Pinkett-Smith.
Pas ngjarjes, aktori i penduar nga veprimi i tij i bëri disa kërkim-falje publike dhe përfundimisht hoqi dorë nga anëtarësimi në Akademinë e Arteve dhe Shkencave. Më pas, organizatorët e ngjarjes më të madhe në kinematografi e dënuan atë me heqjen e të drejtës për pjesëmarrje në ceremoninë “Oscar” për 10 vjetët e ardhshëm.
Në anën tjetër, Jada Pinkett Smith ka thënë se familja e saj është fokusuar në “shërim të thellë”, pas përleshjes fizike dhe verbale të burrit të saj me aktorin Chris Rock. Javën e kaluar, në emisionin e saj “Red Table Talk”, i cili u rikthye me sezon të ri, u shfaq një mesazh në ekran ku thuhej se me kalimin e kohës do të diskutohet për ngjarjen historike që ndodhi në ceremoninë “Oscar” dhe mënyrën se si ka ndikuar ajo në jetën e familjes Smith.