Përgjatë fundjavës janë lansuar nëpër kinema filmat “Wicked” dhe “Gladiator II”, të cilët i kanë dhënë shtytje të madhe industrisë së filmit, pasi që kohët e fundit ka pasur vështirësi dhe të hyra të ulëta.
“Wicked”, një adaptim mjuzikëll nga “Wizzard of Oz”, nga Jon M. Chu, debutoi me 114 milionë dollarë brenda vendit dhe 164.2 milionë dollarë në mbarë botën. Kjo ishte hapja e tretë më e madhe e vitit, pas “Deadpool & Wolverine” dhe “Inside Out 2”, gjë që vendosi rekord të ri për filmat e adaptuar të tipit të tillë, shkruan The Guardian.
Nga ana tjetër, “Gladiator II”, vazhdimi i filmit të famshëm të Ridley Scottit, i cili kishte një kosto prodhimi prej rreth 250 milionë dollarësh, arriti të mbledhë 55.5 milionë dollarë në SHBA dhe 50.5 milionë dollarë në tregjet ndërkombëtare, duke e çuar totalin global në 106 milionë dollarë.
Ani se grumbulloi 60 milionë dollarë më pak sesa që pritej, performanca ndërkombëtare ishte pozitive. “Pavarësisht se secili film mund të kishte performuar mirë është e vështirë të dihet se si do të ishte pa ndikimin që kanë pasur mbi njëri-tjetrin. Vetëm se të dy këta filma, nuk e ndihmuan njëri-tjetrin”, ka thënë Paul Dergarabedian, analist i mediave për Comscore.
Ngjashëm me fenomenin e vitit të kaluar “Barbenheimer” (Filmat “Oppenheimer” dhe “Barbie”), që ndihmoi në promovimin e dy filmave, kësaj radhe dy filmat u ndanë duke tërhequr audienca të ndryshme, me “Wicked” që mbajti 72% të shikuesve gra, ndërsa “Gladiator II” kishte 61% të shikuesve burra.
Sidoqoftë, efekti kulturor i kësaj përballjeje, e emëruar si “Glicked”, nuk ishte aq i fortë sa ai i “Barbenheimer” dhe kishte më pak njerëz që i panë të dy filmat brenda ditës.
Zyrtarët e kompanisë “Universal”, e cila ka transmetuar “Oppenheimer” vitin e kaluar, kanë deklaruar se e shohin këtë fundjavë si fitore, sidomos për “Wicked”.
“E pamë mundësinë për të dominuar një fundjavë dhe për të nisur një fillim të madh përpara pushimeve. Jemi të sigurt se do të luajë jashtëzakonisht mirë gjatë periudhës së ‘Krishtlindjeve’ dhe deri në vitin e ri”, ka thënë Jim Orr, kreu i gjigandit “Universal”.
Kampanjat masive të marketingut për të dy filmat, luajtën rol të rëndësishëm në suksesin e tyre. “Gladiator II” ka bërë fushatë të gjerë reklamuese, duke përfshirë një bashkëpunim me “Airbnb” për “Colosseum-in” dhe një trailer që u shfaq në më shumë se 4 mijë platforma, ndërsa “Wicked” shfrytëzoi 400 partnerë globalë dhe promovime si pije të veçanta në “Starbucks” dhe lodra të gjigandit të lodrave “Mattel”.
“Fushata jonë ishte e pamundshme për t’u injoruar”, ka thënë Orr.
Kjo ecuri ka sjellë një rikthim të shumëpritur për industrinë e kinemasë, e cila ka pasur një vit të vështirë, me rënie prej 11% krahasuar me vitin e kaluar dhe 25% krahasuar me periudhën para pandemisë. Suksesi i këtyre dy filmave pritet të ndikojë pozitivisht gjatë periudhës së pushimeve të festës së “Falënderimeve”, dhe me lansimimin e filmit “Moana 2” të mërkurën, industria mund të arrijë shitje historike.
“Këto hapje të forta po e ringjallin një treg kinematografik që ka rënë pas një vere të suksesshme”, ka thënë David A. Gross, njohës i industrisë së filmit.