Gjatë fjalimit të pranimit të çmimit “Oscar” për “Aktorin më të mirë” për rolin në filmin “The Brutalist”, aktori Adrien Brody ka falënderuar partneren e tij, Georgina Chapman, si dhe fëmijët e saj me ish-bashkëshortin Harvey Weinstein, India dhe Dash.
“E ndaj këtë çmim me partneren time të mrekullueshme, Georgina, e cila jo vetëm që ka rigjallëruar ndjenjën time të vetëvlerësimit, por edhe vlerat e mia, dhe fëmijët e saj të bukur, Dash dhe India. E di që ka qenë një rrugëtim i vështirë, por ju falënderoj që më pranuat në jetën tuaj”, ka thënë Brody gjatë fjalimit.
FJALIMI I BRODYT:
Pas këtyre komenteve, një përfaqësues i Harvey Weinsteinit, i cili aktualisht vuan dënimin në burgun Rikers Island në New York, reagoi përmes një deklarate për Entertainment Weekly.
“Harvey është i lumtur për Georginan dhe mirënjohës që fëmijët e tij po marrin dashurinë dhe kujdesin që meritojnë”, u shpreh përfaqësuesi i tij.
Një moment i pazakontë në skenë
Fjalimi i Brodyt u bë më i gjati në historinë e çmimeve Oscar, duke përfshirë si momente personale, ashtu edhe profesionale.
Në një gjest të pazakontë, gjatë ngjitjes në skenë për të marrë çmimin, Brody hodhi çamçakëzin e tij drejt Chapmanit, një moment që tërhoqi vëmendjen e publikut.
“Ishte çamçakëz! Sepse harrova që po e përtypja dhe nuk mund të mbaja një fjalim falënderimi duke përtypur”, sqaroi Brody të nesërmen në emisionin Live With Kelly and Mark.
Kur moderatori Mark Consuelos e pyeti pse nuk e kishte gëlltitur, Brody u përgjigj me humor: “Nuk e mendova atëherë! Thjesht mendova që duhej të shpëtoja prej tij sa më shpejt”.
Historia e marrëdhënies së Chapmanit dhe Brodyt
Georgina Chapman, 48 vjeç, e cila u martua me Harvey Weinsteinin në vitin 2007, finalizoi divorcin e tyre në vitin 2021, pas akuzave për sulme seksuale ndaj producentit të njohur.
Brody dhe Chapman nisën lidhjen në vitin 2020 dhe kanë qenë së bashku prej atëherë.
Fitorja e Brodyt të dielën ishte Oscari i tij i dytë, pas çmimit që fitoi në vitin 2002 për interpretimin në filmin “The Pianist”.