Filmi i shumëpritur “Coyote vs. Acme”, lansimi i të cilit ishte pezulluar nga kompania “Warner Bros”, mund të gjejë "shtëpi të re", pasi studioja ka hyrë në negociata të avancuara për shitjen e tij.
Sipas Page Six, distributori e financuesi Gareth West dhe kompania e tij “Ketchup Entertainment” janë në bisedime për një marrëveshje prej rreth 50 milionë dollarësh për të siguruar të drejtat e plota për filmin, një përzierje mes animacionit dhe veprimit të drejtpërdrejtë. Vitin e kaluar “Ketchup” ka shpëtuar edhe një tjetër projekt të “Warner Bros”, filmin “The Day the Earth Blew Up: A Looney Tunes Movie”.
Marrëveshja ende nuk është përfunduar dhe ekziston mundësia që të mos realizohet, por diskutimet po shkojnë në drejtimin e duhur. Nëse finalizohet, filmi pritet të dalë në kinematë botërore në vitin 2026.
Historia e filmit “Coyote vs. Acme” me regji të David Green dhe skenar të Samy Burch, James Gunn dhe Jeremy Slater, bazohet te personazhet e njohura të “Looney Tunes” dhe artikulli humoristik “Coyote vs. Acme”.
Pavarësisht testimeve që kishin rezultuar të suksesshme, “Warner Bros” e ka pezulluar lansimin e projektit dy vjet më parë si pjesë e masave të kursimit dhe filmi nuk është publikuar për më shumë se një vit. Studioja e ofroi filmin për shitje në fillim të vitit 2024 me një çmim prej 70 milionë dollarësh, por nuk mori asnjë ofertë.
Vendimi për të pezulluar lansimin e filmit ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha, duke përfshirë regjisorin e “The Lego Movie”, Phil Lord.
“A është antikonkurruese kur një nga studiot më të mëdha të filmave në botë shmang tregun për të përdorur hapësirë ligjore për të përjashtuar një film të tërë, vetëm që të bashkohet më lehtë me një tjetër studio të madhe? Sepse duket si antikonkurruese”, ka shkruar Lord.
Aktori Will Forte gjithashtu e ka kritikuar ashpër vendimin.
“Nuk mund t'ju them pse u mor vendimi për të mos e publikuar, por më çmend”, pati thënë ai.
Aktualisht nuk është e qartë nëse Warner Bros ka pasur ndonjë përfitim nga pezullimi i lansimit të “Coyote vs. Acme”.