Aktori e producenti amerikan, Vince Vaughn, ka bërë paraqitje të rrallë publike bashkë me familjen e tij.
Ai shkoi në ceremoninë e pranimit të yllit në bulevardin e famës në Hollywood, me gruan Kyla Weber dhe dy fëmijët e tyre, Vajzën Locklyn, 13 vjeçe dhe djalin Vernon, 11 vjeç.
Të hënën, Vaughn pasi u nderua me yll, falënderoi gruan e tij që erdhi në këtë ngjarje, shkruan “Fox News”.

“Gruaja ime e bukur, Kyla, jam shumë i gëzuar që je këtu me mua tani. Jam shumë mirënjohës për ty dhe këta fëmijë të bukur dhe për të gjitha të qeshurat që i përjetojmë bashkë. Sado rëndësi që ka e gjithë kjo ceremoni ju duhet me të vërtetë ta dini se ju jeni më të rëndësishmit në botë për mua”, ka thënë Vaughn gjatë fjalimit.
Të tjerë anëtarë të familjes së yllit të filmit “The Wedding Crashers”, ishin të pranishëm në këtë ceremoni. Prindërit e aktorit, Sharon dhe Vernon Vaughn, dy motrat e tij, tezja dhe të gjithë shokët e tij morën pjesë.

Vaughn ka thënë për “Fox News” se ndihet shumë i lumtur për praninë e të gjithëve.
“Është shumë mirë ta ndaj këtë moment me ta. Është mirë kur kalon pak kohë bashkë për të ndarë një moment si ky”, ka thënë aktori 54-vjeçar.