Aktorët Vin Diesel dhe Dwayne “The Rock” Johnson u takuan përsëri publikisht gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Golden Globes”, duke treguar se kanë lënë pas tensionet e dikurshme.
Variety ka shkruar se kur Diesel mori mikrofonin për të shpallur fituesin e çmimit për arritjet kinematografike, për filmin “Wicked”, ai e ndali për pak fjalimin dhe tha: “Hej, Dwayne”.
Kamera e kapi Johnson-in duke qeshur, ndërsa publiku nuk mund të mos e merrte me humor, duke qenë të vetëdijshëm për historinë e tyre të komplikuar.
Tensionet mes Diesel dhe Johnson filluan në vitin 2016, kur Johnson kritikoi një koleg duke e quajtur “frikacak” dhe “të dobët” përmes një postimi në rrjetin social Instagram.
Shumë shpejt u kuptua se ai po i referohej Dieselit.
Më pas, në vitin 2021 Diesel, shpjegoi se “dëshira e fortë” që ai tregoi për të nxjerrë më të mirën nga Johnsoni për rolin e Hobbsit në filmin “Fast and Furious” ishte ajo që krijoi tensionin mes tyre.
“Qasja ime në atë kohë ishte një dëshirë e fortë ... Duhej të arrinim atje, dhe herë pas here, mund të jepja shumë dashuri të fortë, do të bëja gjithçka që të nxjrr performancat më të mira në çdo projekt që prodhoj”, pati thënë Diesel.
Megjithatë, tensionet mes tyre përfundimisht u zgjidhën në vitin 2023, kur Johnson u shfaq papritur si Hobbsi në një skenë të filmimit “Fast X”.
Diesel e kishte ftuar Johnsonin për t’u bashkuar me “Fast X” që në vitin 2021, por Johnson kishte refuzuar duke thënë se nuk do të kthehej në këtë projekt filmik.
Megjithatë, Johnson përfundimisht u kthye, duke konfirmuar se ata kishin rregulluar marrëdhënien.
Të dy do të luajnë së bashku edhe në filmin e 11-të të “Fast and Furious”.
“Verën e kaluar, Vin dhe unë e lamë pas të kaluarën. Do udhëheqim me vëllazëri dhe gjithmonë do kujdesemi për projektin filmik, karakteret dhe fansat që i duam”, pati shkruar Johnson në rrjetin social Twitter, pas lansimit të “Fast X”.
Ndërkohë, kolegu i tyre nga “Fast & Furious”, John Cena, e ka komentuar këtë marrëdhënie në podcast-in “The Armchair Expert”, duke pranuar se kishte thashetheme për konfliktet mes Diesel dhe Johnson.
“Keni dy njerëz ‘alfa’, shumë të përkushtuar. Kur keni dy, mund të ketë vetëm një”, pati thënë Cena.