Patricia Hitchcock O'Connell, e bija e vetme e regjisorit ikonik Alfred Hitchcock, e cila kishte bërë paraqitje të paharrueshme aktrimi në filmin e babait të saj “Strangers on a Train” dhe e cila e mbrojti punën e tij për dekada me radhë pas vdekjes së tij, ka vdekur në moshën 93-vjeçare.
Hitchcock ka vdekur të hënën teksa flinte në shtëpi në Thousand Oaks të Californias, ka bërë të ditur e bija e saj, Tere Carrubba.
“Ishte gjithmonë shumë e mirë në mbrojtjen e trashëgimisë së gjyshërve të mi dhe u sigurua që të mbaheshin mend gjithmonë”, ka thënë Carrubba, një nga tri vajzat e Patricia Hitchcockut. “Është një lloj fundi i një epoke, tani që ata të gjithë kanë shkuar”.
E njohur më shumë si Pat Hitchcock, ajo lindi në Londër nga prindërit Alfred Hitchcock dhe Alma Reville Hitchcock më 1928 dhe një pjesë të madhe të jetës e kaloi në biznesin familjar. Gjatë fëmijërisë së saj, në kohën kur Alfred Hitchcocku e vuri nënshkrimin e tij në filmat e njohur klasikë, si “The 39 Steps”, “The Lady Weishes” dhe “Shadow of a Doubt”, familja u zhvendos në Kaliforni. Kjo pasi regjisori e nënshkroi një marrëveshje me producentin David O. Selznick dhe u bë i famshëm me “Master of Suspense”.
Gruaja e tij Alma ishte këshilltarja kryesore e regjisorit, si ish-montazhiere filmi, nëpërmjet së cilës ai i verifikoi idetë e ngjarjeve dhe skenarit.
“Nëna ime kishte bërë shumë më tepër për filma sesa që i ishin dhënë ndonjëherë merita - ai varej prej saj për gjithçka, absolutisht për gjithçka”, kishte thënë Pat Hitchcock për “The Guardian” më 1999. Pat e vizitonte babanë e saj në sheshxhirim dhe në adoleshencë kishte filluar me shfaqje shkollore.
Ajo u pranua në Akademinë Mbretërore të Artit Dramatik në Londër më 1947 dhe ishte gati të diplomonte, kur babai i saj e kontaktoi dhe i tha se e kishte një rol për të në filmin e tij të ri, “Strangers on a Train”, që ishte përshtatje nga romani i Patricia Highsmithit.
Në prodhimin e vitit 1951 luajti Robert Walkeri dhe Farley Grangeri, të cilët i portretizuan karakteret e dy të huajve që takohen në një tren dhe bien dakord për një vrasje të dyfishtë: Walkeri do që ta vrasë bashkëshorten e Grangerit dhe Grangeri do që ta vrasë babanë e Walkerit.