Një hetim është hapur për vdekjen e Matthew Perry dhe mënyrën se si aktori i serialit “Friends” mori ketaminë, që është konsideruar si faktor kontribuues në vdekjen e tij, raporton agjencia “AP”.
Kapiteni i Policisë së Los Angelesit, Scot Williams, në një email të martën tha se departamenti i policisë në bashkëpunim me institucione përkatëse, ka nisur të hetojë pse ylli 54-vjeçar kishte kaq shumë ketaminë në sistemin e tij të gjakut kur vdiq në tetor. Për hetimin fillimisht u raportua në revistën “TMZ”.
Perry u gjet duke mosreaguar në vaskën e nxehtë të shtëpisë së tij në Los Angeles. Autopsia e tij, e publikuar në dhjetor, zbuloi se kishte sasi të ketaminës në gjakun e Perryt të nivelit të përdorur për anestezionin të përgjithshëm gjatë një operacioni. Ilaçi ndonjëherë përdoret për trajtim të depresionit.
Nga Departamenti i Ekzaminuesit Mjekësor i Qarkut të Los Angelesit kishte thënë në raportin e autopsisë se Perry u mbyt “në fund të pishinës së nxehtë”, por se ishte një faktor dytësor në vdekjen e tij, e cila u konsiderua si aksident.
Sipas autopsisë së Perryt, njerëzit e afërt me aktorin u thanë hetuesve se ai po i nënshtrohej terapisë me infuzion me ketaminë, një trajtim eksperimental i përdorur për ta trajtuar depresionin dhe ankthin. Por, ekspertët mjekësor thanë se trajtimi i tij i fundit kishte qenë një javë e gjysmë më parë dhe se kjo s’mund ta shpjegonte nivelin e lartë të ketaminës në gjakun e Perryt. Ilaç zakonisht metabolizohet për disa orë.
Perry ishte ndër yjet më të mëdhenj të televizionit të gjeneratës së tij kur luajti në 10 sezona të serialit të famshëm “Friends”, nga viti 1994 deri më 2005. Ai luajti përkrah emrave si Jennifer Aniston, Courteney Cox, Lisa Kudrow, Matt LeBlanc dhe David Schwimmer.