Të gjitha këngëtaret e grupit të mirënjohur “Spice Girls” i janë bashkuar ish-anëtares së tyre, disenjatores së rrobave, Victoria Beckhamit, për festimin e ditëlindjes së saj të 50-të, shkruan BBC.
Përderisa po festonin ato kanë kënduar këngën e njohur “Stop”, ndërkohë që bashkëshorti i Victorias, futbollisti i mirënjohur David Beckham i incizoi dhe videon e postoi në llogarinë e tij në rrjetin social Instagram, ku grupi i vajzave morën shumë komente pozitive nga adhuruesit.
“Dua të them, është Victoria, Geri, Emma, Melanie B e Melani C”, ka shkruar ai në postim.
Një burim i afërt me çiftin ka thënë se ky ribashkim ka qenë shumë i rëndësishëm për Victorian, pasi ajo festonte 50-vjetorin e lindjes.
“Ato ishin pjesë e rëndësishme e jetës së saj”, ka thënë burimi për MailOnline.
Të ftuar të tjerë të famshëm në ndejën e yllit kanë qenë ylli Tom Cruise, Eva Longoria, Gordon e Tana Ramsay, Marc Anthony, Guy Richie, Rosie Huntington-Whiteley e Jason Statham.
Aktorja e mirënjohur Selma Hayek ka postuar në rrjete sociale, një fotografi bashkë me Victorian, ku ka shkruar se ndihet e nderuar që ishte e pranishme në këtë festë.
50 vjeçja ka festuar bashkë me familjen, vetëm se gruaja e djalit të saj të madh, Brooklyn, Nicola Peltz Beckham, nuk ka qenë e pranishme për shkak se i është dashur të qëndrojë me gjyshen e saj të sëmurë.
“Urime ditëlindjen vjehrrës sime të bukur Victoria Beckham. Po ndihem e mërzitur që nuk jam aty për të të përqafuar e për të festuar bashkë! Po të dërgoj dashuri nga unë e gjyshja. Më mungoni shumë të gjithë”, ka shkruar ajo në llogarinë e saj në rrjetin social Instagram.
Një tjetër burim ka thënë për "The Sun" se David nuk kurseu aspak për këtë festë, pasi ai donte që gjithçka të jetë shumë e veçantë për gruan e tij, pasi ajo bën të njëjtën gjë për ndejat e gjithë familjes.