Showbiz

Vajza e Johnny Deppit tregon pse e mbron jetën personale

Lily-Rose Depp

Lily-Rose Depp

Foto: Associated Press

Aktorja Lily-Rose Depp, e cila është vajza e yjeve të Hollywoodit, Johnny Depp dhe Vanessa Paradis, ka thënë se për të është shumë e rëndësishme ta mbrojë jetën private. 

25-vjeçarja ka pasur këtë ndjesi që nga fëmijëria, duke u mësuar të mbajë aspekte të jetës personale për vete, veçanërisht në një epokë dominimi të rrjeteve sociale.

 “Jam rritur duke mësuar që jeta private është shumë e çmuar dhe duhet të mbrohet. Sepse në këtë industri dhe sidomos sot me rrjetet sociale dhe sa shumë kemi qasje tek njëri-tjetri, është shumë e rëndësishme ta mbrosh atë jetë private që ke”, ka thënë Depp në një interviste për revistën Interview, që e bëri bashkë me aktoren Natalie Portman.

Ajo ka shtuar se kur është në punë, gjatë xhirimeve, është momenti kur lejon ndjenjat e saj private të dalin në sipërfaqe.

“Kur shkon në xhirim është koha që i nxjerr ato jashtë. I mban ato ndjenja super-private në çantën tënde dhe, kur nis skena, i lëshon”, ka shpjeguar ajo.

Aktores së njohur për rolin në “Nosferatu” i pëlqen gjithashtu të jetojë “jetë normale” kur nuk është duke xhiruar ose promovuar ndonjë film.

“Kur nuk jam duke xhiruar apo promovuar diçka, është e rëndësishme për mua të kem një jetë shumë normale. Më pëlqen të shkoj në supermarket, të darkoj te miqtë e mi, apo të kem një mëngjes të qetë me të dashurin tim”, ka thënë ylli.

Ajo gjithashtu ka shtuar se këto gjëra gjithmonë do të jenë në qendër të jetës së saj.

“Edhe nëse punoj shumë, ato gjëra kurrë nuk do të humbin vlerën e tyre. Aty ku bëhet e rrezikshme është kur nuk i shikon këto gjëra si të çmuara më”, ka thënë ndër të tjera ylli.