Showbiz

Trumpi eskalon me ofendime ndaj Clooneyt

Donald Trump - George Clooney

Presidenti amerikan Donald Trump ka sulmuar aktorin George Clooney dhe emisionin televiziv “60 Minutes”, i cili transmetohet në televizionin CBS, pas paraqitjes së Clooney në këtë program ditë më parë. Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump e ka cilësuar Clooneyn si “aktor të kategorisë së dytë” dhe  “analist politik të dështuar”, ka raportuar The Independent.

“Pse ‘60 Minutes’, tashmë tërësisht të diskredituar, do të bënin një ‘reklamë’ për George Clooney, një ‘yll filmi i kategorisë së dytë’ dhe një analist politik i dështuar? Ai luftoi shumë për zgjedhjen e ‘Sleepy Joe' (term të cilin Trumpi e ka përdorur në mënyrë përçmuese për ish-presidentin Joe Bidenv.j.) dhe më pas, menjëherë pas debatit, e la si ‘një qen’. Më vonë, me sa duket me urdhër nga kampi i Obamës, u angazhua tërësisht për Kamala Harrisin, por edhe ajo doli të mos ishte zgjidhja e duhur”, ka shkruar Trump.

Ai ka akuzuar gjithashtu “60 Minutes” për “manipulim të përgjigjeve” në një intervistë me Kamala Harrisin, duke e cilësuar si një nga momentet “më të turpshme dhe të pandershme në historinë e transmetimit televiziv”.

Gjatë intervistës në “60 Minutes” për të promovuar debutimin e tij në teatër me shfaqjen “Good Night, and Good Luck”, Clooney ka folur për ngjashmëritë midis peizazhit mediatik dhe politik të dramës dhe situatës aktuale në SHBA.

VIDEO:

“Kur dështojnë tre pushtetet e tjera, gjyqësori, ekzekutivi dhe legjislativi, media duhet të ketë sukses. Qeveritë nuk e pëlqejnë lirinë e shtypit. Asnjëherë nuk e kanë pëlqyer, pavarësisht nëse janë konservatorë apo liberalë”, ka thënë Clooney.

Aktori ka folur gjithashtu për shkrimin e tij kritik në New York Times, ku kërkonte që ish-presidenti i SHBA-së, Joe Biden të mos rikandidojë në zgjedhjet e vitit 2024. 

“Më kanë mësuar të them të vërtetën. E pashë presidentin nga afër gjatë një aktiviteti dhe u befasova. Ndjeva se kishte shumë frikacakë në partinë time gjatë asaj periudhe dhe nuk isha krenar për këtë”, ka deklaruar Clooney.

Pas publikimit të këtij opinioni, Trump e quajti Clooneyn  “aktor të rremë filmash” që “kurrë nuk ka bërë ndonjë film të madh” dhe e këshilloi të largohej nga politika dhe të kthehej në televizion, duke shtuar: “Filmave kurrë nuk iu përshtat me të vërtet!”

LEXO EDHE: