Showbiz

Tre filmat më të shikuar të javës në Amerikën Veriore

“Creed III” e gëzoi një debutim të mirë në arkat filmike të Amerikës Veriore, duke mbledhur shikues të shumtë nëpër kinema.

Filmi i realizuar me një buxhet prej 75 milionë dollarësh e mundi kampionin e javës së kaluar, “Ant-Man and the Wasp: Quantumania”, duke u pozicionuar në vendin e parë të arkave filmike falë 58 milionë dollarëve të fituara nga shitja e biletave. Ai madje arriti t’i tejkalojë pritshmëritë e ekspertëve të kinematografisë me suksesin e tij. Filmi i parë “Creed” kishte debutuar me 29 milionë dollarë të arkëtuara në vitin 2015, kuse vazhdimi i dytë i fitoi 35 milionë dollarë brenda tri ditëve të para të shfaqjes nëpër kinema, me t’u lansuar në vitin 2018.

Aktori i njohur hollywoodian, Michael B. Jordan, e shënon debutimin regjisorial me pjesën e tretë të serisë së filmave “Creed”. Ai po ashtu vjen në rolin e protagonistit, Adonis Creed, një boksier i suksesshëm me një vizion të përsosur të jetës familjare. Në këtë vazhdim ish-boksieri, Damian, rikthehet pas vuajtjes së një dënimi me burg dhe dy ish-shokët ballafaqohen me një ndeshje të tensionuar. Krahas Jordanit në këtë projekt luajnë edhe aktorët, Tessa Thompson, Jonathan Majors, Wood Harris dhe të tjerë.

“Ant-Man and the Wasp: Quantumania” rrëshqiti në vendin e dytë të arkave filmike, në javën e tretë të lansimit nëpër kinema. Vazhdimi i tretë në serinë e filmave “Ant-Man” i rikthen në ekran të madh aktorët, Paul Rudd, Evangeline Lilly, Michael Douglas dhe Michelle Pfeiffer, si dhe e shënon debutimin e aktorit Jonathan Majors në rolin e Kang The Conquerer. Filmi e sjell një betejë epike midis Scott Langut dhe Kang Pushtuesit, pasi superheroi Ant-Man dhe familja e tij e hapin aksidentalisht një portal në Mbretërinë Kuantike. Por, kësaj radhe ata përballen me një armik të rrezikshëm, që shquhet si një prej personazheve më të egër dhe më maniakë të universit kinematik “Marvel”.

E në pozitën e tretë këtë javë gjendet filmi i studios “Universal Pictures”, “Cocaine Bear”. Ky projekt i fitoi edhe 11 milionë ekstra nga shitja e biletave nëpër kinema, të cilat i shtohen shumës së arkëtuar deri më tani prej 41.3 milionë dollarësh. “Cocaine Bear” është një film horror komedi që vjen me regji të aktores, Elizabeth Banks. Ai është frymëzuar nga historia e vërtetë e një ariu të zi amerikan që gëlltiti rreth 34 kilogram kokainë. Në film luajnë aktorë të tillë si. Keri Russell, O’Shea Jackson Jr., Christian Convery, Alden Ehrenreich, Brooklynn Prince, Isiah Whitlock Jr., Margo Martindale dhe Ray Liotta. Projekti i kushtohet Liottas, i cili vdiq në majtë vitit të kaluar.