Justin Timberlake u ka bërë thirrje të gjithë shoferëve të premten që të mos e ngasin veturën edhe pas një pije të vetme alkoolike, menjëherë pasi u deklarua fajtor për vozitje duke qenë i paaftë, në Hamptons të Nju Jorkut në pranverë të këtij viti.
Këngëtari i grupit të djemve “N’SYNC”, i kthyer në yll dhe aktor solo, u dënua me një gjobë prej 500 dollarësh dhe një pezullim 90-ditor të patentë shoferit të tij, raporton AP.
"Edhe nëse keni pirë një pije, mos e kapni timonin në dorë. Ka shumë alternativa. Thirrni një mik. Merrni një Uber. Ka shumë aplikacione udhëtimi. Apo, merrni një taksi. Ky është një gabim që kam bërë, por shpresoj që kushdo që shikon dhe dëgjon tani mund të mësojë nga ky gabim”, është shprehur Timberlake para mediave, pas seancës gjyqësore në Sag Harbor.
Timberlake u arrestua atje pak pas mesnatës së 18 qershorit, pasi policia tha se ai vuri një shenjë ndalimi në qendër të fshatit, doli nga korsia e tij, dhe doli nga BMW-ja e tij me erë alkooli.
Policia bëri të ditur më pas se 43-vjeçari nga Tenesi i kishte thënë oficerit se kishte pirë një martini dhe po përcillte disa miq në shtëpi. Ai fillimisht u deklarua i pafajshëm për një akuzë për kundërvajtje për drejtimin e veturës në gjendje të dehur.
Timberlake ka thënë ndërkaq në gjykatë se kishte shumë kohë për të reflektuar mbi veprimet e tij dhe ishte "mirënjohës për mundësinë për të ecur përpara" dhe për të përdorur platformën e tij me shpresën se do të ndihmojë të tjerët të marrin "vendime më të mira".
LEXO EDHE: