Showbiz

Thyen heshtjen ish-partnerja e Liam Paynet

Liam Payne dhe Maya Henry

Liam Payne dhe Maya Henry

Foto: Associated Press

Maya Henry ka folur për lidhjen e saj me këngëtarin e ndjerë, Liam Payne, duke theksuar se ajo u mundua shumë për të qenë pranë tij, por se pas ndarjes e kuptoi se nuk mund ta ndryshonte atë. 

Ajo ishte në lidhje romantike me yllin e grupit “One Direction” nga viti 2018 deri në 2022. Në një intervistë ka treguar se gjithmonë besonte se mund t’i ndryshonte gjërat për të, përpara se ai të vdiste në muajin tetor të vitit 2024 pasi ra nga ballkoni i një hoteli në Buenos Aires, në moshën 31-vjeçare.

“Ai ishte dikush që e doja shumë. Fillimisht, ishte përdorimi i drogës dhe varësitë që na ndanë. Kushdo që ka qenë me një të varur nga droga e kupton sa e vështirë është. Edhe pse e doja shumë, ai bëri gjëra që më lënduan në mënyra që nuk do t’i kuptoj kurrë plotësisht, dhe vazhdoi të më lëndonte edhe pas ndarjes. Kur ishte nën ndikimin e drogës, ai bëhej një person i pakuptueshëm - shumë ndryshe nga vetvetja e tij kur nuk ishte i dehur. Unë vazhdoja të shpresoja se çdo incident do të ishte një moment reflektimi që ai të kërkonte ndihmë, por asnjëherë nuk ishte”, ka thënë Henry në një intervistë për “Rolling Stone”.

Ajo ka thënë se e donte shumë Paynen dhe përpiqej t’i qëndronte pranë, por ajo gjithashtu ka pranuar se disa herë injoronte shenja të dukshme të rrezikut, pasi besonte se mund ta shpëtonte.

“Përpiqesha të isha aty për të. E doja aq shumë saqë më dukej se mund të rregulloja gjithçka. E ndihmoja kur ai kishte nevojë dhe kalova në situata të rrezikshme, duke injoruar çdo sinjal”, ka treguar tutje influencerja.

Pas vdekjes së Paynet, Henry ka shpjeguar se i qëndroi pranë edhe në momentet më të vështira, por më vonë kuptoi se kishte nevojë të largohej për të shpëtuar vetveten.

“Qëndrova pranë tij në momentet më të errëta, nëpër kaos, nëpër dhimbje, nëpër gjëra që më thyen në mënyra që nuk mund t’i shpjegoj. Dhe, megjithatë, kur gjithçka mbaroi, mbeta vetëm me boshllëk. Dashuria që i dhashë, sakrificat që bëra - nuk ishin mjaftueshëm. Jo vetëm që më është thyer zemra, por ndihesha e mashtruar, ashtu siç ndihen shumë gra në pozita të ngjashme. Por ajo që di është se nuk ishte për shkakun tim ose për ndonjë gjë që bëra. Ishte për luftën që doli jashtë kontrollit tim. Dhe në fund, duhej të zgjidhja vetveten. Duhej të largohesha, sado që më dhimbte, sepse të qëndroja në botën e tij do të thoshte të humbja veten”, ka thënë ndër të tjera ish-partnerja e yllit.