Showbiz

“The Alto Knights”, me yllin e kinematografisë Robert De Niro

The Alto Knights

Robert De Niro dhe Debra Messing e ndoqën premierën evropiane të filmit të tyre të ri, “The Alto Knights”.

De Niro i luan dy role të ndryshme në filmin e ardhshëm me mafia, i cili vjen i bazuar në historinë e vërtetë të dy kriminelëve rivalë në vitet ’50. Njëri është një burrë më i kujdesshëm i quajtur Frank Costello, kurse tjetri është një burrë pa filtër dhe më aventurist, i njohur si Vito Genovese.

“Sigurisht se jam argëtuar duke e luajtur rolin e Vitos. Ai është më ekspresiv, më dinamik dhe më spontan, por roli i Frankut ishte më i përafërt me karakterin tim”, tha aktori veteran.

Aktorja Messing, e shquar për rolin në serialin hit “Will and Grace”, në film e portretizon Bobbyn, bashkëshortja e Costellos.

“Kostumet në këtë projekt ishin të jashtëzakonshme. Më kanë ndihmuar vërtetë të transformohem në personazhin që e luaj, që është Bobby. Mendoj se e shpërfaqin historinë e një gruaje, e cila me çdo kusht dëshiron të pranohet nga shoqëria elitare. Ky ishte edhe synimi i Bobbyt. Prandaj, po, pjesëmarrja në këtë film ishte një përvojë argëtuese”, ka thënë ajo.

“The Alto Kinght” e rrëfen historinë e betejës së dy protagonistëve për të fituar pushtet. Vito Genovese dhe Frank Costello janë ‘bossat’ kryesorë të mafisë. Konflikti i vërtetë mes tyre fillon kur Vito urdhëron vrasjen e Frankut, i cili për pak i shpëton këtij atentati. Tani, Frank përpiqet ta mbrojë veten dhe familjen e tij nga rivali, Vito, derisa në të njëjtën kohë planifikon të pensionohet nga jeta e krimit.

I pranishëm më premierën që zuri vend në Londër, ishte edhe njëri prej producentëve të filmit, Jason Sosnoff.

“Në film bëhet fjalë për një burrë që e ndjek një rrugë të caktuar në jetë. Dhe më pas ai vendosi të ndryshojë kahe. Kjo është një gjë vërtet e vështirë për t’u bërë. E dini, ka shumë gjëra nga e kaluara që na tërheqin nga mbrapa, por në fakt ne refuzojmë të dorëzohemi. Dhe në qendër të këtij filmi është Frank Costello, i cili e ka vështirë ta marrë këtë rrugë të re në jetën e tij. Ai është i paragjykuar. Njerëzit nuk po e pranojnë plotësisht, dhe veçanërisht miqtë e tij të vjetër nuk po e pranojnë atë. Kjo krijon një përplasjeje te Franku, i cili mendon vërtetë për atë që dëshiron ta ndryshoj në jetë dhe çfarë po e pengon ta bëj këtë”, deklaroi Sosnoff.

“The Alto Knights” tashmë është në dispozicionin e publikut mbarëbotëror.