Ceremonia e 75-të me radhë e ndarjes së çmimeve “Emmy”, është mbajtur të hënën në mbrëmje në teatrin “Peacock” në Los Angeles. Tepihu i kuq, mbi të cilin parakaluan yjet para se të futeshin në sallë, u dominua nga ngjyrat si e kuqja e shumë nuanca të saj, e zeza, e bardha po ashtu në disa nuanca, e verdha në nuanca të ndryshme, ngjyra roze dhe vjollcë.
Në këtë ngjarja shumë pak të pranishëm ishin rozetat që ishin kryefjalë e tepihëve të kuq si “Golden Globes” dhe “Critics Choice Awards”. Rozeta, e cila vjen kryekëput si vazhdimësi e trendit të filmit “Barbie”, nuk është ngjyrë, por është manipulim i materialit në formë të një trëndafili. Rozetën në trend e futi aktorja Margot Robie, e cila në çdo prezantim nëpër ngjarje të ndryshme, shpërfaqi nga një version të fustaneve të kukullës nga vitet e mëparshme. Ajo njëjtë veproi edhe në dy ngjarjet e fundit, përkatësisht në “Chritics Choice Awards”, ku futi në trend edhe ngjyrën e kuqe të errët, gjë që tregon se Robbie me “Barbien” ende po e “dominojnë” tepihun e kuq.
Nuanca e quajtur “Burgundy” të cilën autoriteti global i ngjyrave “Pantone” e pati shpallur ngjyrën e vitit 2015, po duket të jetë nuancë e fuqishme nëpër tapetet e kuqe të ceremonive të sivjetme, duke e anashkaluar në total “pjeshkën e mjegullt”, nuancën që “Pantone” e ka shpallur si ngjyrë të vitit 2024. Zakonisht pritet që ngjyra e vitit që shpallet nga instituti “Pantone”, të dominojë stilin e veshjes, atë të dekorit të brendshëm të shtëpive e po ashtu edhe oborret e jashtme. Ndikimi i “Pantonit” shkon mjaft larg duke bërë që edhe hapësirat e brendshme të veturave të vishen me ngjyrën e vitit të shpallur nga instituti.
Këtë vit yjet e famshëm po e dëshmojnë të kundërtën duke e bërë të kuqen e të zezën kryefjalë mbi tepihët e kuq.

Ylli televiziv, Selena Gomez për “Emmy” kishte zgjedhur një fustan me lule, petalet e të cilit ishin të punuar me 450 mijë sedefe me nuancë “burgundi”, një nuancë e errët e të kuqes. Fustanin për të e kishte punuar brendi i mirënjohur “Oscar de la Renta”.
Po ashtu edhe aktorja që luan rolin e princeshës Diana në serialin “The Crown”, Elizabeth Debicki, kishte veshur një fustan nga brendi “Dior” me nuancën “burgundy”.
Më këtë nuancë u veshën edhe aktoret, Juliette Lewis, Amy Poehler, Kirsten Dunst, Rachel Brosnan.

Ylli Suki Waterhouse, partnerja e aktorit Robert Pattinson, e cila është shtatzënë, e kishe dekoruar pjesën e poshtme të barkut të saj me një fjongo mbi fustan të kuq nga brendi “Valentino”.
Më nuancë të ngjyrës së kuqe u veshën edhe yjet si Christina Applegate, Camila Morrone, Emily Hampshire, Katherine Heigl, etj.
Kurse aktorja Meghan Fahy kishte zgjedhur një fustan nga brendi “Armani”, të ngjashëm me atë që veshi aktorja Margot Robbie në tepihun e kuq të ceremonisë “Critics Choice Awards”. Ajo kishte zgjedhur një fustan të kuq të errët të dekoruar me rozeta në pjesën e lartë.

Me të zezë u veshën yjet si Kourtney Kardashian dhe partneri i saj Travis Scott. Edhe gruaja e yllit të ndjerë Elviz Prisley, Priscilla Presley e mbesa e saj, Riley Keough, patën veshje të zeza nga brendi “Chanel”. Njëjtë ka bërë edhe aktorja e serialit “The Bear” Eyo Edeiri, e shumë e shumë yje të tjerë.
Sedefet janë trendi tjetër që po dominon mbi tapet të kuq. Aktorja Jessica Chastain kishte veshur fustan të punuar në tërësi më sedefe ngjyrë të gjelbër në nuancë neoni, nga brendi “Gucci”. Një fustan ngjyrë krem të punuar me gjethe të gjelbra kishte zgjedhur aktorja Jenna Ortega. Një nuancë neon të gjelbër e veshi ylli Padma Lakshmi. Fustan në formë sirene, të gjelbër, me gurë e shumë rrudha, e kishte veshur ylli Hannah Waddingham.

Aktorja Claire Dons kishte veshur një fustan ngjyrë rozë nga brendi Balmain. Me rozë u vesh edhe aktorja Quinta Brunson. Kurse ylli Taraji P.henson kishte zgjedhur një fustan ngjyrë vjollcë të errët.

Edhe e bardha ishte ngjyrë shumë prezentë në këtë tapet të kuq. E veshur nga shumë yje si Ariana DeBose, Maria Bello, Issa Rae, Sheryl Lee Ralph, Trace Ellis Ross, Robin Thede, etj.

Të tjera nuanca të pranishme që karakterizuan këtë tepih të kuq ishin e verdha, hiri e metaliket.
Kjo ngjarje, nikoqir i të cilës ishte komediani Anthony Anderson, i shpërbleu më të mirët e serialeve televizive që u lansuan nga muaji qershor i vitit 2022 deri më 31 maj në 2023-s.
Përgatiti: Vita Abrashi-Kajtazi