Këngëtarja, Taylor Swift, ka thënë se anulimi i koncerteve që do të mbaheshin në Vjenë për shkak të një kërcënimi për sulm terrorist, e ka mbushur atë me një ndjenjë të frikës.
Tri koncerte të saj janë anuluar në fillim të muajit gusht në kryeqytetin austriak, pasi tre persona u arrestuan nën dyshimin se kishin lidhje me planifikimin e sulmit duke u inspiruar nga grupi i Shtetit Islamik, shkruan BBC.
34 vjeçja, e cila ka përfunduar koncertet që mbajti në kuadër të turneut Evropian të martën në stadiumin Wembley në Londër, ka shkruar në rrjete sociale për frikën që ka përjetuar.
Në një postim në llogarinë e saj në rrjetin social Instagram, Swift ka shkruar se është ndier jashtëzakonisht fajtore pasi shumë njerëz kishin planifikuar të udhëtonin për të shkuar në koncertet e saj.
“Anulimi i koncerteve në Vjenë ishte shkatërrues. Por jam shumë mirënjohëse për autoritet, sepse falë tyre, po mbanim zi për koncerte e jo për jetë njerëzish”, ka shkruar ylli.
Ajo tutje ka thënë se siguria e adhuruesve është primare ndërkohë që po vazhdonte me turneun, duke shtuar se e tërë energjia e saj i është dedikuar sigurisë së gati gjysmë milioni njerëzve që kishin planifikuar të shkonin për ta parë atë në Londër.
“Ekipi im dhe unë kemi punuar ngushtë me stafin e stadiumit dhe autoritetet britanike çdo ditë në ndjekje të qëllimit tonë për siguri, dua t’i falënderoi për çdo gjë që kanë bërë për ne”, ka shkruar Swift.
Këngëtarja është shprehur e lehtësuar pasi turneu në Evropë përfundoi sigurt.
“Prioritet kisha përfundimin e turneut në mënyrë të sigurt. Me lehtësim të madh e them se e kemi arritur këtë”, ka thënë ajo.
Ylli ka mbajtur tetë koncerte në Wembley këtë verë, duke tejkaluar rekordin e çdo artisi, të cilin e kishte vendosur Michael Jackson në vitin 1988.
Koncerti i ardhshëm i Swiftit, si pjesë “Eras Tour” pritet të mbahet më 18 tetor, në Miami të Floridas.