Showbiz

Taylor Swift me rol në filmin e ardhshëm të regjisorit David O. Russell

Foto: AP/Associated Press

Ylli i muzikës pop, Taylor Swift, i është bashkuar kastës së aktorëve të filmit të ardhshëm të regjisorit, David O. Russell, i njohur për realizimin e filmave të suksesshëm hollywoodian, “Silver Linings Playbook” dhe “American Hustle”.

Sipas mediave të huaja, xhirimet e filmit tashmë kanë përfunduar.

Swift i është bashkuar yjeve të njohur të kinematografisë që janë pjesë e këtij projekti, të tillë si Christian Bale, Margot Robbie, John David Washington, Robert De Niro, Rami Malek, Mike Myers, Zoe Saldana, Anya Taylor-Joy, Chris Rock dhe Michael Shannon.

Titulli i filmit, tema që e trajton dhe data e lansimit të tij nëpër kinema, janë duke u mbajtur të fshehta nga publiku. Russell në këtë film të ardhshëm e luan rolin e regjisorit dhe skenaristit, duke e shënuar kështu projektin e tij të parë të metrazhit të gjatë nga filmi ti vitit 2015, “Joy”.

I vetmi detaj i konfirmuar rreth këtij filmi është se ai do të lansohet nga studioja “20th Century”, që është pjesë e kompanisë “Disney”.

Kjo do të jetë paraqitja e parë e Taylor Swiftit në një projekt kinematografik pas filmit të vitit 2019, “Cats”, i cili ishte adaptuar nga mjuziklli i Andrew Lloyd-Webberit dhe për të cilin projekt, këngëtarja e famshme botërore e kishte shkruar një këngë origjinale me titull, “Beautiful Ghosts”.

Swift e shënoi debutimin e saj si aktore në vitin 2010, me një rol të shkurtër në komedinë romantike “Valentine’s Day”. Dy vjet pas këtij projekti ajo e huazoi zërin për filmin e animuar, “The Lorax”, si dhe më 2014 u paraqit me një rol të shkurtër në filmin fantastik-shkencor, “The Giver”. Ajo gjithashtu është autore dhe protagoniste e dokumentarit mbi jetën e tij, “Miss Americana”, i cili u lansua në vitin 2020 nga platforma Netflix.

Pop ylli i njohur i muzikës së fundmi e gëzoi një sukses të jashtëzakonshëm, duke e shënuar shitjen më të mirë të pllakave të gramafonit brenda një jave në Amerikë, të albumit të saj të fundit “Evermore”. Në këtë mënyrë ajo e theu rekordin e vendosur më herët nga muzikanti, Jack White.

Në muajin prill, Swift e lansoi albumin “Fearless: Taylor’s Version”, që në fakt është versioni i riincizuar i albumit që i soli suksese marramendëse dhe famë botërore.