Ylli i muzikës pop, Taylor Swift, e ka zbuluar ambicien e saj për ta bërë regjinë e filmave që prekin tema dhe emocione njerëzore. Këtë deklaratë këngëtarja dhe aktorja e bëri gjatë një interviste në Festivalin e sivjetmë të filmit në Toronto.
Swift mori pjesë në një panel diskutimi në kuadër të festivalit, ku edhe e shfaqi filmin e saj të metrazhit të shkurtër, “All Too Well”.
E pyetur nëse do të dëshironte që ndonjëherë të realizojë filma të metrazhit të gjatë, këngëtarja tha: “Nëse do të ishte gjëja e duhur për ta bërë, do të ishte një privilegj dhe nder për mua. Unë gjithmonë dua të rrëfej tregime që flasin për njerëzit e thjeshtë dhe emocionet njerëzore”.
Sipas portalit “The Hollywood Reporter”, ylli i popit si inspirim i përmendi disa regjisore të njohura, si Nora Ephron, Chloé Zhao dhe Greta Gerwig.
“Është shumë bukur që jemi në një vend ku ideja e realizimit të filmit nga një regjisore grua nuk të bën skeptik rreth kualitetit të tij, siç ndodhte në të kaluarën”.
Swift, po ashtu, foli për origjinën e dëshirës së saj për t’u marrë me regji, duke thënë: “Nuk është se u zgjova një ditë dhe tash me vete, ‘E dini çfarë? Dua të bëhem regjisore’. Unë nuk kam ndjekur shkollë të filmit, por thjeshtë, kam qëndruar në sheshin e xhirimeve të më shumë se 60 videoklipeve muzikore, ku kam mësuar shumë rreth procesit të regjisë”.
Muajin e kaluar, Taylor Swift i befasoi fansat anembanë botës me ta paralajmëruar lansimin e albumit të saj të ardhshëm, “Midnights”. Këtë e vëri gjatë kohës sa po e pranonte çmimin “Videoklipi më i mirë i vitit” në ceremoninë e sivjetme “MTV Video Music Awards”. Albumi publikohet më 21 tetor të këtij viti.