Regjisori Quentin Tarantino ka treguar se po i kushton rëndësi të madhe kohës me familjen dhe ka ndërmend të presë derisa djali i tij të jetë mjaft i madh për t'i krijuar momente të paharrueshme nga xhirimet e filmave. Gjatë një diskutimi në Festivalin e Filmit “Sundance”, Tarantino ndau mendimet e tij për të ardhmen e tij në kinematografi dhe mënyrën se si po e balancion karrierën dhe jetën familjare.
Variety ka shkruar se kur kritiku i njohur i filmit Elvis Mitchell, e pyet regjisorin për periudhën e tij të fundit më shumë si skenarist se sa si regjisor, Tarantino u shpreh se nuk po ngutet që të prodhojë filma, pasi po e shijon kohën me fëmijët.
“Nuk po ngutem për të kaluar në prodhim të filmit. E kam bërë këtë për 30 vjet. Të hënën e ardhshme djali im mbush 5 vjeç dhe kam një vajzë 2 vjeçe e gjysmë. Kur jam në Amerikë, shkruaj. Kur jam në Izrael? Jam ‘abba,’ që do të thotë baba”, ka thënë Tarantino.

Ai ka theksuar se nuk i duket tërheqëse ideja e fillimit të një projekti kur fëmijët janë ende shumë të rinj për ta kuptuar.
“Nuk dua të bëj ndonjë film derisa djali im të jetë të paktën 6 vjeç, që të mund ta kuptojë atë që po ndodh, që të jetë një kujtim për gjithë jetën e tij”, ka shtuar Tarantino.

Megjithatë, ai nuk ka pushuar së punuari, pasi ka treguar se po punon në një dramë dhe se mund të jetë puna e tij e ardhshme.
“Nëse është një dështim, nuk do ta shndërroj në film. Por, nëse është një sukses i madh? Mund të jetë filmi im i fundit”, ka thënë ai.

Kur ka diskutuar për situatën aktuale të kinematografisë, Tarantino ka shprehur shqetësim lidhur me rënien e cilësisë në kinematografi, duke thënë se "filmi” tani është thjesht një produkt që shfaqet për një periudhë të shkurtër në kinema dhe pastaj mund të shikohet nëpër platforma transmetuese.
Ai e ka kritikuar këtë mënyrë dhe ka shprehu zhgënjimin e tij për faktin se industria ka ndryshuar kaq shumë që nga vitet e 90-ta.
Tarantino ndër të tjera ka theksuar se teatri është “fronti i fundit” i vërtetë për filmin.
Ky qëndrim i tij u prit me shumë vëmendje dhe ka ndezur diskutime rreth ndryshimeve të mëdha që po kalon industria e filmit, sidomos kur bëhet fjalë për cilësinë dhe përvojat e vërteta të shikuesve në kinema.