Festivali i filmit “Sundance” për vitin 2025, që do të mbahet në Utah, do t’i japë mundësinë publikut të shikojë premiera botërore të filmave me aktorë të njohur si Olivia Colman, Jennifer Lopez dhe Josh O’Connor. Festivali do të shfaqë gjithsej 87 filma nga 33 shtete të ndryshme.
The Guardian ka shkruar se aktorja, Olivia Colman, udhëheq ekipin e filmit “Jimpa”, një dramë nga Sophie Hyde, ku ajo luan rolin kryesor, një nënë e cila e çon fëmijën e saj , i cili nuk dëshiron t’i përkas asnjë gjinie, te gjyshi i tij homoseksual, rolin e të cilit e luan John Lithgow. Colman e përshkruan këtë film si histori prekëse për marrëdhëniet familjare dhe identitetin.
Aktorja, Jennifer Lopez luan në filmin “Kiss of the Spider-Woman”, një lloj përshtatje e mjuzikëllit të njohur të Terrence McNally nga viti 1992. Ajo e ka quajtur këtë rol si më të vështirin që ka luajtur deri tash. "Është një histori e errët, por gjithashtu një histori për dashurinë dhe mbijetesën, për të ndihmuar njëri-tjetrin në kohët e vështira. Mendoj se ky është një mesazh, për të cilin kemi nevojë tani”, ka thënë Lopez për Variety.
Aktori, Josh O’Connor, i njohur nga projekti filmik “Challengers”, luan në filmin “Rebuilding”, i zhanrit dramë, ku bëhet fjalë për një fermer i cili duhet të përballet me humbjen e fermës pas një zjarri. Në këtë film gjithashtu do të shfaqet aktorja Meghann Fahy.
Mes aktorëve të tjerë të njohur që do të paraqiten në festivalin në fjalë, janë Benedict Cumberbatch në filmin “The Thing with Feathers”, një dramë për një baba që beson se një lloj "pranie e keqe" po ndjek familjen e tij pas vdekjes së gruas, dhe aktori Ben Whishaw që do të luajë rolin e fotografit të njohur Peter Hujar në filmin “Peter Hujar’s Day”, ku do të shfaqet edhe aktorja Rebecca Hall në rolin e shkrimtares Linda Rosenkrantz.
Në këtë edicion të festivalit, 47% e filmave janë të drejtuar nga gratë dhe 45% nga regjisor me ngjyrë, një pasqyrim i diversitetit që do të shfaqet në këtë ngjarje.
Ndër filmat dokumentarë më të pritur janë “The Librarians” (për luftën kundër ndalimit të librave në Teksas), “Heightened Scrutiny” (për legjislacionin anti-trans në SHBA) dhe “Mr Nobody Against Putin” (për një mësues në Rusi që kundërshton propagandën).
Në konkurrencën kryesore dramatike, do të shfaqen filma si “Atropia” (me Alia Shawkat dhe Callum Turner), “Bubble & Squeak” (me Himesh Patel), “Plainclothes” (me Russell Tovey), “Ricky” (me Stephan James), dhe “Sorry, Baby” (me prodhimin e Barry Jenkins).
Po ashtu, priten edhe filma të njohur të ripërpunuar si “The Wedding Banquet”, me Lily Gladstone dhe Bowen Yang, dhe “Opus”, një thriller nga industria e muzikës me Ayo Edebiri dhe John Malkovich.
Në këtë festival do të shfaqene gjithashtu edhe filmat “Rabbit Trap, If I Had Legs I’d Kick You” (me Rose Byrne dhe A$AP Rocky), dhe “Train Dreams” (me Joel Edgerton dhe Felicity Jones).
Festivali i vitit 2025 do të fillojë të mbahet nga 23 janari deri më 2 shkurt.
“Programi i këtij viti është gati për publikun dhe industrinë, në një moment të shumë pyetjeve globale. Dëshirojmë që filmat që do të debutojnë të nxisin debate dhe të krijojnë lidhje”, ka thënë drejtori i festivalit, Eugene Hernandez.