Showbiz

“Spider-Man: No Way Home” thyen rekorde pas 12 ditësh të lansimit

Filmi i fundit i bazuar në Universin Kinematik Marvel, “Spider-Man: No Way Home”, zyrtarisht ka arritur t’i fitojë më shumë se 1 miliardë dollarë nga shitja e biletave nëpër kinematë botërore, duke u bërë kështu filmi i parë hollywoodian që e shënon këtë sukses nga viti 2019.

Filmi me superheroin shumë të dashur për publikun e arriti këtë moment histori për vetëm 12 ditë. Kështu është bërë filmi i tretë që i ka arkëtuar 1 miliard dollarë për një kohë kaq të shpejtë, pas filmave “Avengers: Endgame” i cili kishte shitur bileta në vlerë prej 1 miliard dollarësh pas 5 ditëve të shfaqjes dhe, “Avengers: Infinity War”, film ky që e arriti këtë shumë të hollash në vetëm 11 ditë. Te dy këta filma e përfshijnë aktorin Tom Holland në rolin e superheroit Spider-Man.

“Spider-Man: No Way Home” po ashtu është bërë filmi i parë që i fiton më shumë se 1 miliard dollarë, prej shpërthimit të pandemisë COVID-19. Projekti i fundit që e arriti këtë sukses ishte “Star Wars: The Rise Of Skywalker”, i cili u lansua në dhjetor të vitit 2019. Vazhdimi i ri “Spider-Man” njëkohësisht e ka shënuar hapjen e dytë më të mirë në histori, dhe renditet pas kampionit tjetër me superheronj, “Avengers: End Game”.

Filmi i ardhshëm që bazohet në Universin Kinematik Marvel do të lansohet më 6 maj të vitit të ardhshëm. Bëhet fjalë për projektin “Doctor Strange In The Multiverse Of Madness”, i cili e vazhdon historinë e vendosur në filmin “Spider-Man: No Way Home” dhe serialin e platformës Disney+, “WandaVision”.