“Spider-Man: No Way Home” debutoi me sukses të jashtëzakonshëm në arkat filmike të Amerikës Veriore, duke u pozicionuar në vendin e parë të listës falë 260 milionë dollarëve të fituara. Njëkohësisht, filmi e ka shënuar hapjen e dytë më të mirë në histori dhe renditet pas kampionit tjetër nga Universi Kinematik Marvel, “Avengers: End Game”. Rekord të hapjes ka arritur edhe në arkat filmike botërore, duke debutuar me arkëtimin e më shumw se 600 milionë dollarëve, pa e llogaritur këtu tregun kinez. “Spider-Man: No Way Home” që është bashkëprodhim i studiove “Columbia Pictures” dhe “Marvel”, është vazhdim i projekteve hit në arkave filmike, “Spider-Man: Homecoming” dhe “Spider-Man: Far From Home”. Ai e rrëfen historinë e të riut Peter Parker i portretizuar në film nga Tom Holland, i cili i kërkon superheroit Dr. Strange që ta ndihmojë ta fshehë identitetin e Spider-Manit nga publiku i gjerë. Krahas Hollandit në këtë vazhdim të tretë të realizuar nga regjisori, Jon Watts, luajnë edhe yjet: Zendaya, Benedict Cumberbatch, Jacob Batalon, Jon Favreau, Marisa Tomei, J. B. Smoove, Benedict Wong, Alfred Molina dhe Jamie Foxx.
Në pozitën e dytë këtë javë renditet filmi i animuar, “Encanto” me 6.5 milionë dollarë të fituara ekstra të cilat i shtohen shumës së arkëtuar në javën e katërt të shfaqjes nëpër kinema, e që e kap shifrën prej 81.5 milionë dollarëve. Filmi i ri i animuar i studios “Disney” vjen me regji të dyshes, Byron Howard dhe Jared Bush, të cilët njihen për realizimin e projektit hit të arkave filmike, “Zootopia”. Me një ngjarje e cila zë vend në Kolumbi, “Encanto” e rrëfen historinë e familjes Madrigal dhe jetën e tyre në një shtëpi magjike. Të gjithë fëmijët e kësaj familjeje e kanë një superfuqi të jashtëzakonshme, përveç së voglës Mirabel e cila ka lindur pa ndonjë aftësi magjike. Sidoqoftë, edhe pse nuk posedon superfuqi, Mirabel përfshihet në një aventurë interesante për ta shpëtuar shtëpinë e saj, në momentin që familja Madrigal vihet në rrezik.
Filmi i ri i regjisorit të njohur hollywoodian Steven Spielberg, “West Side Story”, i cili bazohet në mjuzikllin me të njëjtin emër, ka arritur të pozicionohet në vendin e tretë të kësaj liste. Brenda një jave, ky projekt arriti të shes bileta në vlerë prej 3.7 milionë dollarëve. Në film luajnë aktorët Ansel Engort dhe Rachel Zegler, të cilët i portretizojnë dy të rinj që bien në dashuri më New Yorkun e viteve ’50. Pjesë e kastës së aktorëve të përfshirë në këtë projekt janë edhe: Ezra Menas, Julius Anthony Rubio, Ana Isabelle, Brian d’Arcy James, Corey Stoll dhe të tjerë. “West Side Story” ishte planifikuar të lansohet nëpër kinema në fund të vitit 2020, por ishte shtyrë shkaku i pandemisë. Mirëpo filmi më në fund filloi së shfaquri për publikun e gjerë nga 10 dhjetori i këtij viti.
I katërti në listë renditet filmi “Ghostbusters: Afterlife”, i cili vjen me regji të Jason Reitmanin. Në javën e pestë të lansimit, ky projekt arriti t’i fitojë edhe 3.4 milionë dollarë ekstra të cilat i shtohen shumës së arkëtuar deri më tani, prej 117 milionë dollarëve. “Ghostbusters: Aferlife” është vazhdimi i tretë zyrtarë i filmave të njohur të viteve ’80, dhe në rolet kryesore i sjell aktorët Carrie Coon, Finn Wolfhard, Mckenna Grace dhe Paul Rudd, derisa Bill Murray, Dan Aykroyd, Ernie Hudson, Sigourney Weaver dhe Annie Potts i përsërisin rolet e tyre nga filmat origjinal. Ai e rrëfen historinë e dy fëmijëve dhe nënës së tyre beqare të cilët pasi dëbohen nga shtëpia e tyre, detyrohen të zhvendosen në një fermë në Summerville të Oklahomas, të cilën e kanë trashëguar nga gjyshi i ndjerë. Por kur qyteza fillon t’i përjetojë një sërë tërmetesh të pashpjegueshme, fëmijët e zbulojnë lidhjen e familjes së tyre me shkencëtarët e njohur si “Ghostbusters”, të cilët e krijojnë një pajisje për kapjen e fantazmave dhe të cilët ka kohë që janë shndërruar në mit dhe janë harruar plotësisht nga shoqëria.
Top-pesëshja këtë javë plotësohet me filmin “Nightmare Alley”, falë 2.8 milionë dollarëve të fituara. Filmi i ardhshëm i Guillermo Del Toros është pak më ndryshe se projektet e kaluara të regjisorit. Ai e rrëfen historinë e Stanton Carlisle, i cili punon si lexues i mendjes në një klub nate. Ai ngatërrohet me Dr. Lilith Ritter, një psikiatre e cila mundohet ta demaskojë atë si një mashtrues. Pamjet e para të filmit “Nightmare Alley” sjellin mjaft shumë tension, pa i përfshirë përbindëshat e zakonshëm të regjisorit meksikan, Del Toro. Ngjarja e këtij projekti kinematografik zë vend brenda dhe përreth një karnavali, dhe në rolet kryesore i sjell aktorët e famshëm të hollywoodit, Bradley Cooper, Cate Blanchett, Willem Dafoe, Toni Collette, Rooney Mara, Ron Perlman dhe të tjerë.
Përktheu: Edona Binaku