Showbiz

Spekulime për shkurorëzim mes çiftit Joe Jonas dhe Sophie Turner

Dyshja e famshme e showbizit, Joe Jonas dhe Sophie Turner, thuhet se janë në prag të shkurorëzimit.

Sipas ueb faqes TMZ të cilët i kanë marrë informatat nga disa persona të afërt me çiftin, martesa e muzikantit 34-vjeçar dhe aktores 27-vjeçare është në krizë dhe ata kanë filluar ta shqyrtojnë mundësinë e shkurorëzimit.

Jonas dhe Turner i kanë dy fëmijë së bashku dhe shquhen si një çift që jetën private e mbanë larg vëmendjes së publikut.

Besohet se këta tre muajt e fundit, Joe është kujdesur gjithë kohës për fëmijët e tyre të vegjël, ani pse momentalisht është në turne me vëllezërit e tij, Nick dhe Kevin Jonas.

Megjithëse në koncertin e hapjes së turneut të grupit “Jonas Brothers” muajin e kaluar, aktorja britanike Sophie Turner është parë në publik duke vallëzuar dhe shijuar performancën e bashkëshortit të saj, nga atëherë çifti që u martua në maj të vitit 2019 është fotografuar pa unazat e martesës në gisht. Po ashtu, së fundmi ata e kanë shitur shtëpinë e tyre në Miami, vetëm një vit pas blerjes së saj.

Joe dhe Sophie u bënë prindër për herë të parë në korrik të vitit 2020, kur e sollën në jetë vajzën Willa. Më pas në korrik të 2022-tës ata e mirëpritën edhe një vajzë tjetër.

Aktorja e cila fitoi famë mbarëbotërore me rolin e Sansa Stark në serinë “Game of Thrones”, fillimisht është martuar me muzikantin Joe Jonas në Las Vegas, para një imituesi të Elvis Presleyt. Dhe disa muaj më vonë, ata e organizuan një ceremoni më të madhe dhe glamuroze e cila u mbajt në pjesën jugore të Francës.

Përgatiti: Edona Binaku