Aktorja shumë e dashur për publikun, Sophie Turner dhe bashkëshorti i saj, këngëtari i njohur Joe Jonas, e kanë mirëpritur në jetë fëmijën e tyre të parë.
Foshnja është vajzë dhe besohet se çifti i famshëm i showbizit, e kanë pagëzuar atë Willa.
Dyshja Turner dhe Jonas, besohet se e kanë sjellë në jetë foshnjën të mërkurën më 22 korrik, derisa lajmi u bë publik në media tek të hënën më 27 korrik, transmeton Koha.
Sipas uebfaqes për të famshëm TMZ, burime të afërta të çiftit kanë deklaruar se ata kanë vendosur ta quajnë vajzën e tyre, Willa Jonas, por deri në këto momente nuk dihen më shumë detaje rreth foshnjës së porsalindur.
Edhe aktorja e serisë hit “Game of Thrones” dhe anëtari i bendit të famshëm “Jonas Brothers”, nuk kanë komentuar rreth lajmit të gëzueshëm.
Ndërkohë, 24-vjeçarja Sophie Turner e cila e kaloi pothuajse gjithë shtatzëninë e saj në karantinë, në të kaluarën kishte deklaruar që mezi pret të bëhet nënë për herë të parë.
Aktorja e cila fitoi famë mbarëbotërore me rolin e Sansa Stark në serinë “Game of Thrones”, fillimisht është martuar me muzikantin Joe Jonas në Las Vegas, para një imituesi të Elvis Presleyt. Dhe disa muaj më vonë, ata e organizuan një ceremoni më të madhe dhe glamuroze e cila u mbajt në pjesën jugore të Francës, më saktësisht në Provence ku ndodhet një pallat i shekullit të 18-të.
Turner shpesh thekson se ajo është e lumtur me Jonasin dhe se kanë mirëkuptim, duke pasur parasysh që të dy janë pjesë e botës së showbiz.