Showbiz

Sophie Turner akuzon Joe Jonasin për ‘rrëmbim’ të fëmijëve të çiftit

Aktorja Sophie Turner e ka paditur bashkëshortin e saj këngëtar, Joe Jonas, të cilin po e detyron t’ia dorëzojë pasaportat e dy fëmijëve të çiftit në mënyrë që t’i marrë me vete në Angli.

Katër javë më parë, Jonas bëri kërkesë për shkurorëzim nga Turneri pas katër vjetëve martesë. Tani në padinë e saj, aktorja po pretendon se çifti ishte marrë vesh që vajzat e tyre të vogla t’i rrisin në vendlindjen e saj. Po ashtu thuhet se fëmijët që i takojnë moshës 3 dhe 1 vjeç, janë plotësisht të integruar në të gjitha aspektet e jetës së përditshme dhe kulturore në Angli.

Më së miri e njohur për rolin e Sansa Starkut në serialin “Game of Thrones”, Turner paraqiti kërkesën e saj në gjykatën federale në Nju Jork sipas klauzolave të Konventës së Hagës ​​të rrëmbimit të fëmijëve, një traktat ndërkombëtar që synon të detyrojë kthimin e një fëmije të marrë nga vendi i “qëndrimit të zakonshëm”.

Aktorja 27-vjeçare thotë se ajo dhe Jonas e kishin marrë një vendim të përbashkët që t’i rrisin vajzat në Britani të Madhe, dhe si familje kishin vendosur të zhvendosen për të jetuar atje në prill të këtij viti.

Por gjatë gushtit dhe shtatorit, derisa grupi “Jonas Brothers” e filloi turneun muzikor në Shtetet e Bashkuara, Turner u desh të kthehet në Britani të Madhe për ta xhiruar një projekt televiziv. Kështu, ajo dhe Joe ishin pajtuar që fëmijët të udhëtonin me babanë dhe dadon e tyre. Plani ishte që pas xhirimeve, Turner të udhëtonte në New York për t’i marrë fëmijët, por fatkeqësisht martesa e çiftit pësoi krizë dhe vendimi për shkurorëzim u morr shumë shpejtë.

Sipas Turnerit, Jonas bëri kërkesë për shkurorëzim më 1 shtator në Floridë, kurse ajo e kishte marrë këtë lajm nga mediat 5 ditë më vonë. Aktorja thotë se është takuar me yllin e muzikës pop më 17 shtator, ku i ka kërkuar t’ia dorëzoj pasaportat e fëmijëve në mënyrë që t’i marrë me vete në Londër, por Jonas ka refuzuar ta respektoj marrëveshjen e tyre të mëparshme. Vajzat e çiftit kanë lindur në Amerikë por e posedojnë edhe nënshtetësinë britanike.

Dokumentet gjyqësore zbulojnë se vajzat aktualisht po qëndrojnë me të ëmën në një hotel në Manhattan.

Joe Jonas ka thënë përmes një deklarate për media se po kërkon kujdestari të përbashkët të fëmijëve. Ai pajtohet se vajzat të rriten në dy shtete, dhe të kalojnë kohë kualitative me te dy prindërit.

“Kjo është një mosmarrëveshje fatkeqe ligjore për një martesë që fatkeqësisht po përfundon. Kur përdoret gjuhë si ‘rrëmbimi’, është diçka e rëndë dhe mund të konsiderohet një abuzim serioz i sistemit ligjor”, ka deklaruar këngëtari.

Jonas insiston se nuk e ka befasuar Sophien me vendimin për t’u shkurorëzuar, por në fakt ata kishin biseduar për këtë gjë disa herë.

Joe shquhet si ikonë e muzikës pop. Në vitin 2005 ai u bë i famshëm bashkë me vëllezërit, Nick dhe Kevin, me të cilët e formuan grupin “Jonas Brothers”. Ai dhe Turner u takuan në vitin 2016 kurse 3 vjet më vonë u martuan.

Përgatiti: Edona Binaku