Kompania e madhe e muzikës, “Sony Music”, pjesë e të cilës janë artistet e mirënjohura si Adele e Beyonce, u ka dërguar letër kompanive teknologjike si “Google”, “Microsoft” dhe “OpenAI”, si kërkesë që ta dinë nëse i kanë përdorur ndonjë nga këngët e artistëve të tyre për të zhvilluar apo trajnuar programe të inteligjencës artificiale (AI), raporton BBC.
“Sony Music” po i ndalon të gjithë të trajnojnë, zhvillojnë apo të bëjnë para përmes AI-së, duke përdorur këngët e tyre pa autorizim.
Në letrën që ua dërguan më shumë se 700 kompanive teknologjikë, “Sony Music”, ka deklaruar se ka arsye për të besuar se puna e artistëve tyre tashmë është përdorur pa autorizim.
“Sony Music” u ka vënë afat të caktuar kompanive për përgjigje.
Si në Bashkimin Evropian ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka pyetje rreth shkeljes së të drejtave autoriale, për përmbajtje që përdoren nga AI-ja.
Nana Nwachukwu, avokate në firmën e etikës së AI-së, Saidot, ka thënë se trajnimi i programeve të inteligjencës artificiale me muzikë të mbrojtur me të drejta autoriale “mund të përbëjë shkelje të së drejtës së autorit”, bazuar në rregullat aktuale që ka BE-ja. Por projektligji i BE-së do t’i ndryshojë disa gjëra.
“Legjislacioni do t’i detyrojë të gjitha modelet e AI-së, që janë përdorur për qëllime të ndryshme, të jenë në përputhje me kërkesat rigoroze të dokumentacionit dhe transparencës së kërkuar. Kjo përfshin detyrimin për të shfaqur publikisht përmbledhjet e detajuara të të dhënave që janë përdorur për të trajnuar programe të caktuara, duke ju përmbajtur të drejtave autoriale dhe duke u siguruar se i gjithë përdorimi i të dhënave është në përputhje me ligjet e BE-së për të drejtat autoriale”, ka thënë avokatja.