Versioni i ri i filmit të animuar klasik “Snow White” nga Disney, tani si film i realizuar me aktorë të vërtetë, ka zënë vendin e parë në arkat filmike në Amerikën Veriore, pavarësisht vlerësimeve të përziera nga kritika, ka raportuar BBC.
Filmi ka fituar rreth 87.3 milionë dollarë në mbarë botën gjatë fundjavës së parë të shfaqjes, sipas faqes “Box Office Mojo”, ku gati gjysma e shumës erdhi nga Amerika Veriore. Megjithatë, këto të ardhura janë më të ulëta nga sa pritej për një film, realizimi i të cilit kushtoi më shumë se 270 milionë dollarë.
Revizionimi i filmit të animuar të vitit 1937 dukej si një sukses i garantuar, deri sa u përball me një sërë polemikash para premierës së tij. Ndryshimet në konceptin e “Snow White” u bënë pika kyçe për ndarje sociale dhe politike, edhe përpara se filmi të shfaqej në kinematë botërore.
Një nga kritikat kryesore ishte zgjedhja e aktores Rachel Zegler, e cila është me origjinë kolumbiane, për rolin e Borëbardhës. Po ashtu, pati reagime të forta për komentet pro-palestineze të Zeglerit dhe komentet proizraelite të aktores izraelite Gal Gadot, që luan rolin e mbretëreshës së keqe në këtë film.
Një tjetër debat i madh ishte për përfshirjen ose jo të xhuxhëve në film, nëse duhet të ishin të vërtetë apo të krijuar me CGI (imazhe të gjeneruara nga kompjuteri).
Në Kinë, një treg i madh me mbi 1.4 miliardë banorë, filmi nuk arriti të hyjë në pesë filmat më të ndjekur dhe fitoi më pak se 1 milion dollarë në tre ditët e para të shfaqjes.
“Dyshoj se polemikat e shumta kanë zbehur tërheqjen. Gjithashtu, ndikimi i shumë prodhimeve të Hollywoodit në Azi ka rënë që nga fillimi i pandemisë”, ka thënë konsulenti i industrisë së showbizit, Patrick Frater, për BBC.
Ndërkohë, sipas faqes Rotten Tomatoes, filmi është vlerësuar më shumë nga publiku se sa nga kritikët.
Kritiku kryesor i The Times, Kevin Maher, ka bërë thirrje duke thënë “besoni zërat që janë kundër, është vërtet aq film i keq” ndërsa David Rooney nga Hollywood Reporter e ka quajtur filmin “kryesisht magjepsës”.
Ndërkohë, kritiku i BBC, Nicholas Barber, ka thënë se filmi, me xhuxhët e tij të çuditshëm të krijuar me CGI dhe tonin e paqartë, “nuk është një katastrofë”, por është “një përzierje që të lë pa fjalë”.