Showbiz

Snoop Dogg tregon arsyen pse nuk vishet me pantallona të ngushtë

Snoop Doog

Snoop Doog

Reperi i njohur amerikan Snoop Dogg ka thënë se asnjëherë nuk do të vishte pantallona të ngushtë sepse nuk do të mund t’i zhvishte me lehtësi, pasi që vetë ai është shumë i dobët.

52-vjeçari është bërë i njohur për mënyrën se si vishet pasi që shumë vite bashkëpunon me stilisten dhe disenjatoren, Taila Coles, e cila ka krijuar veshjet e tij shumë të gjera.

Ai ka folur për revistën “People” se si asnjëherë askush nuk do të mund ta shtynte të vishte rroba të ngushta.

“Jam shumë i hollë, prandaj do të ishte problem që t’i vesh e t’i zhvesh pantallonat e ngushtë. Ka disa limite kur bëhet fjalë për njerëzit që janë shumë të hollë. Nuk mund ta bëj këtë, sepse nuk dua t’i them dikujt që të më ndihmojë t’i heq nga trupi, ‘tërhiqi këto pantallona’, nuk do ta bëj këtë!”, ka thënë ai.

Babai i katër fëmijëve, emri i vërtetë i të cilit është Calvin Corodozar Broadus-Jr, ka shtuar gjithashtu se puna me stilisten Taila është shumë e mirë.

“Ne punojmë bashkë si ekip shumë i mirë i ideve dhe ajo e kupton shumë mirë modën e materialet, ajo e kupton dukjen time e stilin tim. Prandaj është shumë e lehtë të bashkëpunoj me dikë që merr idetë e tua e i sjellë në jetë, jo vetëm në letër por në trupin tënd. Ajo më kupton, prandaj kurrë nuk kemi mosmarrëveshje”, ka thënë Snoop.

Ylli ndër të tjera ka shpjeguar se kur bëhet fjalë për kampanjat e marketingut për brende të mëdha të modës, si Louis Vutton apo Gucci, ai i thotë stilistes të shkojë e t’u thotë përfaqësuesve të tyre që të mos ju sjellin rroba të ngushta.

“I them Tailsit që të ju thotë të mos na sjellin rroba të ngushta, të cilat nuk do t’i vishja asnjëherë, sepse dinë të duan të jenë eksperimental nëpër reklama dhe ne nuk eksperimentojmë. Ne e sjellim stilin e mirë në reklamë. Na sillni garderobën dhe shikoni se çfarë bëjmë me të”, ka thënë tutje reperi.

Kohët e fundit, Snoop ka treguar stilin e veçantë të veshjes edhe gjatë Lojërave Olimpike të cilat u mbajtën në Paris.

Ndërkohë në një video të revistës prestigjioze Vogue, në kuadër të emisionit “In the Bag”, ai ka folur rreth obsesionit që ka për çantat.

“I dua çantat, çantat e shpinës, të dorës, çantat e vogla, e shumë të tjera. Nuk do t’i quaj ‘çanta burrash’ sepse nuk janë. Mendoj se kam më pak se mijëra, por më shumë se 500 të tilla”, ka thënë ikona e modës.